Tuesday, May 20, 2008

El amante albanés

Tek ecja përgjatë stendave me prurje të reja në bibliotekën e universitetit, më zënë sytë një kopertinë bardhekuqe me titullin "The Albanian Affairs". E çuditur marr në dorë librin dhe e hap në faqen e parë, ku lexoj:

Krisma kumboi përmes qetësisë së shtëpisë në orën gjashtë e një çerek, herët në mëngjez. Të gjitha vilat mes Bulevardit të Martirëve dhe Rrugës së Elbasanit qenë ndërtuar para luftës dhe ishin mes banesave të pakta në Tiranë që rrethoheshin me kopsht.

Pra ngjarjet na u zhvillokan në Tiranë, them me vete. Hidhem në fund të librit të lexoj për autorin. Mësoj që është një spanjolle, Susana Fortes (lindur në 1959), e cila ka konkurruar me këtë libër në vitin 2003 në çmimim letrar spanjoll "Planeta" ku është renditur e dyta duke fitur shumën prej 172.000 dollarë. Në xhaketën e librit lexoj përmbledhjen e mëposhtme:

Nën diktaturën e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte shteti më i izoluar dhe paranoid i Europës, ku jeta mund të jetohej vetëm në bashkëfajësi me tiraninë e saj, ose në rezistencë klandestine. Vila e heroit të shtetit Zanum Radjik në Rrugën e Elbasanit në Tiranë ështe një shtëpi e shumë sekreteve. Në një mur varet portreti i gruas së vdekur të Zanumit, emri i të cilës nuk ishte dëgjuar kurrë në atë shtëpi. Ajo ishte nëna e dy djemve të tij të ndryshëm, dhe pamja e vështrimit të saj përbën një dëshmi të heshtur për vdekjen e saj misterioze të shumë viteve më parë, kur Ismaili, më i vogli, ishte vetëm pesë vjeç. Në këtë shtëpi pa gra, Viktori - djali i madh, i preferuari i të jatit, ka sjellë si nuse të tij një vajzë fshatare të re e të bukur, Helenën. Por vëllezërit Radjik kanë zgjedhur rrugë të ndryshme nderi, duke ndjerë me dhimbje distancën në rritje mes tyre. Dhe kur Ismailin e pushton një pasion i parezistueshëm për Helenën, ai është i detyruar të zhvarrosë më në fund të vërtetat e fshehura prej shumë kohësh dhe krimet dinake që helmojnë të gjithë jetët e tyre. "The Albanian Affairs" është një ekspoze mbërthyese e shtypjes psikologjike, një histori sensuale por e trishtuar e dashurisë së ndaluar, dhe një tragjedi shembullore që ushton pamëshirshëm sikur të vinte prej duarve të Eskilit.

E intriguar nga ky përshkrim dhe fakti që një autore e huaj shkruan për Shqipërinë, nxitova të lexoj romanin. Shumë shpejt kuptova se pse ky libër ka marrë një çmim në Spanjë. Zanum Radjik (emër që çuditërisht nuk tingëllon fare shqip) kishte qënë komandant i brigadës shqiptare në Luftën Civile të Spanjës. Në momentin që ai largohet nga Spanja rrëmben një vajzë 15-vjeçare të lënë jetime nga lufta dhe e sjell në Shqipëri, duke u martuar me të pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Kjo spanjolle është nëna e dy djemve, Viktor dhe Ismail.

Gjatë leximit të librit, çdo shqiptari do t'i binte në sy sa shumë gjëra di autorja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndoshta ajo ka lexuar dhe shumë libra të Kadaresë dhe ndoshta si një homazh për të i ka quajtur dy personazhet kryesorë: Ismail dhe Helena, si dhe një personazh të tretë Gjorg - si personazhi kryesor i romanit të Kadaresë "Prilli i thyer", të cilin autorja ja vë në duar në një moment Helenës, meqë ngjarjet zhvillohen në vitin 1980, vit kur është botuar dhe ky roman. Dhe paralelet me "Prillin e thyer" nuk mbarojnë këtu. Helena është një vajzë nga malësia (nga një fshat i quajtur Rrafsh), që është martuar me "fishek në pajë". Kanuni (i përmendur me këtë emër në libër) gjen gjithashtu vend në roman, si dhe koncepti i thyerjes së besës.

