Thursday, June 26, 2008

Xhema

Sa vite kam pa e parë Xhemën? Ndoshta 15 ose 20? E sa të tjerë kanë kaluar pa e menduar Xhemën? Patjetër mbi 10. Po ja që megjithë këtë harresë të gjatë, ja tek jam sot, mijëra kilometra larg Shqipërisë, e paaftë për të hequr nga mendja Xhemën. E gjitha nisi me leximin ritual mëngjezor të New York Times. Sytë më kapën titullin Albanian Custom Fades: Woman as Family Man (Zakonet shqiptare veniten: Gruaja si burrë i familjes), dhe pas një momenti ja tek isha duke parë fotot e Xhemave të tjera shqiptare. Gra që në moshë të re ishin betuar të mbeteshin përjetë të virgjëra, në mënyrë që të shndërroheshin në burra e të kujdeseshin për familjen. Dhe nuk munda të mos pyesja veten: A kish bërë dhe Xhema një betim të tillë? Po nuk mundem ta gjej dot përgjigjen. Atëherë kur unë e kam njohur Xhemën, nuk kam ditur as ç'është virgjëria e as ç'është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Dija vetëm që Xhema dukej ndryshe. Një jogrua nga vetëzgjedhja, një joburrë nga natyra. Një gruaburrë.

Ka shumë mundësi që dhe ju ta njihni Xhemën. Nëse në vitet '80 ju ka rënë rasti të pushoni qoftë dhe një ditë në plazhin e Velipojës, patjetër që do të jeni ndeshur diku me Xhemën. Sepse jeta e saj shpalosej mu në qendër të Plazhit Velipojë. Kabina e saj e vogël (ku ajo jetonte) ndodhej brenda rrethimit të këndit të lojrave për fëmijë, dyert e të cilit hapeshin e mbylleshin në çdo ditë vere të çdo viti vetëm nga Xhema.

Rrekem të zhvarros nga sëndukët e kujtimeve të atyre viteve detajet që do më të lejonin të pikturoja para syve figurën e plotë të Xhemës, por çdo gjë mbetet e vagullt. Prerja e flokëve nuk i ngjasonte asaj të një burri, por dhe ndonjë grua me një të tillë nuk do të gjeje dot. Zëri ishte i ashpër (që të frikësonte fëmijët), por ende ruante ca nga diapazoni më i gjerë i një femre. Trupi ishte i thatë, me shpinë pak të kërrusur, gjithnjë i veshur në pantallona e këmisha burrash.

Sa herë mund të më ketë ndihmuar të hip dhe zbres nga figurat e karuselit Xhema? E megjithatë nuk ja kujtoj dot ngjyrën e syve. Ndoshta rreptësinë po, ose trimërinë. Sepse mua Xhema mbi të gjitha më dukej trime. Një nga ato burrneshat e zbritura drejt nga përrallat e Mujit dhe Halilit. Xhema e vetme fare mund ta mundte Bajlozin që do të vinte nga deti. A nuk e kishte ajo prandaj kasollen mu në zemër të plazhit, fare pranë detit? Të rrethuar nga kuaj e karroca, shtiza e pllaka hekuri që ajo me forcën e saj mund t'i kthente në pajime lufte.

Çfarë bëhet sot me Xhemën? Nga ta di. Ndoshta mundi të privatizonte kasollen e vet në zemër të Plazhit, dhe jeton atje dhe sot e kësaj dite. Si në përrallat e motshme, ku personazhet jetojnë përgjithnjë.

12 comments:

belle_fleur said...

Tani qe po mendoj nuk di te kem pare ndonje gruaburre, ose ndoshta nuk me kujtohet mua. Por me ka bere pershtypje perhere sesi femra te tilla marrin nje vendim kaq te forte edhe e ndryshojne rrenjesisht jeten e tyre vetem e vetem sepse thote Kanuni. Nje zakon i tille me duket sikur ka qene me shume per femrat e veriut sesa te jugut, apo jam gabim?

Do ishte interesante sikur te behej ndonje studim/research mbi kete gje? Sa perqind e ketyre grave jetojne akoma me Kanunin e Lek Dukagjinit? Ne cilat fshatra te veriut eshte me i forte kanuni, etj etj?

Selfmaderadio said...

Shume interesante historia e ketyre grave. Ndoshta edhe historia e Xhemes. Une po sforcohem te kujtohem dhe me vijne ca copa kujtimesh mbi ca gra qe ishin te pamartuara dhe dukeshin si burre. Po, une nuk kam jetuar asnje dite ne veri, nuk e njoh praktikisht fare, dhe nuk di te them qe grate per te cilat fola ishin nga veriu dhe kishin zbritur ne jug, apo ishin nje lloj varianti jugor i grave te bera burra, jo per shkak te rrethanave, por sepse ndjeheshin te tilla.

