Friday, March 28, 2008

Përse "e paditur"?

Shpesh më ndodh që të shikoj diku një fjalë të gjuhës shqipe dhe të bëj një lidhje (që deri në atë moment nuk e kam menduar) mes kuptimeve të ndryshme të fjalës. Kështu më ndodhi dje me fjalën "e paditur". Në fakt, unë pashë fillimisht fjalën "padi" dhe pastaj "e paditur", dhe në këtë rast është e thjeshtë të kuptosh që bëhet fjalë për dikë që është akuzuar për ndonjë vepër penale. Por në të njëjtën kohë kisha në mend dhe kuptimin tjetër të kësaj fjale, atë të "nuk kam dije mbi diçka", "jam pa dije", pra jam e paditur.

Ajo çka më entuziazmoi më shumë ishte fakti që po të nisesh nga këndvështrimi ligjor, një "e paditur" nuk është fajtore, ajo thjesht akuzohet të ketë thyer ligjjin. Pra, në të vërtetë, janë të tjerët që janë "të paditur" (pa dije) nëse "e paditura" (e akuzuara) ka bërë diçka të paligjshme apo jo.

A nuk tregon dyzimi i kësaj fjale një dilemë të vjetër njerëzore?

Të ndjehesh "e paditur" (pa dije), kur të tjerët të mbajnë për të ditur, dhe të jesh "e paditur" (e akuzuar) nga të tjerët, kur ti e di kush është e vërteta.

Nuk e di nëse në gjuhën shqipe ky dyzim për fjalën "e paditur" është i qëllimshëm, apo i rastësishëm. Sigurisht që dëshiroj të jetë i qëllimshëm. Të paktën unë vetë do ta përdor si të tillë.

E ndjej veten të paditur në aq shumë gjëra, ndaj dhe dua të nxë, të kuptoj. Sepse vetëm duke ditur e kuptuar, mund ta mbroj veten nga të qenit e paditur para gjyqit të fundit të ndërgjegjes.