Thursday, June 26, 2008

Xhema

Sa vite kam pa e parë Xhemën? Ndoshta 15 ose 20? E sa të tjerë kanë kaluar pa e menduar Xhemën? Patjetër mbi 10. Po ja që megjithë këtë harresë të gjatë, ja tek jam sot, mijëra kilometra larg Shqipërisë, e paaftë për të hequr nga mendja Xhemën. E gjitha nisi me leximin ritual mëngjezor të New York Times. Sytë më kapën titullin Albanian Custom Fades: Woman as Family Man (Zakonet shqiptare veniten: Gruaja si burrë i familjes), dhe pas një momenti ja tek isha duke parë fotot e Xhemave të tjera shqiptare. Gra që në moshë të re ishin betuar të mbeteshin përjetë të virgjëra, në mënyrë që të shndërroheshin në burra e të kujdeseshin për familjen. Dhe nuk munda të mos pyesja veten: A kish bërë dhe Xhema një betim të tillë? Po nuk mundem ta gjej dot përgjigjen. Atëherë kur unë e kam njohur Xhemën, nuk kam ditur as ç'është virgjëria e as ç'është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Dija vetëm që Xhema dukej ndryshe. Një jogrua nga vetëzgjedhja, një joburrë nga natyra. Një gruaburrë.

Ka shumë mundësi që dhe ju ta njihni Xhemën. Nëse në vitet '80 ju ka rënë rasti të pushoni qoftë dhe një ditë në plazhin e Velipojës, patjetër që do të jeni ndeshur diku me Xhemën. Sepse jeta e saj shpalosej mu në qendër të Plazhit Velipojë. Kabina e saj e vogël (ku ajo jetonte) ndodhej brenda rrethimit të këndit të lojrave për fëmijë, dyert e të cilit hapeshin e mbylleshin në çdo ditë vere të çdo viti vetëm nga Xhema.

Rrekem të zhvarros nga sëndukët e kujtimeve të atyre viteve detajet që do më të lejonin të pikturoja para syve figurën e plotë të Xhemës, por çdo gjë mbetet e vagullt. Prerja e flokëve nuk i ngjasonte asaj të një burri, por dhe ndonjë grua me një të tillë nuk do të gjeje dot. Zëri ishte i ashpër (që të frikësonte fëmijët), por ende ruante ca nga diapazoni më i gjerë i një femre. Trupi ishte i thatë, me shpinë pak të kërrusur, gjithnjë i veshur në pantallona e këmisha burrash.

Sa herë mund të më ketë ndihmuar të hip dhe zbres nga figurat e karuselit Xhema? E megjithatë nuk ja kujtoj dot ngjyrën e syve. Ndoshta rreptësinë po, ose trimërinë. Sepse mua Xhema mbi të gjitha më dukej trime. Një nga ato burrneshat e zbritura drejt nga përrallat e Mujit dhe Halilit. Xhema e vetme fare mund ta mundte Bajlozin që do të vinte nga deti. A nuk e kishte ajo prandaj kasollen mu në zemër të plazhit, fare pranë detit? Të rrethuar nga kuaj e karroca, shtiza e pllaka hekuri që ajo me forcën e saj mund t'i kthente në pajime lufte.

Çfarë bëhet sot me Xhemën? Nga ta di. Ndoshta mundi të privatizonte kasollen e vet në zemër të Plazhit, dhe jeton atje dhe sot e kësaj dite. Si në përrallat e motshme, ku personazhet jetojnë përgjithnjë.

Saturday, June 21, 2008

Show must go on ...

Verë 1978. Kampionati im i parë botëror i futbollit si tifoze e Hollandës.



Verë 2008. Këto 30 vite më kanë mësuar shumë gjëra. Një ndër to, që futbolli nuk duhet marrë shumë seriozisht. Do të ketë gjithnjë kampionatë të tjerë!

Sunday, June 15, 2008

Yellow

Një nga grupet e mi të preferuar muzikorë është Coldplay. Me 17 Qershor del në qarkullim albumi më i ri i tyre, i titulluar "Viva la Vida or Death and All His Friends". Megjithëse në vitet e fundit Coldplay është bërë një nga grupet më të famshëm e suksesshëm në shkallë botërore, kënga ime e preferuar prej tyre mbetet një këngë dashurie nga albumi i tyre i parë e jo shumë i njohur, "Parashutes", e titulluar "Yellow".



Kush është kënga juaj e preferuar nga Coldplay?

Tuesday, June 10, 2008

Google Analytics

Para disa ditësh, në blogun Parisi një dashuri pa fund u diskutua për statistikat që WordPress u ofron blogshkruesve të kësaj platforme. Eni/Albtranslator vuri në dukje që nuk kishte mundur të gjente një funksion të tillë për bloget që strehohen nga Blogger. E bërë kurioze sesi Google (që është kompania që zotëron dhe Blogger) nuk paska vënë në qarkullim një program të tillë, iu futa kërkimit dhe gjeta përgjigjen. Quhet Google Analytics dhe është një platformë për të mbledhur statistikat e përdorimit të një websajti, pavarësisht nëse është një blog apo websajt tradicional.