Ne artikullin e NYT (faleminderit) me beri shume pershtypje vleresimi i lirise, dhe menyra se si e gjykonin keto graburra figuren e femres.

Julius said...

Mua më pëlqen historia. :)
Rrethanat e atëhershme të vështira i bënin të silleshin në mënyrë të tillë gratë. (ose ndoshta dhe kishin një farë "tendence" për tu sjellë si burra. Kjo e fundit i takon psikologjisë ta marrë në konsideratë.

Kanuni është ligj i vjetër, mesjetar. Por disa anë të mira i kishte. Respekti për femrën, ishte një prej tyre, qoftë nëpërmjet kësaj zgjidhjeje ex machina.
Femrat, e gjatë dhe pas periudhës së pavarësisë kam bindjen se duhen parë me ndonjë studim serioz.
Nga historia (ndoshta është përshtypja ime), dalin figura femërore të fuqishme, të përkushtuara në fusha të ndryshme të jetës; Elena Gjika, Tefta Tashko Koço, Shote Galica, Nora e Kelmendit (ka qënë ca më parë kjo) apo dhe të huaja si Edit Durham, anglezja që u quajt Princesha e Malësisë. Gjykuar prej kohës, kishte një sharm të veçantë liria krijuese e atyre femrave.

belle_fleur said...

Jul, ne kete rast keto graburra as nuk hyne ne "hall of fame" as nuk permenden si gra qe bene kete e kete, si femrat qe ke permendur ti. Me e keqja keto graburra as nuk vihen re sepse ne nje fare menyre e kishin per detyre te hidhnin pushken mbi sup edhe te mbronin nderin e familjes, te merrnin gjakun e babes se vrare. Cfare me vjen me shume keq eshte qe kanuni eshte kaq shume i ngulitur ne mendjet e njerzve qe ata e marrin ashtu per te qene, nuk mendojne qe ka dhe ndryshe, qe do ishte mire qe dikush ta ndalte kete kanun qindravjecar i cili po shuan fise te tera nga gjakmarrja.

e paditur said...

@Belle, nuk e di a të ra rasti të lexoje artikullin e NYT (e gjen të përkthyer dhe tek Peshku, por NYT ka disa foto shumë interesante). Artikulli tregon që ky betimi është pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, prandaj besoj që të tilla mund të gjesh në Veri por dhe në Shqipërinë lindore, anash Tiranës. Ende u numërokan rreth 40 të tilla. Ti shumë mirë e ke, sa shumë studime do të duheshin. Por në gjendjen që është shkenca shqiptare sot, me akademinë që u mbyll, me pedagogët që u duhet të plotësojnë norma mësimore dhe që nuk besoj të kenë fonde për të bërë research, kush do të merret me gjëra të tilla. Është vërtet për të admiruar që dikush niset nga SHBA dhe shkon e interviston e gjurmon raste të tilla. Ne kemi aq gjëra interesante që ndodhin përreth nesh, por çdokush shikon larg.
Unë mendoj që artikulli i ka bërë përshtypje shumë lexuesve të NYT, sepse qëndroi dy ditë rresht në vendin e tretë të artikujve më të shpërndarë.

@Self, dhe unë mendoj që në Veri duhet të ketë qënë më e përhapur. Unë kam njohur dhe një tjetër, që ka qënë më e re në moshë se Xhema. Mua më duket që jeta që kishin zgjedhur ishte shumë e vështirë, sepse asnjëri seks nuk i shikonte më si një individ i sërës së tyre. Megjithëse unë mbaj mend që të dy gjinitë i pranonin, pra këto nuk ishin shoqërisht të izoluara, përkundrazi, kishin një jetë shumë shoqërore, dhe pothuaj i njihnin të gjithë. Po sigurisht, unë kam qënë në moshë të re, dhe mund të mos kem kuptuar dot nëse kishte ndonjë lloj armiqësie apo përbuzjeje ndaj tyre. Unë them që nuk ishte thjesht që këto ishin të pamartuara, këto bënin vërtet përpjekje për t'u sjellë e ndjerë si burra. Shkonin të pinin në klub me burra, visheshin tërë kohës si burra, shoqëroheshin me burra. Dukej sikur njerëzit e respektonin zgjedhjen e tyre.

@Jul, më fal, po komentet më sipër i kisha shkruar offline. Shkruhemi më vonë.

Julius said...

