Friday, April 25, 2008

Duke ndjekur mbaresat

Morfologjia, ajo disiplinë e gjuhësisë që studion formimin e fjalëve, paraqitet shumë komplekse dhe shpesh krejt e parregullt. Për shembull, për të krijuar mbiemra (ose dhe emra) nga emërtimet e shteteve, qyteteve, dhe krahinave, ekzistojnë një mori mbaresash, zgjedhja e të cilave duket sikur bëhet në mënyrë fare të rastësishme. Le të shohim disa shembuj konkretë:

Mbiemra nga shtetet:
-ak: boshnjak, kazak, polak, etj.
-an: amerikan, kuban, meksikan, etj.
-as: argjentinas, azerbajxhanas, kamerunas, etj.
-ez: anglez, danez, francez, etj.
-ian: algjerian, australian, brazilian, etj.
-?: arab, belg, grek, moldav, rumun, rus, serb, spanjoll, etj. (të parregullt)

Mbiemra nga qytetet/krahinat (shqiptare):
-ak: durrsak, fierak, ulqinak.
-an: shkodran, dibran, krutan, dardan, tropojan, matjan, lumjan, pejan.
-ar: korçar, lushnjar, përmetar, pogradecar, kolonjar, kosovar, tetovar, gjakovar
-as: beratas, elbasanas, tiranas, kavajas, ersekas, tepelenas, shijakas, burrelas, peqinas, kurveleshas, martaneshas.
-ian: lezhian, pukian, kuksian, laçian, (ardian).
-it: gjirokastrit, devollit, dropullit, zagorit.
-iot: delvinjot, sarandiot, mallakastriot, lunxhiot.
-?: vlonjat, mirditor.

Meqë shpesh nuk ka ndonjë arsye logjike për të zgjedhur një mbaresë kundrejt tjetrës, kjo bëhet shpesh shkak gabimesh. Kështu, presidenti Bush thuhet të ketë thënë shprehje si:

"Keep good relations with the Grecians."
"Kosovians can move back in."

duke përdorur në këto raste mbaresën -ian për të krijuar emrat nga Greece (Greqi) dhe Kosovo. Mënyra e saktë për anglishten është Greeks, Kosovars, që të dyja raste të veçanta, ndaj Bush-it i falet padituria e tij (po ndoshta nuk i falet ndihmësve të tij që i shkruajnë fjalimet).

Është interesant që mbiemri vlonjat devijon nga emri i qytetit më shumë se ato të qyteteve të tjerë, dhe ka të njëjtën mbaresë si labeat apo dalmat, fise të kohës së ilirëve, të zonave bregdetare. Një gjë tjetër që të bie në sy është që përveç mirditor, nuk ka ndonjë mbiemër tjetër që mbaron me -or, megjithëse -or është një nga mbaresat statistikisht më të përhapura të shqipes (njerëzor, kohor, rrugor, qendror, trupor, ujor, etj.).

Ndërkohë, nuk mund të mos vësh re që mbaresat kanë një përkatësi gjeografike (-it dhe -iot i përkasin jugut, -an dhe -ian veriut). Duke iu referuar dhe njëherë statistikës, mbaresa -ar dhe bijat e saj -tar dhe -uar janë më të përhapurat në mbiemrat e gjuhës shqipe:
bujar, detar, djaloshar, fshatar, krenar, kureshtar, letrar, vjeçar, etj.;
atdhetar, amtar, besimtar, fetar, kombëtar, lajkatar, lajmëtar, lojtar, etj.;

A mos tregon kjo që banorët e zonave që mbarojnë me këtë mbaresë janë ata që kanë ndikuar më shumë në zgjerimin e fjalorit të shqipes?

P.S. Frymëzimi për këtë postim më erdhi pas leximit të një leksioni për Morfologjinë, ku ndodhen dhe shembujt e presidentit Bush.

Wednesday, April 23, 2008

Pranë dijes, i panxënë!