Nga ana tjetër, shumë nga ngjarjet e tjera më bënë të besoj që personazhi kryesor është modeluar mbi figurën e Mehmet Shehut (qoftë pjesëmarrja në Luftën e Spanjës, qoftë vetëvrasja në fund të librit). Pas ca kërkimeve në Internet, zbulova që njëri nga djemtë e Mehmet Shehut, Besnik Shehu, jeton prej vitesh në Spanjë, dhe kjo mund të ketë bërë të mundur një njohje të tij personale me autoren. Nga leximet në Internet gjeta edhe që shumë fakte në libër (për mua të panjohur) ishin shkëputur vërtet nga jeta e Bashkim Shehut. Ai kish pasur një dado me shtetësi të huaj (në roman thuhet që ajo është hungareze, Bashkim Shehu në këtë artikull thotë thjesht që ishte e huaj). Pasi Bashkim Shehu kish dalë nga burgu, ai kish kërkuar për vite me rradhë varrin e të atit që mendohet të ishte varrosur diku në Ndroq. Dhe në fakt fshati Ndroq dhe varret e tij misterioze zënë një vend të rëndësishëm në roman. Ndërkohë, një personazh në libër, student filozofie, quhet Vladimir Hazbiu, djali i një të pushkatuari në 1973. Ky emër duket që është krijuar nga bashkimi i emrit Vladimir (vëllai i Bashkim Shehut, i vetëvrarë në burg) dhe mbiemri i Kadri Hazbiut, që në fakt nuk u vra në 1973, por më vonë.
Megjithëse romani ka plot momente lirike dhe përshkrime letrare, kur vjen puna për fakte reale, duket sikur ato të jenë marrë direkt nga përshkrimet e dikujt tjetër, dhe thjesht janë stilizuar më mbrapa. Një pasazh:

Reagimi ndaj bllokut sovjetik prej rregjimit të Hoxhës nuk vonoi gjatë. Persekutimet filluan në Tiranë dhe u shtrinë brenda një kohe të shkurtër në të gjithë vendin. Shumë shqiptarë u rrëmbyen prej vendeve të punës, ose u arrestuan në shtëpitë e tyre dhe u transferuan në zyrën e përgjithshme të sigurimit. Të tjerë u zhdukën pa mundur që të afërmit të gjenin ç'ndodhi me ta, humbën, u fshinë nga faqja e dheut, dhe për ta vetmia do të ishte thellësia e errësirës, nata e heshtur.

Çka më la mua një shije të hidhur, ishte përshkrimi i një revolte studentore, ku qindra studentë të mbledhur nga gjithë Shqipëria demonstruan në rrugët e Tiranës me parrullat "Liri e Demokraci", dhe më pas u rrethuan, rrahën, e izoluan nga Policia dhe Sigurimi.

Ndoshta nuk ka ndonjë gjë të keqe që autorja ka marrë një fakt të vitit 1990 dhe e ka spostuar në vitin 1980, por përshkrimet e mëparshme të dhëna në roman, të bëjnë si lexues (aq më tepër nëse je i huaj), të mendosh që këta qindra studentë pësuan fatin e disidentëve të mëparshëm: ose u burgosën, ose u pushkatuan, ose u zhdukën pa lënë gjurmë. Besoj që një lexues i huaj nuk është në gjendje kështu të bëjë dallimin mes një junte ushtarake si ato të Argjentinës dhe Kilit, ku me mijëra njerëz dhe sot e kësaj dite konsiderohen të zhdukur, dhe një qeverie totalitare komuniste. Kjo e fundit, nuk kishte asnjë arsye të zhdukte njerëz në mënyrë misterioze, aq më tepër kundërshtarët e saj. Ata ajo i kthente në "Armik numër një", i përdorte si mjet propagande për të treguar nga njëra anë "vigjilencën e partisë dhe popullit" dhe nga ana tjetër për të frikësuar çdokënd që mund të vazhdonte të kishte idera të tilla.

Ndaj po e mbyll me një pyetje për ju miqtë e mi: a qe e mundur në këto 18 vite demokraci të përpilohej ndonjëherë një listë e saktë e njerëzve të zhdukur për arsye politike? Po zhvarrosjet e Ndroqit, a nxorën në dritë "armiq" të panjohur, apo vetëm ata që të gjithë e dinin se prej kujt dhe si kishin vdekur?

