Saturday, July 26, 2008

Fjala më e bukur

Prej më shumë se një shekull e gjysëm, gjermanët e shikojnë veten si "das Volk der Dichter und Denker" (populli i poetëve dhe mendimtarëve), ndoshta me të drejtë, kur mendon që i kanë sjellë botës poetë si Gëte dhe Shiler apo filozofë si Kant dhe Hegel. Ndaj dhe në ruajtje të kësaj trashëgimie, kujdesi për gjuhën vazhdon të kultivohet me pasion dhe sot e kësaj dite. Kështu, në vitin 2004, Këshilli Gjerman për Gjuhën (Deutsche Sprachrat) si dhe Instituti Gëte shpallën një konkurs për zgjedhjen e fjalës më të bukur gjermane. Rreth 23.000 individë nga mbi 100 vende të
botës dërguan me postë sugjerimin e tyre për fjalën më të bukur, duke dhënë dhe nga një shpjegim për zgjedhjen. Sugjerimet që ishin përmendur më shpesh ishin:

1. Liebe (dashuri)
2. Gemütlichkeit (rehat)
3. Sehnsucht (mall)
4. Heimat (atdhe)
5. Kindergarten (kopsht fëmijësh)
6. Freiheit (liri)
7. gemütlich (i rehatshëm)
8. Frieden (paqe)
9. Sonnenschein (rreze dielli)
10. Schmetterling (flutur)

Sidoqoftë, komisioni i përzgjedhjes së fjalës fituese përdori kriteret e tij (tingëllimi, përmbajtja, dhe shpjegimi) për të shpallur fituesit. Një nga anëtarët e jurisë, me mburrje të vetëkuptueshme, u shpreh se "gjermanët janë kampionë bote në krijimin e fjalëve ku theksohen ndjenjat", duke përmendur fjalë si Weltschmerz (lëngim global), Heimweh (mall për atdheun, mëmëdhëmbje), Fernweh (mall për të udhëtuar).

Në vazhdim janë fjalët e zgjedhura fituese nga juria e përbërë nga gjuhëtarë dhe personalitete të artit dhe kulturës:

1. Habseligkeiten (sende që dikush i ka të vyera)
2. Geborgenheit (të ndihesh i mbrojtur dhe i sigurt)
3. lieben (dashuroj)
4. Augenblick (çast)
5. Rhabarbermarmalade (marmalatë nga një lloj fruti)

Një nga përshkrimet më të bukura sipas jurisë ishte ai për fjalën "lieben", sepse sugjeruesja kish shkruar: "lieben (dashuroj) sepse është vetëm një i larg nga leben (jetoj)".

Është e vërtetë që nuk ka shumë kuptim të përpiqesh të gjesh fjalën më të bukur të një gjuhe, sepse bukuria shpesh lidhet me rëndësinë që ka kuptimi i fjalës për një individ. Por është vërtet një eksperiment interesant për të studiuar lidhjen emocionale të njerëzve me gjuhën.

Unë vetë këto ditë kam pasur shpesh në mend fjalën gojëmjaltë, ndoshta si një lloj mbrojtjeje ndaj lajmeve që dëgjojmë nga Shqipëria për mënyrën sesi shprehen politikanët tanë. Kjo fjalë më bën të mendoj që populli ynë, megjithëse i njeh dhe i përdor të gjitha fjalët, ka ditur gjithnjë të vlerësojë ata që mendojnë para se t'i nxjerrin fjalët nga goja. Dhe këtë vlerësim ka ditur ta shfaqë në shumllojshmërinë e mbiemrave që ka krijuar për të kategorizuar të folurën. Të gjithë mbiemrat në vazhdim (mbi 50) janë marrë nga fjalori i gjuhës shqipe:

gojaç, gojartë, gojasllan, gojash, gojashpër, gojëbilbil, gojëbrisk, gojëbuall, gojëçorap, gojëfarmak, gojëfëlliqur, gojëgjarpër, gojëkeq, gojëkamare, gojëhelm, gojëkyçur, gojëkuti, gojëlidhur, gojëlëshuar, gojëlashtë, gojëlopatë, gojëlig, gojëlidhur, gojëmadh, gojëlubi, gojëluan, gojëlopë, gojëmbël, gojëmbajtur, gojëmarraq, gojëmbërthyer, gojëmjaltë, gojëmirë, gojëmbyllur, gojënepërkë, gojëndyrë, gojëmprehtë, gojëpiperkë, gojëpalarë, gojëqepur, gojëprishur, gojërrudhur, gojërëndë, gojëqershi, gojëshpatë, gojësheqer, gojëspec, gojështhurur, gojështrembër, gojëshpuar, gojëthatë, gojëtharë, gojëters, gojëvrarë, gojëvogël, gojëzënë.

