Friday, May 30, 2008

Lajthitje gazetareske

Sot, një nga artikujt e faqes së parë në website-n e gazetës SHQIP titullohej:"Atentat" në kufijtë e artit (ose varianti anglez i Kledi Kadiut).
Meqë nuk e dija as se çfarë kish ndodhur konkretisht me Kledi Kadiun, gjeta fillimisht një njoftim të shkurtër ky përshkruhej incidenti i tij me disa individë italianë, që sipas tij kishin përdorur shprehje raciste. E pajisur me këtë informacion, prisja që dhe në Angli të kish ndodhur diçka e ngjashme me ndonjë artist tjetër shqiptar. Por ajo që lexova, më bëri të çuditem pamasë me papërgjegjshmërinë në njohjen e mbështetjen e ligjit nga ana e SHQIP-it. Po le të shohim shkurtimisht ç'përmban artikulli:

- Policia angleze ka kthyer në Shqipëri skulptorin Gëzim Hidri sepse ndodhej pa leje në Angli.
- Hidri po punonte në një mozaik që paraqiste miliarderin rus Abrahamovic.
- Megjithëse askush nuk ia ka komisionuar këtë vepër, ai shpresonte t'ia shiste atë Abrahamovicit për 5 milionë paundë.
- Hidri paska plot oferta bashkëpunimi nga Australia, Egjipti, etj.
- Vite më parë, Hidri ka punuar dhe bile ka hapur ekspozita në Greqi.
Dhe më pas vazhdon një paragraf i mbushur plot me me fakte (ose aludime) shumë shqetësuese.

Në Greqi, ksenofobët grekë do ta vinin në shënjestër, duke linçuar punën e shqiptarit. Ata brenda një nate arritën t‘i vjedhin 21 punime skulpture vetëm e vetëm se ato ishin prodhuar nga dora një shqiptari. Kjo ndodhi nuk e dekurajoi artistin librazhdas. Së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat Anxhela dhe Armenisa, do të nisnin një emigrim të ri tashmë drejt "eldorados shqiptare". Hidri erdhi në Angli me një qëllim të vetëm: Të ishte i lirë dhe të bënte art i pa trazuar nga ksenofobët, siç i kishte ndodhur në Greqi. Por edhe në këtë vend ai nuk mundi të ishte i lirë në lëvizje. Shumë shpejt do t‘i refuzohej e drejta e qëndrimit. Një mëngjes të vitit 2006, oficerët e emigracionit do ta prangosnin në sytë e vajzave, duke i dëbuar familjarisht. Por ai nuk heq dorë nga aventura angleze për të përmbushur një dëshirë të vetme: T‘u tregonte atyre që e dëbuan se nuk mund t‘ia varrosnin talentin. Përgjigja më e mirë sipas tij ishte ndërtimi këtij mozaiku me njërin prej njerëzve jo vetëm më të pasur të botës, por edhe të një njeriu që pasioni i tij më i ri është koleksionimi veprave të artit.

Pra fare papritur, marrim vesh që Hidri ishte dëbuar dhe njëherë në 2006, por siç duket ishte rikthyer sërish (nuk na thuhet se si) në Angli. Dhe për ti vënë vulën, gazetari anonim i jep dhe një leksion autoriteteve angleze sesi ta organizojnë punën:

Duket se autoritetet vendase të emigracionit e kanë më të lehtë dëbimin e shqiptarëve që punojnë në Britani ndershmërisht, se sa të atyre problematikë dhe që kërkohen nga drejtësia shqiptare.

E kishim filluar diskutimin e çështjeve të titujve të gazetave shqiptare që para disa ditësh në blogosferë. Por ky titull mua më duket keqdashës e i papërgjegjshëm më shumë se bombastik apo palidhje me temën. Fillimisht na ofrohet një analogji me një incident të ndodhur mes disa individëve në Itali, ndërkohë që artikulli flet për një konflikt mes një personi që ndodhet ilegalisht në Angli dhe ligjit anglez. Më pas, fare rastësisht mësojmë që Hidri është përsëritës në shkeljen e ligjit. Dhe në fund këshillohen autoritetet angleze që t'i mbyllin sytë para atyre shkeljeve të ligjit që na leverdisin ne, dhe t'i hapin vetëm para atyre që prapë na leverdisin ne. Aty në mes, nuk harrohet të shahen dhe ksenofobët grekë, pa u verifikuar fare "faktet" e Hidrit.