E rëndësishme është që blogu/websajti t'i përkasin personit që do të vërë në punë Google Analytics, meqë është e nevojshme të shtosh ca rreshta kod në faqet përkatëse (dhe vetëm administratorët e faqeve e kanë këtë të drejtë).

Unë e vura në funksionim për blogun tim, dhe brenda 24 orëve fillova të shikoj rezultatet, të cilat janë shumë të detajuara, ndoshta ngaqë janë menduar për t'u vlejtur personave që kanë interesa fitimi për websajtet e tyre (përmes reklamave nga AdGoogle).

Për ata që janë të interesuar për të vënë në punë Google Analytics, po tregoj hapat që nevojiten.

1. Në një faqe browseri hapni adresën: www.google.com/analytics

2. Në faqen e hapur, djathtas, keni mundësinë të logoheni me adresën tuaj të emailit (psh, emrijuaj@gmail.com).

3. Në faqen e re, klikoni butonin "Sign Up".

4. Vendosni URL e blogut/websajtit tuaj në rreshtin e treguar.

5. Do ju dalë një faqe e re e quajtur "Analytics: New Account Signup", këtu mjafton të vendosni vetëm shtetin (pa dhënë të dhëna të tjera) dhe do të kaloni në faqen e pranimit të licensës së programit. Këtu mos harroni të zgjidhni: Yes, I Agree.

6. Shtypni butonin "Create new account". Këtu do të ju dalë një faqe e re që përmban dy opsione. Klikoni tek opsioni "New Tracking Code (ga.js)". Do t'iu shfaqet një program i vogël (i quajtur skript, i shkruar në gjuhën e programimit JavaScript). Kopjojeni në ndonjë dokument bosh të gjithë kodin që ndodhet brenda katrorit.

7. Shtypni butonin "Continue" në fund të faqes. Me kaq mori fund procesi i rregjistrimit tek Google Analytics.

Ka ngelur dhe fare pak punë. Udhëzimet e mëposhtme janë për atë që kanë një blog tek Blogger.

1) Hapni blogun tuaj, siç e hapni zakonisht për të shkruar një postë të re.

2) Klikoni tek elementi "Layout" (e gjeni në pjesën e sipërme).

3) Klikoni tek elementi "Edit HTML".

4) Gjeni fundin e kodit HTML që do të shfaqet brenda katrorit, dhe pikërisht para rreshtit </body> kopjoni kodin Javascript që ruajtët në hapin e mësipërm 6).

5) Shtypni "Save Template".

Kaq ishte. Kjo që sapo bëtë, bën të mundur që sa herë të krijoni një postë të re, kodi HTML që krijon faqen të përmbajë automatikisht këtë kodin Javascript që shkon e i jep të dhëna Google Analytics, sa herë që dikush hap këtë faqe në blogun tuaj.

Mbas 24 orësh, logohuni sërish tek https://www.google.com/analytics/home/. Aty do të ju dalë një tabelë ku ndodhet lista e websajteve që keni nën vëzhgim. Klikoni tek "View Reports" dhe zhytyni në botën e statistikave që ju ofron Google Analytics.

Tena tek Parisi një dashuri pa fund ishte e interesuar për ato fjalë kyçe që bëjnë njerëz të panjohur të gjejnë faqen e blogut përmes një motori kërkues si Google. Meqë ajo kishte publikuar listën e vet, unë po vë këtu atë që mora unë për blogun tim. Për momentin, shprehjet duken të gjitha normale.




Bëfshi qejf duke gërmuar statistikat!

P.S. Kush ka pyetje ose probleme me vënien në funksionim, të lërë një pyetje dhe do të përpiqem të ndihmoj.

Saturday, June 7, 2008

Yes, we can!


Para disa ditësh takojmë në rrugë një të njohur shqiptar që na përshëndet:

- Ou, ku jeni ju mbështetësit e Obamës!
- Pse ti kë mbështet? - e pyes unë.
- Unë, unë jam i pavarur. Unë do të votoj për McCain.
- Po pse?
- Po nuk e njoh këtë Obamën, kush e di kush e ka sjellë aty ku është tani.
- Po pse nuk përpiqesh ta njohësh?

Por pyetja mbeti pa përgjigje. Sot m'u kujtua kjo bisedë kur një mik i këtij blogu më tha në një email që dhe ai do t'ia kishte dhënë votën McCain, dhe jo Obamës, megjithëse vetë ka bindje të majta. Arseja ishte e njëjtë, dinte pak për Obamën.

Sigurisht, i mirëkuptoj përgjigje të tilla. Dhe unë para shumë muajsh, kur ende nuk e njihja Obamën, më dukej e pamundur që dikush tjetër që nuk quhej Hillary Clinton, të fitonte kandidaturën e demokratëve. Por pastaj, brenda një nate dëgjova dy fjalime: një të Clinton dhe një të Obamës, dhe ndryshimi ishte si dita me natën.