Belle çka duhet kuptuar, është se kanuni vetë është produkt në funksion të mbijetesës dhe jo produkt qytetërimi.
Në rast se në një fis vdisnin të gjithë meshkujt, dikush duhet të merrte përsipër sigurimin e trashëgimisë së emrit të kullës dhe fisit. Kanuni u jepte grave këtë të drejtë. Po bashkë me të dhe paprekshmërinë prej meshkujve të tjerë. Mendo një femër e pambrojtur para 100 vjetësh çfarë sfide do ishte të mbante familjen e vet.
Kanuni gjykohet në kohën kur vihej në praktikë, jo sot. Sot ka të tjera ligje e rregulla. Po atëherë u siguronte femrave dinjitet. (nuk ua mohonte) dhe po flasin për të njëjtën kohë kur në Evropë mbusheshin manastiret prej grave aristokrate të rëna prej pozitës ku si zgjidhje të vetme kishin o burrë o manastir.
Anët negative të kanunit nuk i mohon kush dhe vërtet duhen luftuar, por personalisht kjo bukuri folklorike e temës më pëlqen.


E, nuk ka problem. Kur të kesh kohë. :)

e paditur said...

@Jul, ashtu është, ato gratë që ke përmendur ti janë për t'u admiruar, por janë të tilla edhe pse janë aq të rralla në historinë tonë. Ai artikulli thotë që jeta e një gruaje vlente sa gjysma e jetës së një burri sipas Kanunit. Ti thua ekzistonte respekt për gratë, po unë mendoj që më shumë kishte detyrime dhe kufizime për to. Më kujtohet një libër nga fëmijëria për ca gra/vajza malësore që mbas luftës vajtën të bënin një shkollë (apo kurs) diku në Tiranë apo Durrës, dhe libri është i mbushur me historitë e dhimbshme të jetës së tyre. Sigurisht që libri ishte i politizuar, por besoj që shumë nga historitë ishin të vërteta.

Përsa i përket Kanunit, dhe unë mendoj që nga pikpamja historike dhe kulturore është një pasuri e rrallë kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse e shtrinte sferën në çdo aspekt të jetës në komunitete. Pastaj fakti që është transmetuar brez pas brezi gojarisht, është dëshmi e seriozitetit me të cilin shqiptarët e atëhershëm e merrnin rëndësinë e ligjeve që rregullonin bashkëjetesën. Mua më vjen keq që s'më ka rënë rasti ta lexoj ndonjëherë, më duhet ta gjej.

Sigurisht është shumë tragjike që e vetmja gjë e trashëguar deri më sot është gjakmarrja. Siç dihet, në kohë të vështira njerëzit bëhen ekzistencialistë. Rëndësi pastaj ka vetëm jeta dhe vdekja.

Julius said...

Problemi i Kanunit në lidhje me femrat, ishte në kulturën brenda familjes. Se jashtë në shoqëri, askush nuk guxonte qoftë t'i hidhte sytë gruas së tjetrit.
Nga ana tjetër, unë jam i bindur se si komb, ne kemi patur më shumë gra luftëtare se çdo komb tjetër në Ballkan. Kush do të më sfidojë këtu, bujrum. :D
Meqë e kërkove E, këtu e ke kanunin: http://vargmal.org/dan1242 Lexim të këndshëm.

tropoja said...

e paditur,
ajo cka une shikoj me interesante tek postimi, eshte menyra e te shkruarit. Nuk e ve ne dyshim numrin dhe diapazonin e fjaleve apo strukturen e fjalive, por me mrekullove me stilin. Teksi lexohet, rrjedh, perpin pa shfaqur asnje veshtiresi ne sfond. Mendoj se duhet te te uroj per kete!
Xhema? Personazh interesant me duket...mgjth keto jane subjekte "news" pwr te huajt ose per shtresat e rafinuara qytetare te Shqiperise, sepse ne veri te vendit eshte fenomen i njohur. Ndodh pergjithesisht me grate qe u vdesin ose vriten burrat, motrat qe u vdesin ose u vriten vellezerit ose babai apo me vajzat e vetme qe kthehen ne "zot shtepie".
ndjese per mungesen e ketyre diteve, pershendetje!

e paditur said...

@Tropoja, ska nevojë për ndjesë, uroj që të jesh duke ja kaluar mirë. Më bëhet qejfi që të ka pëlqyer shkrimi, dhe faleminderit për fjalët e mira.

Në fakt ti vërtet duhet të kesh ndeshur plot histori të tilla në vendlindjen tënde. Belle_fleur donte të dinte në kishte ende të tilla. Ose në cilat fshatra të veriut është më i fortë Kanuni. Ti ke ndonjë dijeni për këto?

@Jul, shumë faleminderit për linkun. Të kam në vend të Google-it për temat shqiptare :-)

edrus said...

I ka thënë të gjitha Julius :)
dhe jam plotësisht dakord me të kur flet për Kanunin si një mjet ligjor të përshtatshëm për mbarëvajtjen dhe rregullimin e mardhënieve shoqërore për atë periudhë.

eni said...

flm qe sjell keshtu shkrimesh ketu e paditur..me terhoqi shume!