Racionali i vetëm që mund të gjej për shkrimin e këtij artikulli, është që ndokush i ka premtuar gazetarit ndonjë thërrime nga ai 5 milionshi që gjoja Abrahamovic do të paguajë, për veprën që nuk e di ende që ekziston. Por që gazeta SHQIP pranon të botojë këtë artikull, ku romantizohet e legjitimohet shkelja e hapur e ligjit është tërësisht e pajustifikueshme.

20 comments:

ET said...

Përshëndetje e paditur!
Ps:po pate kohë.....:

http://www.peshkupauje.com/%E2%80%9Ckanibali%E2%80%9D-shqiptar-qe-ngjan-me-mikelanxhelon/2006/10/24/

e paditur said...

ET, mirëseerdhe. Faleminderit për linkun. Ai artikull qënka dhe më komiko-tragjik, plot me fakte të paverifikueshme e bëma legjendare. Dhe nëse autori i atëhershëm ka qënë ky Besim Dybeli, besoj që dhe këtë herë po ai është (nuk kam downloaduar versionin PDF të gazetës, dhe në versionet HTML nuk dalin emrat e gazetarëve).

Po mua nuk më shqetësojnë dhe shumë përrallat mbi këtë Hidrin, se sa legjitimizimi i shkeljes së ligjit. Për një gazetë serioze si SHQIP-i është vërtet i pafalshëm.

drejt tropojes said...

Te dy artikujt kane plot mangesi e te meta. Pata mundesi te verifikoj reagimin e lexuesve te artikullit qe eshte publikuar tek Peshku, shumica ishin arrituar...ishte nje abuzim tipik ne titull per te vendosur aty patjeter fjalet "kanibal" dhe "Mikelanxhelo" ose per te shitur me shume ose per te bere buje me teper, e si rrjedhim edhe per te mashtruar e per te na nervozuar po aq!

drejt tropojes said...

korrigjim:...shumica ishin irrituar...

Panorama de Fortim visto por Alida said...

Pershendetje e "paditur"

Ne fakt dhe un do isha habitur :) por ja qe per fat te keq nuk habitem me.

Shqip per mua si shume te tjera nuk perben perjashtim .

N.Ago said...

Nëna u kërkon flaje publikut po po ma gjetët këtë gazetën jepmani të fshij bythën nëna se do ket letër të but qo me patjetër.

Julius said...

Shqip gazete serioze? :D
Aty vetem Lamja me Shqipni tavolinash eshte vlere e perbotshme. Gjithe te tjeret...

Dhe meqe ra fjala, se ka nxjerre ne tavoline kohet e fundit Shqypnine ky.

e paditur said...

Përgjigje të gjithëve:

@Tropoja, të nisa atë emailin sot, tek GMAIL.

@Alidea, mirë se u riktheve! Kam lexuar që je duke studiuar. Si po vete sezoni? Uroj që të mbarojë sa më shpejt. Ndryshe nga ti që je në Shqipëri unë lexoj rrallë e me zgjedhje gazeta shqiptare, dhe nuk e di pse më ish krijuar përshtypja që SHQIP ishte më serioze nga të tjerat. Po tani e tutje do i mbaj sytë e hapur.

@E ëma Zeqos, faleminderit që u riktheve, kemi kohë pa u dëgjuar. Si gjithnjë ke aftësinë të përmbledhësh me një fjali atë çfarë ne e tjerrim e tjerrim me furkë.

@Julius djali, ti na e the në blogun tënd që ndan të njëjtin mendim me të Ëmën e Zeqos për gazetat në përgjithësi (mos është ndonjë virus që e thithni në ajër aty në Greqi?).
Një kërkim tek SHQIP, nxjerr vërtet që artikulli i fundit i Shqipni tavolinash ka qënë në Janar 2008.
E ke këtu.
Në ndryshim me ty unë s'do t'i hidhja të gjithë në një thes ata që shkruajnë tek SHQIP. P.sh, Fatos Baxhaku sjell reportazhe shumë interesante, Adrian Civici shkruan me shumë thellësi për ekonominë. Stoikët Stefani dhe Nano janë të paepur në luftën kundër Berishës, dhe Mentor Kikia është me këmbë në tokë dhe për më tepër angazhohet seriozisht për shumë tema sociale, si psh gjakmarrja. Me raste, shkrime me mend ka dhe Nazarko.

Anonymous said...

e paditur, une nuk lexoj ne pergjithesi gazeta (ose vetem titujt) dhe me bere te shkoj t'i hedh nje sy shqip.

Per qenderimin e autorit - mendoj qe kemi akoma reflekset socialiste (çudi pas kaq vjetesh) ku ligjin e bente partia dhe ajo e zbatonte apo adaptonte ne f te asaj qe 'ishte mire'

Julius said...