Nëse ju do të zgjidhnit një fjalë që ju duket ju më e bukura e gjuhës shqipe, kush do të ishte?

P.S. Artikuj mbi konkursin e gjuhës gjermane mund të gjenden këtu.

Thursday, July 24, 2008

Sërish për piraterinë


Gazetarët piratë goditën sërish. Përsëri tek blogu Arti në kohërat e kolerës, përsëri nga e njëjta gazetare, Eralda Kenaj, përsëri nga gazeta Agon. Blogshkruesi Toni Milaqi ka bërë shumë mirë që e ka denoncuar këtë vjedhje në blogun e tij, duke përmendur emrin e Eralda Kenaj disa herë në shkrimin përkatës. Megjithëse artikulli është shkruar vetëm me datë 23 Korrik, sot po të kërkosh për emrin e Eralda Kenaj në Google, artikulli mbi aktin e saj piratesk shfaqet i pari.

Meqë Eralda Kenaj është përsëritëse në veprimin e saj, i cili i ishte bërë i ditur kryeredaktorit të gazetës Agon dhe në rastin e parë, mendoj që duhet të tregojmë solidaritetin tonë me Toni Milaqin dhe të vendosim të gjithë një lidhje me blogun e tij, dhe pikërisht me artikullin e përmendur. Që lidhjet të kenë efektin e dëshiruar, duhet që emrin e Eralda Kenaj ta shoqërojmë me URL-në e artikullit të Tonit, siç kam vepruar unë në këtë postë.

Në këtë mënyrë ndoshta Eralda Kenaj dhe gazeta Agon do të mendohen ca më shumë herën tjetër para se të vjedhin pa leje punën e dikujt tjetër.

Në vazhdim është dhe një kopje e një komenti që Eralda Kenaj kish lënë në blogun e Tonit në qershor pasi Toni kishte denoncuar vjedhjen e saj të parë.

Tuesday, July 15, 2008

Mosha e Internetit? Jo për Universitetet e Shqipërisë!

Tek diskutonim për mungesën e prezencës në Internet të faqeve të disa departamenteve të Universitetit të Tiranës në blogun Selfmaderadio, vendosa të bëj ca më shumë kërkime për këtë dukuri. Rezultatet e mëposhtëm janë grumbulluar më datë 15 Korrik 2008 dhe i përkasin motorit të kërkimit Google.

Nëse kërkon për "Universiteti Politeknik i Tiranes", si rezultat i parë del një faqe me titullin:

fieindex.html me adresë: www.upt.al/

Kjo adresë nuk funksionon. Asnjë nga 10 adresat e listuara në faqen e parë nga Google nuk janë adresa të UPT ose të ndonjërit prej fakulteteve të tij. Edhe faqet e mëtejshme nuk listojnë adresa që t'i përkasin këtij universiteti. Pra prezenca në Internet e UPT në këtë moment është zero.

Nëse kërkon për "Universiteti i Tiranës", merret i njëjti rezultat si për UPT, pra faqja që nuk funksion:

fieindex.html me adresë: www.upt.al/

Sidoqoftë në vend të pestë gjendet faculty of natural sciences, adresë që të drejton tek një faqe në gjuhë angleze për Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Faqja ka dhe një buton për gjuhën shqipe. Një vështrim i programeve të degëve zbulon që ato i përkasin ende sistemit të vjetër 4 ose 5-vjeçar dhe jo atij 3+2 që është instaluar vitet e fundit. Kjo tregon që faqet kanë vite që nuk freskohen. Në vend të nëntë gjejmë "Universiteti Bujqësor i Tiranës", dhe një faqe që nuk është rifreskuar që nga viti 2004. Në vend të dhjetë gjejmë "Botanical Garden Universiteti I Tiranes", por faqja nuk i përket UT, por një shoqate me titullin "Botanic Gardens Conservation International". Më kot klikon faqet e rezultateve nga 10-20, 20-30, etj. As faqja kryesore e UT dhe as faqe të fakulteteve të tjera të tij nuk janë gjetur dot nga Google.