Në ditën e djeshme (22 Prill), artikulli më i lexuar i New York Times ishte një opinion nga Bob Herbert, i titulluar "Clueless in America". Qëllimi i artikullit ishte të analizonte të dhënat e fundit në lidhje me nivelin e arsimimit dhe dijeve në Amerikë.

Disa nga faktet e dhëna në artikull ishin:
  • çdo 26 sekonda, një fëmijë braktis shkollën (kjo bën që në një vit numri total të mbërrijë në mbi 1 milion)
  • një e treta e nxënësve të nivelit të shkollës së mesme nuk përfundon shkollën
  • një tjetër një e tretë, megjithëse e mbaron shkollën, nuk është e përgatitur me dije për fazën e mëtejshme (qoftë profesion, qoftë arsim i avancuar)
Pastaj kishte rezultate anketimesh që tregojnë që 1/4 nuk njohin Adolf Hitlerin, 1/3 nuk dinë që "Karta e të drejtave" (Bill of Rights) përmban të drejtën për lirinë e fjalës dhe të praktikimit fetar, ose 1/2 nuk dinë kur është zhvilluar Lufta Civile në Amerikë.

Këto statistika e fakte më bënë të pyesja veten si është situata në Shqipëri dhe gjëja e parë që bëra ishte një vizitë në faqen e INSTAT (Instistuti Statistikës). Megjithëse në faqen kryesore duket sikur INSTAT ende punon rregullisht, Zyra e Shtypit ka që nga data 23.06.2006 që nuk jep asnjë njoftim për shtyp. Po të klikosh tek Treguesit Socialë dhe më pas Arsimi, shikon që nuk ka statistika të përpunuara që nga fillimi i vitit shkollor 2005-06, megjithëse tani jemi në prag të mbarimit të 2007-08.

Sidoqoftë, në këtë faqe gjenden disa tabela Exceli që tregojnë të dhëna për vitet 1991 - 2005. E keqja është që tabelat nuk të japin mundësinë që të vlerësosh sesa nga nxënësit që fillojnë shkollën në vitin e parë, arrijnë të marrin dëftesën e pjekurisë pas mbarimit të shkollës. Ato përmbajnë vetëm të dhëna të tilla:

- Numri i përgjithshëm i nxënësve të rregjistruar në shkollat e mesme (në të gjitha vitet).
- Numri i përgjithshëm i nxënësve të diplomuar (dëftesa e pjekurisë) në një vit të caktuar.

Është për tu trishtuar vërtet, që viti me numrin më të lartë të të diplomuarve nga shkolla e mesme është viti 1991-1992 (me 30616 nxënës). Duke filluar nga ai vit, ky numër ka njohur ulje për shumë vite me rradhë, dhe ka filluar të rritet ngadalë nga 1999, ende pa arritur pikun e 1991/92. Për krahasim, bashkova të dhënat e dy tabelave (të diplomuarit dhe të rregjistruarit të përgjithshëm në një vit), dhe krijova grafin e mëposhtëm:

Meqënëse mungon numri i atyre që rregjistrohen në vitin e parë çdo vit, është e vështirë të përcaktojmë raportin e atyre që diplomohen në fund. Është e çuditshme, që pikërisht një statistikë e tillë e rëndësishme, mungon në tabelat e INSTAT-it. Tek e fundit, si e mat suksesin e politikave arsimore qeveria shqiptare?

Mendova që statistika të tilla mund t'i gjeja në faqet e Ministrisë së Arsimit, po presantimi në Internet i kësaj ministrie i ngjan më shumë një reklame për ministrin Genc Pollo, sesa atij të një institucioni që e merr seriozisht detyrën e tij, duke paraqitur me shifra konkrete, atë që duhet ta quajmë arritjen kryesore të politikës arsimore, dhe që do të dukej qartë në tre statistiska të thjeshta:

  • sa përqind e 15-vjeçarëve shqiptarë kanë mbaruar arsimin e nivelit 9-vjeçar?
  • sa përqind e 18-19 vjeçarëve shqiptarë kanë marrë dëftesën e pjekurisë?
  • sa përqind e 22-23 vjeçarëve shqiptarë kanë një diplomë të shkollës së lartë?