E paditur, hidhi një sy "bon-tonit" që ka shkrujt sot Nano.

Mbase ndryshon mendje, për të të paktën.
Ai bashkë me Stefanin bëjne retorikë të përsëritur n herë. Bëhen të lodhshem.
Faleminderit për Lamen. Nuk e kisha lexuar atë pjesë.
Një përmbledhje të tavolinave e kam bërë unë këtu:
http://www.forumishqiptar.net/showthread.php?t=11606
Por, Fatos Baxhaku ndonjëherë është ok. Edhe Kikia.
Nazarkos ia kam heq i vizë kur trajtonte "Big Brotherin" si vëzhgim social të shoqërisë shqiptare.
Veç nuk ka ndonjë nivel të lartë si gazetë. Shekulli më duket më e mirë. Më e gjerë në trajtim temash.

Për Greqinë...punë tjetër kjo.
Po të them vetëm një fakt: Pas një skandali, një nga gazetarët dhe botuesit që mbahet nga më të mirët, shiti gazetën e vet dhe hapi faqe "gazete" në internet.
Mendimi përparimtar zhvillohet ne blogje.
Ja le te thotë dhe e Ëma e Zeqos. (që e mora vesh se kush është)

N.Ago said...

U dermant e nënës ju që mbani nënën në goj e më zuri lëmza mua që në pik të sabaut.
Nëna me gazetat ka që koht të Hamit Matjanit që ësht e trumbulluar se qem bashk në çeta e komonistat thonin që e zun po i ja hëngrën topin edhe ce ishte me një dor.
Po nëna mor u marrça të ligat nuk mbëshiet mor konxholloza nuk mbëshiet se ësht në maj të thanës e duket që na ur e kardhiqit.

e paditur said...

@Tetena, nuk e di nëse është "refleks socialist", pikërisht sepse nuk e njohim autorin dhe moshën e tij. Unë them ky është më shumë një qëndrim i lindur në këto vitet e fundit, ku u bë e modës që të mos respektosh ligjet, sepse kështu u përkthye kuptimi i demokracisë në Shqipëri: "gjithkush e bën vetë ligjin".

@ E ëma Zeqos, ngandonjëherë më duket sikur nuk ka ngjarje të historisë shqiptare ku të mos gisht dhe ti. Mos ke qënë ndonjë biçim Mata Hari në rini? Ose Forrest Gump?

@Julius, e lexova artikullin, faleminderit që më shtyve. Nano ka shumë mundësi të ketë qënë anëtar i ndonjë grupi të majtë anarkist kur ka emigruar në Itali. Kjo duhet ta ketë influencuar në qëndrimet e veta. Sidoqoftë unë mendoj që fakti që jo gjithmonë jam dakort me ato që shkruan, nuk ka pse më pengon të lexoj opinionet e tij (apo dhe të tjerëve). Mendoj që është e rëndësishme të përballesh me perspektiva dhe opinione të ndryshme nga ai personal. Jo gjithmonë kemi nevojë vetëm për përforcim të asaj çka besojmë që më përpara.

E pashë atë përmbledhjen tënde, por ti kishe vetëm disa artikuj të Lames. Më duket se unë i kam të gjitha diku në kompjuter (interes profesional, nuk ka lidhje me Lamen). Më thuaj nëse ke qejf t'i kesh dhe ti.

Sa për zhvillimin e mendimit përparimtar në blogje. Unë mendoj që blogjet bëjnë të mundur copëzimin e spektrit të mendimit politik në nisha shumë të specializuara, dhe kjo shumëllojshmëri të lejon të gjesh pikërisht atë nishë ku një individ ndjehet më shumë i përfaqësuar. Gazetat nuk e kanë dot luksin që t'i shërbejnë vetëm një klientele të ngushtë. Qoftë dhe për arsye ekonomike, ato janë të detyruara të ngelen aty ku është shumica dhe jo të ndjekin ata flamurtarët që janë ca vite përpara masave.

Nga ana tjetër, nuk po e kuptoj pse nuk të paska pëlqyer thirrja e Nanos për ta lënë mënjanë "bonton"-in. Mua më duket se nëse Peshku Pa Ujë mund të përmblidhej në një fjali kjo do të ishte: "Poshtë bonton-i".

Julius said...

Ok, ti përfundimisht konsidero ndonjë ndërrim nick-u.
Ose jep ndonjë inicial se refuzoj të të quaj më "e paditur".