Nëse kërkon për "Ministria e Arsimit", ashtu siç dhe e pret, faqja e Ministria e Arsimit dhe Shkences të shfaqet në vend të parë. Po të klikosh në menunë majtas tek "Arsimi i Lartë" dhe më pas Universitetet të shfaqet një listë me emrat e 11 universiteteve publike dhe 15 universiteteve private. Së pari vë re që emrat e rektorëve ende nuk janë rifreskuar, pra Shezai Rrokaj apo Perparim Hoxha rezultojnë ende si rektorë të UT dhe UPT, pavarësisht se kanë muaj që nuk e kanë më atë funksion. Adresat e Internetit për universitetet publike janë si më poshtë:

Universiteti i Tiranës: www.unitir.edu.al (nuk punon)
Universiteti Politeknik: www.upt.al/ (nuk punon)
Universiteti Bujqësor i Tiranës: www.ubt.edu.al (punon, përmbajtja e 2004)
Universiteti "Luigj Gurakuqi" Shkodër: (nuk ka adresë)
Universiteti "Aleksandër Xhuvani" Elbasan: www.uniel.edu.al (faqja është bosh)
Universiteti "Fan S. Noli" Korçë: www.unkorce.edu.al (punon, vetëm disa faqe kanë informacion, nuk dihet kur është rifreskuar së fundmi.)
Universiteti "Ismail Qemali" Vlorë (nuk ka adresë)
Universiteti "Eqrem Çabej" Gjirokastër: www.uogj.edu.al (punon, është rifreskuar për herë të fundit në Janar 2007. Jo të gjitha faqet kanë informacion.)
Akademia e Arteve: www.akademiaearteve.edu.al (punon, informacioni dhe prezantimi lënë për të dëshiruar, por të paktën tek Njoftime ndodhen kriteret e konkurseve për 2008 dhe datat e tyre.)
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi" (nuk ka adresë)
Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës: www.uamd.edu.al (nuk punon)

Përfundimi: 7 nga 11 universitetet publike ose nuk kanë një adresë interneti (sipas MASH) ose adresat të çojnë në asgjë. Sidoqoftë, nëse kërkon për "Universiteti Ismail Qemali" do të marrësh nga Google në vendin e pestë "University of Vlora" me adresë www.univlora.edu.al. Faqja punon, është profesionale, dhe po të klikosh tek Njoftime mund të vësh re që është rifreskuar në Korrik të 2008. Një kërkim i ngjashëm për "Universiteti Luigj Gurakuqi" nxjerr që ka pasur një adresë për këtë unversitet, www.unishk.edu.al, por kjo nuk funksionon.

Ndërkohë situata për universitet private paraqitet më e mirë. 7 universitete kanë prezencë në Web, faqet janë tërheqëse, dhe ka informacion të freskuar. Nga ana tjetër plot 8 universitete private nuk kanë prezencë në Web.


Konkluzione:
1. Faqja e internetit të MASH ka informacione të vjetëruara dhe të pasakta për universitetet. Edhe një lidhje e dukshme në faqen kryesore me titullin Pranime ne universitete të dërgon tek një faqe ku ka vetëm një lajm në lidhje me Pranimet 2008 (Përcaktimi i koeficientëve të shkollave të mesme). Asnjë informacion tjetër nuk gjendet këtu për degët, fakultetet, universitetet, programet mësimore, e të tjera që duhet të ndihmonin maturantët shqiptarë në zgjedhjen e degës për të studiuar.

2. Dy universitetet më të vjetra dhe të afirmuara të Shqipërisë, UT dhe UPT, nuk kanë prezencë zyrtare në Web. Kjo është sidomos e turpshme kur mendon që këto dy universitete prej shumë vitesh diplomojnë dhjetëra studentë në informatikë dhe inxhinieri kompjuterash. Edhe sikur të mos e paguanin dot faturën përkohësisht universitetet, a nuk gjendeshin dot ish-studentë, pronarë shërbimesh interneti privat (dhe të tillë ka plot), që të pranonin të mos hiqnin prizën për faqet e Internetit dhe ta merrnin pagesën kur të miratohej buxheti?

3. I vetmi universitet publik në Shqipëri që e ka marrë seriozisht rëndësinë e prezantimit në Web është Universiteti i Vlorës. Ndoshta emërimi i rektorit të ri, Tanush Shaska, i ardhur drejtpërdrejt nga SHBA në këtë post, ka qënë vendimtar në këtë drejtim. Megjithëse dhe faqet e këtij universiteti nuk janë të përkryera (shumë programe mësimore janë tërësisht në anglisht, dhe pa referenca për librat që do të përdoren), të paktën informacionet janë freskuar së fundi (gjë që s'mund të thuhet për universitetet e rretheve Korçë dhe Gjirokastër).

