Friday, May 16, 2008

Shqiptarë në SHBA

Dëgjojmë shpesh të thuhet: qindra mijëra shqiptarë kanë emigruar pas 1990-ës nga Shqipëria, por askush nuk është në gjendje të japë qoftë numrin e saktë të të larguarve, qoftë shpërndarjen e tyre në vende të ndryshme të botës. Meqë jetoj në SHBA, vendosa të kërkoj për statistikat e shqiptarëve këtu. Për fat të keq, rregjistrimi i fundit i popullsisë këtu është bërë në vitin 2000, dhe i ardhshmi pritet të jetë në 2010. Pra shifrat e mëposhtme i përkasin vitit 2000, megjithëse ne mund të bëjmë ca përafrime për ditët e sotshme.
Sipas të dhënave nga Zyra e Rregjistrimit të SHBA (US Census Bureau), në vitin 2000 kishte 38665 individë të lindur në Shqipëri që jetonin në SHBA. Nga këta, 8530 individë (22%) janë naturalizuar (kanë marrë shtetësinë amerikane), pjesa tjetër ende nuk e ka këtë shtetësi. Ndërkohë, 83% e gjithë individëve (në total 32075) janë futur në SHBA pas vitit 1990, vit kur dhe filloi llotaria amerikane. Nëse shqiptarët kanë ruajtuar këto ritme të futjes në SHBA, atëherë ne 2010 do të jenë rreth 70000 shqiptarë që jetojnë në SHBA. Sidoqoftë, duhet të vëmë re që statistika përfshin vetëm ata shtetas që janë lindur në Shqipëri, dhe jo etnikët shqiptarë të lindur jashtë kufijve.

Për të qeshur
Siç duket një pjesë e personave të intervistuar nuk janë shumë të qartë për konceptin e racës. Konkretisht, megjithëse të tërë individët janë lindur në Shqipëri, vetëm 87.5% kanë deklaruar që janë "të bardhë". 80 individë kanë deklaruar që janë të zinj, 10 indianë të Amerikës, 75 aziatikë, 125 të një race tjetër, dhe 4560 që janë të përzierë (2 ose më shumë raca). Mos këta të fundit mendojnë që po ta kesh nënën nga Elbasani dhe babain nga Lushnja je dy-racor? Ndryshe nuk e shpjegoj dot këtë numër të lartë.

Për të reflektuar
Flitet shumë që po na largohet truri nga Shqipëria. Në fakt, vetëm 24.4 përqind e shqiptarëve që jetojnë në SHBA dhe janë mbi 25 vjeç (në total 6285) kanë një diplomë të shkollës së lartë. Nuk dihet nëse këta persona e kanë marrë këtë diplomë në Shqipëri apo SHBA. Fare mirë mund të jetë që shumë prej tyre të jenë larguar në moshë të re nga Shqipëria dhe të kenë studiuar në SHBA.

Për t'u trishtuar
Nëse mediani i të ardhurave vjetore për një entitet (individ ose familje) në Amerikë është 42000 $, kjo vlerë për shqiptarët është 31000 $ (të dy vlerat janë për vitin 1999 kur është bërë rregjistrimi). 8660 individë jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë (fitime vjetore nën 15000 $ në vit). Vetëm 27% e entiteve (në anglisht, "households") fitojnë mbi 50000 $ në vit, dhe mund të quhen pjesë e klasës së mesme amerikane. Shifrat flasin vetë. Shumica e shqiptarëve të emigruar në SHBA ende nuk ka mundur të realizojë ëndrrën për një jetë më të mirë.

11 comments:

Anonymous said...

Nuk më gjen dakort mbyllja. Sigurisht, që të jetosh , qoftë dhe në Amerikë, me pak më pak se 15.000 dollarë në vit, nuk besoj se mund të thuhett se nuk kanë realizuar ëndërrën për një jetë më të mirë. Mund të thuhet se janë akoma larg realizimit të ëndërrës së pasurimit, por assesi kjo, nëse marrim parasysh se si jetojnë shumica e shqiptarëve, pas në atdhe. Gjithsesi, të përgëzoj për hollësitë që jep dhe për kujdesin ti mbledhësh ato.

drejt tropojes said...

postimi eshte interesant dhe domethenes. a jane perfshire ne shifra, shqiptaret qe jetojne ilegalisht, pa dokumente dua te them, ata qe kane hyre pa vize dhe pa llotari ne SHBA?

e paditur said...