Artikujt e Lames do të doja t'i kisha, të faleminderit nëse do ma bësh të mundur këtë. Unë aq munda të mbledh.
Email-in tim mund ta gjesh besoj.
Gazetat, të keqen e kanë se përfaqësohen prej interesave, jo prej meritave. (përmbledhje nga mua te ajo që ke thënë ti).
Nuk e di as vetë unë si do sillesha nëse do të kisha "fatin" të përfaqësoja "interesa".
Mirëpo, gazetat mund të vlerësojnë merita, gjë që asnjë prej tyre nuk merr përsipër të bëjë.

Nanoja është produkt tranzicioni dhe si i tillë konfuz. Nuk është tamam i majtë (mendimi im) por është pak anarkist, dhe shumë emocional. Nga ana tjetër nuk është se kam gjë me thirrjen e Nanos, por mënyrën si e bën. Dua të them; bon ton?? Is he for real?
Bon-ton?
Ça o kjo?
lloj bon-boni?
Unë jam pak laicist nëse e ke vënë re. Po nuk do të thotë se nuk vlerësoj një mendim të artikuluar pastër dhe shprehur bukur. Ky nuk hyn në këtë kategori. Të preferuar për këtë kam Xha-xhain. (AV)

Fillimi i Biblës, "Në fillim ishte fjala" ka shumë kuptim edhe peshë.
Nano më duket peshë e lehtë.
Për të tjerat ok, po ti e di në sa sita kalon një artikull te peshku. Shumë herë nuk pëlqehet vetëm nga mënyra e të shkruarit.
(me të drejtë)
Këto.
Gjithnjë kënaqesi të bëj vizita këndejza.

Agobooks said...

Të më falni dhe mua, të hedh dy fjalë mbi temën. Mësëshumti ngaqë jam pjesë e shtypit.
Hiperbola, duhet të jetë, për mendimin tim krejt subjektiv, sinonimi bri fjalës gazetë, në Shqipëri.
Doemos,gjithandej gazetarët, mundohemi të fitojmë klientin-lexues, duke i servirur shpesh, një "pjatë të zbukuruar" në mënyrë perfekte,por me përmbajtje që lë mjaft për të dëshiruar.
Ndërkohë, po ti referohemi shtypit të atdheut, ekzagjerimi i çdo ndodhie që ka të bëj me fqinjët tanë jugorë, kam përshtypjen, se është një ushqim që lehtë koncentrohet nga blerësit. Le të hedhim një sy nëpër forumet ku mblidhen e diskutojnë rinia shqiptare,përveç shtyit të shkruar. Mirëmbajtësit, duke ditur cila është "pika e tyre e dobët", hera herës kanë gati tema ose "tema" që lidhen me Greqinë. Edhe po nuk kanë, i sajojnë vetë.Ushqejnë kështu, me dashje (në të shumtën e rasteve) ose jo, një frymë tejet negative dhe hedhin ujë të turbullt në ullukun e nacionalizmit. Në mjaft raste, madje, kolegët e mi me punë në atdhe, largohen krejt nga roli i vërtetë i gazetarit dhe, në vend të sjellin lajmin e m'andej është radha e lexuesit ta gjykojë atë, ata shëndërrohen në "ustallarë" opinionistë duke u larguar nga misioni i tyre fillestar. Gjithashtu, në emrat e përmendur në postim, kam indenë se, nuk duhen konsideruar të gjithë si gazetarë. Është tjetër analisti-opinionisti, e tjetër gazetari profesionist, kam mendimin.Kjo, është një sëmundje që, mbase dikur edhe kalohet.
Ndoshta u zgjata. Sigurisht,nuk jam dhe më kompetenti të "gjykoj" për vetë faktin se është ky profesioni im. Gjithsesi, dua të them se, jam me të vërtetë i lumtur, që nuk më është dashur deri më sot, të detyrohem të punoj për gazetë në atdhe dhe si rrjedhojë, ti përshtatem "terrenit".
Gjithë të mirat!

e paditur said...

@Julius,
artikujt do të t'i nis së shpejti. Ndoshta vërtet Nano është peshë e lehtë, por mendoj që ai në përgjithësi merr mundimin të bëhet i kuptueshëm për një masë të gjerë njerëzish, pa kërkuar që këta të kenë doktoraturë në filozofi, sociologji, etj, etj, për ta kuptuar. Sigurisht që kjo gjë kërkon kompromis, por unë zgjedh thjeshtësinë përkundrejt sofistikimit të panevojshëm (nuk e di a e ke dëgjuar, quhet parimi i Occam's Razor). Nga ana tjetër, blogje si ai i Xha xhait, hyjnë pikërisht në listën e atyre nisheve që kanë vlerë për një pakicë, por janë tërësisht pa përfitim për masat. Zotësia qëndron që t'i shpjegosh gjërat në terma të tillë që të të kuptojnë dhe "analfabetët" (sigurisht, pa u bërë populist). Nano, ndoshta ngaqë ka prejardhje fshatare dhe është auto-didakt, në plot raste ja arrin këtij qëllimi, dhe kjo duhet vlerësuar.