Asnjë arritje tjetër nuk do të fliste më shumë, sesa rritja nga viti në vit i këtyre tre numrave.

A nuk ka gazetarë shqiptarë që janë të interesuar të hetojnë me fakte, se sa të sukseshme janë në të vërtetë politikat arsimore në Shqipëri? Pse flenë ata?

Saturday, April 19, 2008

Doctor Who

Të premten, datë 18 Prill 2008, kanali kabllor amerikan SciFi filloi transmetimin e serialit 4 të telefilmit anglez (të prodhuar nga BBC Wales) "Doctor Who". Siç e do tradita e "Doctor Who", episodi i parë ishte një episod special, sepse ngjarjet e tij zhvillohen gjithnjë në ditën e krishtlindjeve, dhe shfaqet po atë natë në Britaninë e Madhe. Episodi i kësaj here, i titulluar "Voyage of the Damned" (Udhëtimi i të mallkuarit), kishte si aleate të Doktorit (i luajtuar në tre serialet e fundit nga i mrekullueshmi David Tennant) këngëtaren austrialiane Kylie Minougue. Episodi ishte vërtet tërheqës, ngjarjet zhvilloheshin në një anije fluturimi të quajtur "Titanic", e cila, sikur të mos ishte ndërhyrja e Doktorit dhe e ndihmësve të tij, do të kishte shkatërruar planetin e Tokës, bashkë me vetveten.

Nuk jam në dijeni nëse ndonjë televizion shqiptar i ka blerë të drejtat televizive për "Doctor Who", ose nëse BBC One është pjesë e ndonjë pakete satelitore që kapet në Shqipëri, por do të ishte njëkohësisht edukuese dhe argëtuese për publikun shqiptar (sidomos të rinjtë), nëse do të kishte mundësi të ndiqte aventurat nëpër hapësirë dhe kohë të "Doktor Who" dhe shoqëruesve të tij.

Nuk e di ku të filloj e ku të mbaroj me lëvdatat për "Doctor Who". Për mua është momentalisht seriali më i mirë në eterin televiziv. Asnjë serial tjetër nuk bashkon në një mënyrë kaq intelligjente dhe me një humor human, aq shumë nga temat morale, sociale, dhe politike që shqetësojnë epokën tonë. Mbi të gjitha: respekti për gjallesat (në çfarëdolloj forme aliene që ajo të marrë), mendja e hapur (toleranca) ndaj të panjohurës, dilema e zgjedhjes mes të mirës së përgjithshme dhe asaj personale, evolucioni i specieve, konflikti (ende joreal) njeri-makinë, sakrifikimi dhe vetësakrifikimi, diktaturat dhe brain-washing, ideologjizimi fanatik, etj. etj.

Dhe padyshim, edhe për dikë që nuk interesohet për tema të tilla, filmi është një aventurë që bashkon gjithë elementët e zhanrit "science fiction": anije kozmike që flutorojnë me shpejtësinë e dritës, udhëtime para e mbrapa në kohë, alienë të të gjitha përmasave dhe formave, raca jonjerëzore super të sofistikuara, dhe efekte të tjera të tilla.

Por mbi të gjitha qëndron figura komplekse e Doktorit, një 903-vjeçar, nga specia e zhdukur e "Zotërve të Kohës" (time lords), që ka aftësinë të rigjenerojë vetveten (kjo është dhe një mundësi që i lejon autorët e filmit të ndryshojnë aktorët që luajnë Doktorin, sepse pas çdo ringjalljeje, Doktori ka mundësi të ndryshojë pamjen fizike, por nuk humbet memorien). Ai ka një anije kozmike në formën e një kabine telefonike, të quajtur TARDIS, e cila në një farë mënyrë mund të quhet si një anije magjike (megjithëse ajo që ne shikojmë si magji, është produkt i një teknollogjie të avancuar aliene), për shkak të shumë tipareve të jashtëzakonshme që zotëron (një prej tyre është përkthimi simultan i gjuhës së çdo qënieje në univers).