Nga ana tjetër asnjë nga faqet e universiteteve publike të Shqipërisë nuk i afrohet për nga cilësia e paraqitjes dhe e informacionit faqeve zyrtare të dy universiteteve shqiptare jashtë kufijve, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës. Dhe kjo të bën të mendosh që më shumë se çështje politike apo financiare, mungesa e prezencës në Internet nga universitetet shqiptare tregon mbi të gjitha mungesë vullneti dhe përgjegjësie.

Sunday, July 13, 2008

Fragebogen

Max Frisch, zvicerian nga Zyrihu (1911 - 1991), cilësohet si një nga autorët më të famshëm të letërsisë gjermane të shekullit të XX. Mes veprave të tij, dallohen dhe dy ditare: Ditar 1946-1949 dhe Ditar 1966-1971, të cilët autori i botoi gjatë jetës së vet dhe përmbajnë jo vetëm rrëfime të udhëtimeve në Europën e pasluftës por dhe skica e ide që më vonë u shndërruan në romane dhe drama të autorit. Frisch mbi të gjitha ishte dhe një vëzhgues kritik i shoqërisë njerëzore, dhe i interesuar për të shikuar në thellësi të mendjeve dhe shpirtrave. Shtëpia botuese gjermane Suhrkamp, ka shkëputur nga ditari i dytë një listë të gjatë me 11 pyetsorë dhe i ka botuar si një libërth të vogël, Fragebogen. Po ndaj këtu me ju disa nga pyetjet që i kushtohen temës së miqësisë. Temat e tjera të pyetsorëve janë: martesa, femrat, shpresa, humori, paraja, atësia, atdheu, pasuria, dhe vdekja.

1. A ju duket se jeni një mik i mirë?

2. Çfarë përjetoni si tradhti:
a. kur e bën tjetri?
b. kur e bëni ju?

3. Sa miq keni momentalisht?

4. A e quani kohëzgjatjen e një miqësie si njësi matëse të saj?

5. Çfarë nuk do t'ia falnit një miku:
a. dyfytyrësinë?
b. faktin që ju "rrëmben" të dashurën?
d. ironinë edhe përkundrejt jush?
e. që nuk e duron kritikën?
f. që vlerëson dhe frequenton me qejf persona më të cilët ju jeni armiqësuar?
g. që ju nuk keni asnjë influencë mbi të?

6. A do të donit të jetonit dhe pa miq?

7. A do ta shikonit një qen si mik?

10. Kujt i frikësoheni më tepër: gjykimit të një miku apo gjykimit të një armiku?

11. Përse?

13. Nëse dikush është në gjendje t'ju ndihmojë me para, ose ju jeni në gjendje të ndihmoni dikë me para, a e shihni këtë si rrezik për miqësinë e deriatëhershme?

16. Sa sinqeritet prej mikut mund të duroni: në shoqëri, në një letër, vetëm mes jush?

17. Supozojmë që ju keni një mik që nga ana intelektuale është superior mbi ju: a ju ngushëllon nga ky fakt miqësia e tij, apo dyshoni fshehtas në këtë miqësi, se mund ta keni fituar vetëm nga admirimi, besnikëria dhe gatishmëria?

19. Si flisni ju për miq të humbur?

20. Nëse ju ka rënë rasti që të bëni diçka kundër ndërgjegjes tuaj për hir të miqësisë, a keni mundur ta ruani miqësinë më pas?

21. A mund të ketë miqësi pa një afinitet në humor?

23. Sa i madh mund të jetë ndryshimi në vite në një miqësi?

25. A jeni ju një mik i mirë i vetvetes?

Teksa lexoja këto pyetje, nuk mund të mos vija re që autori e quan "rrëmbimin e së dashurës" si një arsye të mundshme për të prishur miqësinë. Kjo duket të jetë një temë e ndjeshme për shumë shkrimtarë, sepse më kujton të paktën dy romane (që më pëlqejnë), ku kjo temë zë një vend të rëndësishëm. I pari (ku miqësia nuk u prish) është "Zbulimi i parajsës" nga hollandezi Harry Mulisch, i dyti (ku miqësia u prish) është "Prushi" nga hungarezi Sandor Marai.

Pyetja ime për ju do të ishte: kur filloni ju ta quani një person mik, kur ndaloni?