Post Scriptum

Nëse nuk keni ndërmend të lexoni romanin, këtu mund të gjeni një përmbledhje të të gjithë ngjarjeve në roman. Një artikull tjetër gjendet këtu.

Kopertina e librit është një pikturë e një artisteje kosovare, Zake Prelvukaj. Ajo ka shumë punime interesante, që mund të shikohen këtu.

Përveç botimit në spanjisht dhe anglisht, libri është përkthyer dhe në italisht, me titullin "Gli Amanti".

9 comments:

drejt tropojes said...

shume interesant libri. faleminderit per rekomandimin e dobishem, e paditur!
Pershendetje!

Krasta Krau said...

Pershendetjet... Kam marre si gjysem vjedhurazi kete pjesen dhe e kam publikuar ne blogosfere ne gazete, sigurisht bashkangjitur reverences nga e kam marre... shpresoj te mos e kem shkelur rende...
Te pershendes

e paditur said...

Përshëndetje Krasta,

unë t'a kam dhënë lejen që herën e parë, ndaj s'ka nevojë të më kërkosh leje gjithmonë.

Them që libri është interesant për shqiptarët, dhe çuditem që nuk është përkthyer dhe botuar ende në Shqiptëri.

eni said...

flm qe e solle ketu e paditur!

drejt tropojes said...

pershendetje! te ftoj per nje veshtrim andej nga qoshja ime!

Anonymous said...

mbase gaboj veç kam pershtypjen qe konkluzioni jot eshte qe libri nuk eshte shume realist dhe ne fund te fundit pershkruan jeten e dikujt qe ishte krahu i djathte i diktatorit per sh kohe?

e paditur said...

Tetena, në fakt unë nuk kam nxjerrë asnjë lloj konkluzioni, po kam vënë në dukje fakte që munda të mbledh dhe që më bënë përshtypje. Nuk besoj që Bashkim Shehu ka faj për ato që ka bërë i ati, ndaj nuk mendoj që historia e tij nuk e meriton të tregohet. Aq më tepër që figura e babait të tij në libër nuk është përshkruar me simpati.

Nga ana tjetër, nuk e kam shumë problem faktin që romani nuk është shumë real. Unë doja ta përdorja si një pikë starti për të filluar një dialog mbi të vërtetën, që më duket se nuk do ta mësojmë dot kurrë: dmth, sa vetë u zhdukën gjatë diktaturës, kush janë ata, kush qenë atentatorët, spiunët, gjykatësit e tyre, a ka diku një muze apo libër që tregon të vërtetën, dhe jo sajime e përralla, e pyetje të tjera të tilla.

edrus said...

Unë doja ta përdorja si një pikë starti për të filluar një dialog mbi të vërtetën, që më duket se nuk do ta mësojmë dot kurrë: dmth, sa vetë u zhdukën gjatë diktaturës, kush janë ata, kush qenë atentatorët, spiunët, gjykatësit e tyre, a ka diku një muze apo libër që tregon të vërtetën, dhe jo sajime e përralla, e pyetje të tjera të tilla.
Këtë pyetje ja kam bërë edhe unë vehtes dhe të tjerëve e Paditur... në rastin më të mirë më është përgjigjur ndonjë, si shoqja ime Tetena, duke më "akuzuar" si komunist :P.
E imagjinoj këtë libër të lexuar pas disa vitesh nga fëmijët e Tetenës dhe, ata duke e marrë si "burim historik" të mirfilltë këtë libër, do të fillojnë ti shtojnë historisë shqiptare të tjera data dhe nja 20 të persekutuar të tjerë ;)... vetëm se 172000 euro s'besoj se do të kenë shancin ti fitojnë

e paditur said...

edrus, faleminderit për komentin. Të paktën nuk qënkam vetëm në shtrimin e pyetjeve të tilla, dhe ky është një ngushëllim. Megjithëse fakti që askush tjetër nuk u përgjigj, tregon se për shumicën vërtet kjo është një temë e padëshiruar?, e tejkaluar?, shumë e politizuar? etj. etj.

Mua më duket e frikshme që ka romane që lexon bota për Shqipërinë dhe krijon të vërtetën e vet, ndërkohë që ne shqiptarët as nuk e dimë të vërtetën dhe as nuk duam që ta kërkojmë.