Së fundi, çdo episod (dhe ata më tragjikët, dhe të tillë ka disa), nuk mungon kurrë të ketë ato elemente të humorit spontan anglez, që i bën anglezët të dallohen në të gjithë botën.

Për të gjita këto që thashë, uroj shumë, që dhe shikuesit shqiptarë të kenë së shpejti mundësinë të njihen dhe miqësohen me "Doctor Who".

P.S. Titulli i filmit "Doctor Who" është një shaka që përsëritet shpesh në film. Doktori e thërret gjithnjë veten: "The Doctor" (Doktori), dhe ata që e takojnë pyesin: "Doctor Who?" (Doktori kush?, dmth kush është emri që vjen mbas titullit Doktor).

Wednesday, April 16, 2008

Vendimmarrje (1)

Disa ditë më parë Selfmaderadio kishte lënë një koment për postën time Fjalëpaku, punëshumi!, dhe unë premtova që do të reflektoj mbi idetë e saj. Meqë komenti prek disa tema, unë po i ndaj në dy pjesë përsiatjet e mia për problemin.

Selfmaderadio >> Une kisha nje ngacmin ne pjese e fundit kur thua se (me te drejte) qe nepermjet lodrave ne kompjuter dhe fMRI ne shohim (masim) punen. Por, ne shohim vetem produktin perfundimtar, dhe jo shkaqet qe çuan atje; snjehere nuk do dime ne se keta nejrez ishin vetevetja kur moren ato vendime qe moren.

Pjesa e fundit e fjalisë, duket sikur sugjeron që ka raste, kur një individ që po merr një vendim e ka mendjen të pushtuar nga një "vete" jashtë apo brenda vetvetes së zakonshme. Kjo është një temë që sidomos Hollywood-i e ka shumë për zemër (në formën e dyshes së famshme: Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde), por meqë ky fenomen mund të shikohet si sëmundje, dhe nuk është i përhapur, besoj që mund ta eliminojmë. Atëherë ngelet ta shikojmë nga pikëpamja që individët ose në mënyrë të vetëdijshme vendosën të mashtronin eksperimentuesit, ose ata mashtruan në mënyrë të pavetëdijshme (ku me mashtrim do të nënkuptojmë që nuk u sollën si vetvetja). Meqë shumica e eksperimenteve bazohen mbi një kampion individësh, të cilët në shumicën e rasteve nuk e njohin dhe nuk kanë kontakt me njëri-tjetrin, mund të përjashtojmë një skenar shumë-autorësh për të sabotuar eksperimentin. Nëse individë të izoluar do ta bëjnë këtë gjë, unë besoj që ata janë një minorancë që mund të skartohet gjatë përpunimit statistikor të rezultateve. Prandaj ngelet vetëm hipoteza, që mund të ketë individë, që për arsye se nuk e njohin mirë vetveten, mund të veprojnë në një mënyrë të tillë që kompromenton rezultatet. Unë nuk kam marrë ndonjëherë pjesë në përgatitje eksperimentesh me subjekte humanë, por besoj që kjo duhet të jetë një çështje që arkitektët e eksperimenteve duhet ta kenë marrë parasysh. Një mënyrë që më vjen në mend, është përsëritja e qëllimit të eksperimentit duke ndryshuar formën e tij, pra riformulimi i të njëjtës situatë me skenarë të ndryshëm. Një mënyrë tjetër është që të ripërsëritësh eksperimentet në distanca kohore, për të parë nëse rezultatet janë të ripërsëritshme. Pra, nëse është çështje metodollogjike, besoj që kjo e ka një zgjidhje të mbështetur në mekanizma statistikorë.

Por ajo që shqetëson ndoshta dhe më shumë Selfmaderadio, është që dhe kur dimë rezultatin, ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë pse u arrit në këtë rezultat. Në vazhdim do të spekuloj sesi e shikoj unë këtë dukuri. Mund të jetë e mundur që koncepti i "shkakut" është thjesht një kategori abstrakte e krijuar nga njerëzit, dhe nuk i përgjigjet një procesi në tru. Në fakt po t'i hedhim një sy zhvillimit të shoqërisë njerëzore, është e qartë që nga shekulli në shekull, duke grumbulluar më shumë dije, njerëzit kanë prodhuar arsyetime përherë e më të sofistikuara. Një nga këto është racionalizimi, fakti që ne ndjejmë nevojën (ose jemi të detyruar nga ambjenti ku jetojmë) për të justifikuar çdo veprim tonin, sidomos ata që janë jashtë normës (ose natyrës tonë).