Thursday, July 3, 2008

Gazetarët piratë dhe Google

Në javët e fundit janë shtuar sulmet pirateske të gazetarëve të shtypit ndaj blogosferës shqiptare. Rritja e shkruesve në këtë blogosferë si dhe e temave që ata trajtojnë e ka bërë mjaft të lehtë për disa gazetarë të kopjojnë artikuj të tërë ose pjesë artikujsh të publikuar fillimisht në blogosferë për t'i botuar më pas nën emrin e tyre, pa përmendur fare që teksti origjinal (dhe ideja e artikullit) i përket dikujt tjetër. Kështu përshembull ndodhi me një intervistë frëngjisht të Fatos Kongolit, përkthyer në shqip dhe publikuar në blogun Albanie-Albanais, e cila u publikua më pas pa asnjë referencë tek gazeta Shekulli. Të njëjtin fat patën një postim mbi pikturën në realizmin socialist i blogut Arti në kohërat e kolerës, pjesë të të cilit u kopjuan fjalë për fjalë në një artikull të gazetës Agon, apo dhe një pjesë e postimit mbi vdekjen e George Carlin nga blogu Busulla të botuar në gazetën elektronike HermesNews. Ndërkaq, lëvrues më të hershëm të blogosferës shqiptare si Selfmaderadio apo Albtranslator kanë pohuar që atyre u ka ndodhur shpesh ky fenomen me shkrimet e tyre dhe tashmë nuk mërziten më.

Megjithë mirëkuptimin që mund të kem për gazetarët e rinj shqiptarë (sepse aktet e piraterisë janë kryer nga të tillë të rinj), pasi shpesh janë të mbingarkuar, të keqpaguar, e të përdorur pa mëshirë nga botuesit e gazetave, ta nisësh karrierën e gazetarisë me akte të tilla jo-etike nuk lë të parashikosh asgjë të mirë për të ardhmen e gazetarisë, sidomos nëse ky fenomen ngelet i paevidentuar dhe i pakritikuar. Dikush që gënjen mbi autorësinë e shkrimit ku vendos emrin, nuk do të mendohet gjatë të gënjejë dhe për gjëra të tjera, ndoshta jetike, në të ardhmen.

Duke mos marrë parasysh justifikimin që ky akt është i detyruar nga ngarkesa e punës - sepse një shembull pozitiv nga Shqipëria gjendet tek gazeta Standard, e cila boton një suplement me shkrime nga blogosfera, duke iu referuar gjithnjë autorëve të materialeve, pa pretenduar autorësi - unë shoh dy arsye kryesore pse këta gazetarë bëjnë veprime të tilla:

1) Mendojnë që artikulli i tyre i kopjuar nuk do të bjerë në sy në morinë e shkrimeve dhe gazetave të përditshme shqiptare.

2) Besojnë që dhe po u mor vesh, blogshkruesit, meqë shumica nuk ndodhen as fizikisht në Shqipëri, nuk kanë ndonjë mundësi për të dëmtuar karrierën e tyre.

Për mendimin tim, në të dyja rastet ata gabojnë. Së pari, vërtet autorëve të blogeve mund të mos iu bjerë në sy përvetësimi i padrejtë i punës së tyre nga këta gazetarë, por në shumicën e rasteve ata njoftohen nga lexues të blogeve të tyre, dhe më pas kanë mundësi të denoncojnë këto akte piraterie. Një mënyrë dhe më e sigurtë është kërkimi përmes shërbimeve të specializuara kundër plagjiarizmit, që ofrohen nga website si BitScan ose Copyscape. Mjafton të jepet adresa e një artikulli, dhe brenda disa sekondave do të shfaqen gjithë ato faqe në Web që përmbajnë fjali apo paragrafë nga artikulli primar. Pra, akti piratesk është i zbulueshëm.

Së dyti, ndonëse autorët e blogeve mund ta kenë të vështirë (ndoshta dhe të pamundur) të ndërmarrin akte legale kundër gazetarëve piratë, kjo nuk do të thotë që ata nuk mundin të dëmtojnë rëndë reputacionin e këtyre gazetarëve. Sidomos reputacionin e tyre në Internet. Për të bërë këtë gjë, blogshkruesit mjaftojnë të dinë të përdorin përparësitë që ofrojnë programet e kërkimit në Internet si puna e Google. Para se të shpjegoj sesi mund të realizohet kjo, po e filloj me një shembull.