Kënaqësia e pritjes së vizitorëve është krejt imja. Jam me fat që ti dhe të tjerët e keni gjetur këtë qoshkën time dhe më pasuroni me mendimet e qëndrimet tuaja.

@N.Ago, ke shumë të drejtë me vëzhgimin që bën për ndryshimin mes gazetarëve dhe analistë/opinionistëve. Problemi qëndron që publiku shqiptar njeh vetëm këta të fundit, dhe nuk e di kush janë gazetarët, të cilët shumë shpesh janë vetëm ca iniciale ose ndonjë emër që nuk të thotë asgjë (dhe për fat të keq as nuk e mban mend njeri).

Nga ana tjetër, dhe unë gëzohem për ty që nuk të është dashur të jesh pjesë e atyre gazetarëve që shpesh shfrytëzohen sipas interesave të pronarëve në Shqipëri, ndërkohë që ke marrë përsipër një detyrë që unë mendoj që ka më shumë vlera, aq më tepër që më dukesh se je nga të vetmit që e bën, dhe sidomos me një ton gjithëpërfshirës e dialogues, në vend të atij përçarës e urrejtje-mbjellës.

Më bie ndonjëherë rasti tek Peshku të vëzhgoj debate të nxehur mbi punët e fqinjit, dhe gjithnjë çuditem e them me vete: Po nëse gjërat janë kaq keq, si jetojnë ata qindra mijëra shqiptarë ende aty? Sepse vetë sa herë më ka rënë rasti të takoj e rri me grekë nëpër botë nuk kam ndjerë asnjë lloj ksenofobie, përkundrazi, jemi miqësuar shumë shpejt, pikërisht duke u fokusuar në të përbashktat.

Ndaj dhe gëzohem që ka zëra si ai yti.

N.Ago said...

Krushkun e kam me mënt nëna po edhe ti moj kumbull e nënës që më bën si e paditur je për të pir në kupt të verës.

D.Klosi said...

Kjo ndodhi nuk eshte e vetmja ketu ne U.K.,por me habit fakti se si ky z.Hidri nuk paska perfituar lejeqendrimin nga amnistia e vitit 2003( qe ishte kryesisht per familjet qe jetonin ne England nga viti 2001 e tutje).Nga kjo amnisti perfituan mijera shqiptare etj.
Vertet me vjen keq qe ky djale i talentuar e paska humbur ate shans.

Julius said...

Jo EP, nuk mendoj se Nano ka qëllim të lexohet prej shumicës së masave, as ka qëllim të bëhet i kuptueshëm.
Nuk mundet, në momentin që dënon "tribalizmin" në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk mundet as kur deklaron se ai i përket elitës në partinë e Erjon Veliajt dhe si i tillë nuk denjon të vizitojë fshatrat. (Këtu hyn dhe pikëpyetja ime nëse është i majtë, se këto mendime një i majtë nuk mund t'i ketë)
Midis Lames dhe AV-ut ndodhet Nano. Por, i kuptueshëm nga masat Lame ishte i vetmi, ndërsa elitar AV, sigurisht. Ki është as mish as peshk.
Edhe unë mbroj thjeshtësinë e Lames ama, por te AV edukohem.

e paditur said...

@E ëma e Zeqos, faleminderit, por ti na jep të gjithëve ujë në bisht të lugës :-)

@Drita, nuk e dija që paska pasur një amnisti të tillë. Gjë pozitive vërtet. Po duket sikur Hidri është përzënë dhe njëherë në 2006, ndaj rasti i tij duhet të ketë qënë problematik.

@Julius, si nuk "dorëzohesh" njëherë mor djalë! Dakord, këtë herë po heq unë dorë nga mbrojtja e mëtejshme e Nanos (në fakt ka vetëm një arsye që më pëlqejnë shkrimet e tij, po s'është vendi të shprehem). Sa për Lamen, fatkeqësisht nuk kam lexuar pothuaj asgjë prej tij, por meqë ti e lavdëron kaq shumë, do të përpiqem të "catch up".

shëndet të gjithëve!

Panorama de Fortim visto por Alida said...

:) pershendetje
Ne fakt studimet shkojne mire, kam dhe dy "finals" prandaj kohen e kam shume te kufizuar, gjithsesi bej ca pauza te shkurtra. Po rikthehem tani US History in the "menu".