Senatorja Clinton thoshte: "Më zgjidhni mua, sepse po të jem unë presidente, unë do t'ia arrij të bëj gjithçka." Senator Obama thoshte: "Motra e vëllezër, bashkojuni fushatës time, që së bashku t'ia ndryshojmë faqen këtij vendi." Një fjalim i tillë, që iu kujton njerëzve që demokracia nuk mund t'i lihet në dorë një grushti politikanësh në Washington, por që ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të çdo qytetari, është politika që unë mbështes. Dhe nëse Obama është në gjendje ta arrijë këtë, ashtu siç premton, vota ime është për të. Nuk ka për të qënë e lehtë, por nuk ka arsye të varrosim shpresën para se t'i kemi dhënë një shans për t'u provuar.

Motoja e Obamës në këtë fushatë ka qënë: Yes, we can!

Nëse keni 4 minuta kohë, ju lutem shikoni këtë video muzikore që përmban disa pjesë të atij fjalimi që entuziazmoi miliona amerikanë dhe mua, se NDRYSHIMI është diçka për të cilën ia vlen të përpiqemi dhe SHPRESOJMË.

Elementët muzikorë dhe realizimi i videos i përkasin Will.I.Am, një nga anëtarët e grupit "Black-eyed pea".

P.S. Nëse dikush do të nxitojë të më thotë, që sesi munda ta njoh Obamën me një fjalim, dua të mbrohem duke thënë që në këta muaj, kam lexuar të dy librat e shkruar nga Obama ("Dreams of my father" dhe "The audacity of hope"), si dhe kam ndjekur rregullisht të gjitha debatet, fjalimet, e artikujt për të dhe senatoren Clinton.



Tuesday, June 3, 2008

Qershori i sportit

E bukura e këtyre netëve të fundit ka qënë se pothuaj çdo natë mund të ndjek ndonjë event sportiv në TV. Nuk ka më mirë se të shikosh sport. Nuk e ke të nevojshme të përqendrohesh çdo minutë, komentatorët i dëgjon se çfarë thonë dhe duke lëvizur nëpër shtëpi, dhe ndërkohë mund të punosh në kompjuter e të ngresh kokën sa herë ka ndonjë moment emocionant. Sigurisht, një dendësi eventesh cilësore sportive si ky i ditëve të fundit është thjesht një rastësi, që ndoshta është mirë, që e shijojmë vetëm me raste.

Kështu, në Paris janë në zhvillim e sipër dy javët e Roland Garros-it, dhe turneu është më tërheqës se shumë herë të tjera. A do të mundet më në fund Federer të triumfojë mbi Nadal dhe të fitojë të vetmin Grand Slam që i mungon? Çfarë do të ndodhë kur dy pasuesit e afërt të Federer, Nadal dhe Djokovic do të takohen në gjysëm-finale? Dhe kush nga femrat e ngelura ende në garë, pas largimit surprizë nga tenisi të kampiones në fuqi Justine Henin, eliminimit të hershëm të motrave Williams, si dhe humbjes dramatike në raundin e katërt të Maria Sharapovës do të kurorëzohet fituese?

Në anën tjetër të Atlantikut, pas një sezoni të shkëlqyer basketbolli, dhe 20 ndeshjeve play-off që na bënë me zemër, Celtics rikthehen në finalen e NBA pas 21 vitesh, dhe do të ndeshen me rivalen e tyre të vjetër, Los Angelos Lakers. Pak dihet në fakt, që rivaleria mes këtyre dy skuadrave është më e vjetra në historinë e NBA. Ato janë ndeshur 11 herë në finale kundër njëra tjetrës, dhe të dy ekipet mbajnë rekordin e titujve kampionë, me respektivisht 16 dhe 14 tituj. Takimi i parë do të zhvillohet të enjten, me 5 Qershor dhe ndeshjet do të vazhdojnë derisa njëri ekip të arrijë 4 fitoret e duhura. Go Celtics!

Së fundi, prej ditësh stacioni sportiv ESPN na ushqen me reklama për Europianin 2008. Pavarësisht që futbolli (ose soccer, siç e quajnë amerikanët) nuk futet në sportet e preferuara të amerikanëve, siç duket interesi ka qënë i tillë që ta shtyjë ESPN që të blejë të drejtat e transmetimit për të gjitha ndeshjet e Europianit. Për fat të keq oraret e transmetimit bien gjatë orarit të punës, por shpresoj që në darkë të mund të ndjek përmbledhje të ditës. Dhe pastaj, ngelet gjithnjë fundjava. Po ndahem duke iu lënë me spotin më të transmetuar, të realizuar për skuadrën italiane, një spot që me humor ka kapur saktë perceptimin që kanë të gjithë tifozët jo-italianë për futbollin italian.



Nëse jeni të interesuar, ESPN ka prodhuar dhe spote për Gjermaninë, Greqinë, dhe Portugalinë.

Shikim të këndshëm!