Supozojmë që po kërkoni diçka për Jozefina Topallin. Shkruani emrin e saj në Google dhe çfarë do të merrni janë rezultatet e mëposhtme:

1. Jozefina Topalli - Wikipedia, the free encyclopedia
2. YouTube - Topalli kerkoi listen e SMS-ve te derguara
3. Kuvendi i Shqiperise
4. Albanian parliament speaker visits Kosovo (SETimes.com)
5. European Conference of Presidents of Parliaments
6. Silobreaker: Jozefina Topalli
7. Parliamentary Exchanges -- Visit to Canada of Her Excellency ...
...

Google gjithashtu ju bën të ditur që ka gjetur 391000 rezultate që përmbajnë emrin e kërkuar. Por në faqen e parë ka shfaqur vetëm 10 të tillë. Nga dhjetë rezultatet e treguar, vetëm dy i përkasin faqeve shqiptare (Kuvendi i Shqipërisë dhe Wikipedia në Shqip). Tani pyesni veten, si ka mundësi që asnjë gazetë apo faqe tjetër shqiptare që mund ta lakojë dhjetëra herë emrin e Topallit nuk ndodhet në listë, ndërkohë që disa artikuj sporadikë gazetash të huaja, ndodhen në dhjetëshen e parë.

Përgjigjja qëndron në faktin që Google nuk mjaftohet që një emër gjendet në një faqe, por përdor disa formula matematike që marrin në konsideratë (mes të tjerave) këto elemente:

a) Sa e famshme është adresa ku është vendosur faqja që përmban fjalën e dëshiruar?
b) Sa faqe të tjera interneti janë të lidhura me faqen që përmban fjalën e dëshiruar? Në terminologjinë teknike këto quhen "backlinks" (lidhje mbështetëse). Sa më i madh të jetë numri i këtyre lidhjeve mbështetëse, aq më mirë për një faqe.
c) Sa të famshme janë faqet që shërbëjnë si lidhje mbështetëse? Për ta kuptuar këtë, le të bëjmë një analogji me fushën e letërsisë. Nëse një autor i ri ka si mbështetës Ismail Kadarenë, atëherë kjo mbështetje ka një peshë më të madhe sesa mbështetja që ai do të kishte nga Luljeta Lleshanaku.

Në bazë të kombinimit të këtyre elementeve, llogaritet një koeficient i cili përcakton që cilat faqe do të shfaqen në dhjetëshen e parë. Dhe meqë Wikipedia anglisht dhe YouTube janë nga faqet e Internetit më të famshme në botë, pavarësisht cektësisë së postimeve të tyre për Topallin, ato dalin të parat. Ndërkohë Google di dhe të njohë faqe zyrtare si ato të parlamenteve dhe qeverive, ndaj i shfaq dhe ato.

Pikërisht në mënyrën si punon Google, qëndron dhe mundësia për të dëmtuar reputacionin e gazetarëve piratë. Të paktën tre mënyra janë të mundshme:

1) Denoncimi të bëhet në një faqe të famshme, si psh YouTube (një video me foto të artikullit të vjedhur) duke e titulluar me emrin e gazetarit që ka kryer aktin). Facebook dhe MySpace janë disa kandidatë të tjerë.
2) Krijohet një website i posaçëm ku grumbullohen denoncime të tilla për të gjithë gazetarët dhe gazetat pirate. Më pas, krijohen lidhje nga faqe të famshme me këtë website. Psh, nga një faqe e Wikipedeas shqiptare (në temën e plagjiarizmit), nga faqet e Peshkut pa ujë, Forumit Shqiptar, si dhe në ato të forumeve e blogjeve të tjera shqiptare. Sa më shumë lidhje mbështetëse, aq më e sigurtë renditja në krye të Google.
3) Denoncimi bëhet në blogun që e ka pësuar nga pirateria. Blogshkruesi kërkon solidaritetin e komunitetit për t'i bërë jehonë lajmit në sa më shumë bloge të tjerë, duke kërkuar që të gjithë të vënë një lidhje me denoncimin, të shoqëruar me emrin e gazetarit pirat (emri shërben si ankora për lidhjen). Ky fenomen është i njohur sidomos në fushatat elektorale në Amerikë, dhe quhet Google bombs.

Po e përfundoj duke shpresuar që të mos jetë i nevojshëm përdorimi i këtyre taktikave. Por nëse gazetarët do të sulmojnë sërish, shpresoj që blogshkruesit të jenë të përgatitur për të kundërsulmuar.

P.S. Kush dëshiron të informohet më shumë për fenomenin e plagjiarizmit në Internet dhe si të luftohet, rekomandoj blogun: www.plagiarismtoday.com.