Ago, sigurisht që dikush që ka qënë i varfër në Shqipëri mund të besojë që 15000 $ në SHBA janë një hop cilësor në përmirësimin e jetesës. Por unë mund të thoja që "sipas vendit, bëhet kuvendi". Dikur ishe i varfër në Shqipëri, tani je i varfër në Amerikë. Statusi yt social nuk ka ndryshuar, përsëri ke ngelur në bisht, dhe përsëri duhet të shikosh me trishtim se si gjithë ata të tjerë rrethepërqark bëjnë një jetë më dinjitoze. Sepse 15000 $ në Amerikë do të thonë që ti jeton në ndonjë pallat që po bie brenda në ndonjë lagje ku sundon kriminaliteti. Që nuk ke mundësi për shërbime shëndetësore, që nuk i edukon dot fëmijët duke iu ofruar libra, internet, e kurse jashtëshkollore. Që nuk je asnjë ditë i sigurtë që çfarë sjell e nesërmja.

Të jesh i pasur në Amerikë duhen shumë, shumë para. Ajo çka unë dëshiroj për shqiptarët, është që të arrijnë medianin kombëtar të të ardhurave vjetore (në 2006 ishte 48000 $), që të paktën fëmijët e tyre të kenë një bazë të sigurtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Tropoja,
në Amerikë ka statistika të sakta dhe për ilegalët, dhe në fakt numri i tyre është pjesë e të gjitha statistikave që ofrohen në Amerikë. Unë njoh plot shqiptarë që janë ilegalisht në SHBA, por që kanë një numër taksash, që i lejon të punojnë dhe të përfitojnë plot shërbime të tjera. SHBA është shumë më liberale se Europa me ilegalët, megjithëse herë pas herë ka fushata anti-emigracion për qëllime politike.

Selfmaderadio said...

Sot lexova nje artikull mbi statistiken qe thoshte: asnje statistike nuk eshte e sakte. POR, njerezve, nje numer jo i rrumbullakosur, si psh, 38665 shqiptare te lindur, i bind me shume se numri 39 mije shqiptare te lindur. M'u duk shume interesant kjo psikologjia e njerezve mbi vertetesine. Nje shkencetar i mire, htoshte artikullshkruesi nuk eshte ekzakt, por di te parashikoje dhe interpretoje trende. Psh, qe ne vitin 2100 do jene rreth 70 000 shqiptare ne Amerike.
I referohej Pastaj Fermit, gjenialiteti i te cilit ishte jo tek ekzaktesia, por tek te ndjerit (llogjikiht) se ne cfare rendi do te ishte madhesia e numrit, ngjarjes qe akoma nuk kishte ndodhur, apo edhe kishte ndodhur. Dhe, rrefenjat thone, se ka pasur gjithmone te drejte (por, supozoj, se artikullshkruesi ketu nuk i referohej numrit ekzakt te rrefenjave, por rendit te tyre :))

e paditur said...

Self, unë u çudita me të gjithë shifrat që ofron US Census. Ata duken që bëjnë një punë kolosale për të mbledhur të dhëna sa më të sakta (në 2000 kanë harxhuar miliarda dollarë për këtë punë). Kjo sepse detyra e rregjistrimit të popullsisë është në kushtetutë dhe ata e marrin seriozisht, shumë seriozisht kushtetutën.

Psh, në 1 Prill 2000 jetonin në SHBA: 281,421,906 njerëz.

Me sa kuptoj unë, këta nuk bëjnë "sampling" për të nxjerrë numrin, por çojnë formulare në çdo banesë, dhe nëse nuk marrin përgjigje, çojnë zyrtarë për të intervistuar direkt. Sidoqoftë ata përdorin "sampling" për të dhënat e tjera, si niveli i edukimit, kushtet e banesave, etj., pasi kanë dy tipe formularësh: një të shkurtër (pak pyetje), dhe një shumë të detajuar. Këtë të detajuarin ua çojnë vetëm 1/6 të popullsisë dhe pastaj extrapolojnë.

Po të kesh kohë, ka një artikull që shpjegon në detaje procesin ketu.

Julius said...

"""Ndërkohë, 83% e gjithë individëve (në total 32075) janë futur në SHBA pas vitit 1990, vit kur dhe filloi llotaria amerikane."""

Mendoj se te ky fakt i mesiperm shpjegohet varferia e komunitetit.
Po te llogaritesh qe arsyet kryesore te emigrimit kane qene ekonomike dhe pas krizave te medha.
Valet e emigranteve kryesisht verehen ne fillim te viteve 90' dhe pas trazirave te 97'.
Datimi i rregjistrimit ka ndodhur ne vitin 2000 dmth nga 3 deri ne 10 vjet kemi 83% te komunitetit ne Amerike.

Cfare mund te arrish si komunitet vetem ne 10 vjet e shumta?

Gjykimi se nuk e kane plotesuar endrren per nje jete me te mire, eshte shume relativ. Nese krahasojme
Amerike vs Shqiperi
dhe
enderr vs jete me e mire.

Gjithsesi mu kujtua nje barcalete; kur e pyeten nje lyps se cila ishte endrra e tij me e madhe u pergjigj: Dua te behem lyps ne Paris!!


