Tuesday, September 16, 2008

Në atdhe (1)

Avioni i Lufthansës zbriti në pistën e Rinasit në mbrëmje vonë, dhe shumë shpejt e gjeta veten në një autobuz të ri e shumë të gjerë, i cili përshkoi në sekonda pak metrat që na ndanin nga salla e hyrjes. Mendova që në aeroportet e huaja, rruga që duhet të bësh nëpër tunelet portativë që lidhin avionët me aeroportin është shpesh më e gjatë se rruga që përshkoi autobuzi. Kështu që e vetmja gjë për të cilën mund të ankohesh në këtë rast është që shkallët e avionit duhet t'i zbresësh e ngjisësh vetë. Për të moshuar dhe të sëmurë diçka jo shumë e volitshme. Por ndoshta së shpejti do t'i vijë rradha dhe tuneleve portativë, sepse Rinasi modernizohet nga viti në vit.

I yni ishte avioni i vetëm në atë orë të vonë, ndaj dhe rradha e pasagjerëve para sporteleve të kontrollit të pashaportave ecte shpejt. Gjysma ndodheshin para sportelit të shtetasve të huaj, dhe teksa shikoja fytyrat e tyre tipike shqiptare, përpiqesha të përfytyroja se çfarë mund të ndjenin ata kur u duheshin të hiqeshin si të huaj para bashkëkombasve, vetëm se mbajnë një pashaportë të një shteti tjetër. Unë vetë nuk kam një të tillë, po gjithnjë e kam pyetur veten: a thua është e lejueshme t'i përdorësh të dyja pashaportat njëkohësisht? Atë shqiptaren për të hyrë e dalë nga Shqipëria, dhe atë të huajën për të hyrë e dalë kudo tjetër. Se tekefundit, kush është kuptimi i dyshtetësisë nëse nuk përdor dot më as pashaportën e vendit të lindjes kur udhëton për aty? Po se ç'kam një frikë që më thotë që autoritetet e shtetit natyralizues nuk e kanë qejf përdorimin e pashaportës kombëtare. Sepse ata duan t'i mbajnë nën kontroll vulat e hyrje-daljeve nëpër botë, sidomos të shtetasve të natyralizuar. Jetojmë në paranojën e post 11 Shtatorit.

Policja në sportel më priti me buzëqeshje dhe më uroi mirëseardhjen teksa vuloste pashaportën. Kur po largohesha, një polic më thirri gjithë mirësjellje të më tregonte që diçka më kish rënë nga libri që mbaja në dorë. Tek merrja nga toka fletën që kish rrëshqitur nga libri, i buzëqesha gjithë mirënjohje policit që ishte treguar aq i vëmendshëm. Fleta ishte vërtet shumë e rëndësishme për planin që kisha bërë për të nesërmen, dhe e dija që do të isha mërzitur pa masë kur të mos e gjeja më mes faqeve të librit.

Ndërkohë, valixhet e para kishin filluar të rrotulloheshin në konvejerin në sallën e bagazheve. Dikur dolën dhe dy valixhet e mia, të rënda nga pesha e porosive të shumta për anëtarët e familjes. Tërë shpresë u drejtova në këndin ku ndodhej në varg i gjatë me karroca. Marr të tërheq një dhe teksa nuk lëvizte shikoj se kishte nevojë për një monedhë 50 lekëshe. Hmm. E dija shumë mirë që nuk kisha asnjë monedhë të asnjë devize në portofol. Modernizimi ka dhe kufizime. Ndoshta pasi janë zhdukur shumë karroca, administruesit e aeroportit kanë menduar këtë trikun e monedhës. Sigurisht që karroca me monedha ka dhe në aeroportet e SHBA-së. Arsyet mund të jenë të njëjta. Në ditët e caktuara për marrjen e plehrave (në zonat rezidenciale çdokush ka kazanët e tij që i nxjerr në buzë të trotuarit një herë në javë), mund të shikosh plot njerëz të varfër, që me një karrocë nga ato të supermarketeve (apo aeroporteve?) lëvizin me ngadalë nga një kazan në një tjetër, për të kërkuar për gjëra me vlerë. Por të paktën këta nuk e zbrasin përmbajtjen e kazanëve përtokë duke nxjerrë e hapur në shesh çdo gjë nga qeset, siç do të shikoja në ditët në vijim kërkuesit e kanoçeve në kazanat e plehrave të Shqipërisë.

Me ca akrobaci, duke u përpjekur të balancoja çantat që kisha në kurriz me dy valixhet që duhet të shtyja me duar (jam e lumtur që janë shpikur valixhet me rrota), arrita të lija pas sallën e madhe të bagazheve dhe të gjendesha para dyerve rrëshqitëse që të nxjerrin në sallën e pritjes. Ndjesia ishte vërtet alarmuese. Unë e vetme, (kisha ngelur e fundit fare ndërsa kryeja akrobacinë) përpara një turme prej mbi një qind vetash që rrinte pas kordonit pengues. E pamundur të gjeja fytyrat e të dashurve të mi. Vetëm djem që më pyesnin nëse kisha nevojë për taksi më dilnin para syve. Por dikur dallova prindërit dhe e kuptova që kisha mbërritur në atdhe.

(vijon - sigurisht, kur të kem kohë)

10 comments:

eni said...

flm per rrefimin e shpejte:)
shume e drejte ajo "modernizimi ka dhe perkufizime":)

presim vazhdimin kur te kesh kohe per te marre fryme;)
hugs

tetena said...

une kam pashaporte te jashtme dhe me thene te drejten dua ta marr shqiptaren, e vjetra ka skaduar, por nuk kam fare kohe.
Heren e fundi ne atdhe sigurisht bera rradhen e te huajve veç kur duhet te paguaja taksen, ajo teta me tha - 'hajde mi goce se te kemi tonen', dhe nuk pgova gje. Mu be qejfi me thene te drejten jo per te hollat, qe mbase me mire t'i paguaja, por per ate 'te kemi tonne' sigurisht.

Na humbe nga syte goce dhe na bere merak!

belle_fleur said...

Mireseerdhe! Na kishte marre malli per shkrimet e tua, se kane nje element te vecante kur i shkruan, dhe per me teper ky shkrimin narrativ me emocione shqiperie.

Uroj qe te kesh kaluar bukur ne memedhembje.

pres vazhdimin :)

GOMARI ATEIST said...

"po dikur dallova fytyrat e prinderve te mi dhe kuptova se kisha mberritur ne atdhe"

kjo me rrenqethi.

komentet e tjera ne vazhdim

URDHRI I SHENJTE "PIDHRA" said...

NA duhesh NA

drejt tropojes said...

bukur mbyllja e fillimit te rrefimit! mirese u riktheve ne blog dhe bashkohem me te tjeret, ne pritje te rrefimit...

Julius said...

E, ku je?
Dil. Duku.

eni said...

vertet. missing you

ah said...

që na more të pa diturën

eni said...

e paditur na ka marre malli.kur do te na kthehesh?