Po te mos kishim nje komunitet shqiptar qe para viteve 90' ne Amerike, veshtire se do na degjohej zeri ndokund. Mendimi im, se
gjendjen e organizimit tuaj nuk e di dhe vec neper faqet zyrtare te organizatave, askund nuk kam pare nje pershkrim se si dhe sa jeni te organizuar.

e paditur said...

Julius, shume faleminderit per te dy komentet, dhe sidomos per diskutimin etimologjik. Per momentin e kam te pamundur te shkruaj gjate, por premtoj qe do te mendoj per ato qe ke shkruar, dhe ne darke do te komentoj.

Pershendetje!

Selfmaderadio said...

E paditur,

edhe une mendoj se 10 vjet jane shume pak per t'u integruar per nje komunitet si ai shqiptar qe vjen nga nje realitet kaq i ndryshem se ai amerikan. Behet fjale per njerez qe erdhen nga nje sistem te izoluar ndaj teknologjise dhe dijes globale, qe edhe se ndoshta kishin mbaruar unversitetin shqiptar ishin teresisht jokompatibel per shtetin e ri. Une kam shkruar dikur nej ese per komunitetin shqiptar-kosovar ne Zvicer, dhe me duket se pavarasisht karakteristikave specifike, fenomeni eshte shume i ngajshem. Nuk e di ne se e ke lexuar, po ta jap lidhjen:

http://selfmaderadio.blogspot.com/2007/09/delja-e-zese-mes-nesh-versioni-i-plote.html

e paditur said...

Julius, Self, keni të dy të drejtë kur mendoni se 10 vjet janë pak për të arritur diçka, sepse të dy ju bazoheni në eksperiencat tuaja respektive ne Greqi dhe Zvicër. Por Amerika është ndryshe, këtu emigrantët (sidomos ata me Green Card) mund të vendosen ku të duan dhe të fillojnë punë që në ditën e parë, të hapin biznese, të marrin kredi, etj. Unë kam jetuar në Europë dhe e di sesi shihen emigrantët atje, sesi u duhet të rinovojnë lejet e qëndrimit çdo vit, që s'marrin dot një kredi, e me rradhë.

Amerika është vërtet vendi i mundësive. Dhe në fakt ka shqiptarë që ja kanë dalë të ndërtojnë biznese, të blejnë shtëpia e të kenë disa makina, sepse kanë punuar fort (dhe disa kanë pasur të ardhura që para se të vinin në Amerikë).

Nëse një pjesë e madhe nuk ja kanë arritur është mendoj unë për dy arsye: gjuha dhe edukimi (Self, i ka përmendur këto). Ata që kanë ardhur në moshë të madhe, dhe sot e kësaj dite e flasin keq gjuhën angleze. Ata që nuk kanë pasur edukim të lartë në Shqipëri, kanë mundur të gjejnë vetëm punë mëditëse (dmth, me orë) në sektorët e shërbimit.

Besoj që një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë ardhur për një të ardhme më të mirë për fëmijët, dhe nëse ata do të shkollohen, besoj që situata e familjeve shqiptare do të ndryshojë brenda disa viteve. Ndaj pres me kuriozitet si do të jenë shifrat për 2010. Kam besim se shumë familje do të ja kenë dalë mbanë.

Dhe diçka e fundit. Në Amerikë nuk ka asnjë lloj fobie ndaj shqiptarëve (apo kosovarëve) siç mund të ketë në Greqi apo Zvicër. Këtu ne jemi po aq të respektuar, sa të gjithë europianët e tjerë, të paktën unë vetë s'kam arritur të ndjej ndonjë lloj diskriminimi.

Sa për pyetjen e Juliusit për organizimin e shqiptarëve, nuk di ndonjë gjë. E di që shqiptarët mblidhen, sidomos në raste festash, po unë vetë nuk kam frequentuar festa të tilla.

Anonymous said...

artikull sh interesant. Te dhena te tilla nuk ekzistojne ne France ku ne emer te te drejtave te njeriut nuk ka statistika ne lidhje me origjinen/racat.

Po ne France komuniteti shqiptar - jemi akoma ne anonima !

Anonymous said...

me dhene statistikat per racat ne france, plas lufta. ti , psh, qe nuk je franceze ma fshive nje postim timin duke me çuar dhe e-mail, si shkrim racor e qe bie ndesh me ligjin a ku di une. keshtu si ti bejne te gjithe. megjithese kjo nuk e permireson situaten por vetem e shtyn.

sidoqofte perpara zgjedhjeve presidenciale, u dha per here te pare nje shifer, qe ben frike. ne france ka gati 1 MILION e 800 MIJE njerez me ngjyre, te afte per votim, dmth mbi 18 vjeç. (ketu futen teritoret matane detit)

shtoi ketyre tre kater ose me shume femije dhe perfton nje shifer akoma me te madhe.