Nga ana tjetër, meqë njerëzit në jetë kanë shumë vendime për të marrë, të paktën ato vendime që janë të domosdoshme për mbijetesën e tij si specie, janë hard-wired (të çimentuara) në tru. Një pjesë tjetër vendimesh merren me atë që quhet "reinforcement learning" (mësimi përmes përforcimit). Kjo nënkupton që shumë herë në jetë, sidomos në situata që nuk i kemi ndeshur kurrë, ne mund dhe të marrim vendimin e gabuar. Nëse gabimi nuk është fatal, kuptohet që s'kemi për ta bërë më atë gabim (po të jemi të zgjuar). Ajo çka shikoj unë si më e rëndësishmja, është aftësia për të abstraguar dhe për të dalluar analogji mes situatave. Kjo do të na ndihmonte pastaj që në çdo situatë, pavarësisht sa e re do të ishte kjo për ne, të ishim në gjendje të zbatonim të njëjtin mekanizëm arsyetimi si në një situatë të ngjashme nga e kaluara.

Abstragimi, analogjia, gjenerimi i opsioneve, janë të tëra karakteristika të asaj që quajmë vetvete. Dhe kjo na sjell tek (pa)aftësia për të njohur vetveten. Nëse e njohim vetveten, jemi në gjendje të shpjegojmë çdo vendim që marrim (përjashto ata që janë hard-wired, megjithëse ajo që ne quajmë vullneti i lirë (free-will) shpesh na bën që të marrim vendime të kundërta me ato që janë hard-wired, psh, të hidhemi në lumë për të shpëtuar një të panjohur).

(vazhdon)

Tuesday, April 15, 2008

Matës i suksesit

Më pëlqen që ky blog po më jep mundësinë për dialog me Selfmaderadio, ndaj dhe këtë postë do t'ia kushtoj komentit të saj të fundit.

e paditur >> Nderkohe qe duke shikuar se cfare kane arritur keta njerez ne jete, mund te perfitosh nje pamje me te qarte, se kush eshte thelbi i tyre.

Selfmaderadio >> Si e masim se cfare kane arritur njerezit ne jete? Nuk e di se ne cfare konteksti e ke kete fjali ne koken tende. Do me interesonte, nese ke kohe.

Besoj që suksesin e një individi në jetë mund ta masim të paktën në tre dimensione (mund të ketë dhe më shumë, sepse çdo dimension është i lidhur me rolin që një individ luan në një moment të caktuar). Por besoj që mund të biem dakord që, të paktën në kohën që jetojmë, tre janë rolet kryesorë që mund të luajë një individ:
  • roli në kontekstin familjar (prind, fëmijë, nip, gjyshe, etj.)
  • roli në kontekstin shoqëror (qytetar, mik, votues, fqinj, blerës, ndotës ambjenti, i droguar, bamirës, etj.)
  • roli në kontekstin ekonomik (ku ekonomi po quajmë në tërësi sistemin që merret me shkëmbim vlerash e shërbimesh. Në këtë kontekst roli është ai i profesionit: politikan, gazetar, sportist, mjek, profesor, etj.)

Çdo invidid që arrin të maksimizojë suksesin e tij njëkohësisht në të tre këto dimensione, mund të quhet si më i suksesshmi. Për shumicën e njerëzve, kjo është një utopi. Është utopi për faktin e thjeshtë që secili rol është i lidhur me një kosto të lartë. Meqë energjia dhe koha e çdo individi është e kufizuar, është e pamundur që një individ të jetë në gjendje të paguajë koston totale të suksesit të përgjithshëm. Prandaj një pjesë ose mjaftohen vetëm me një dimension (shumë prindër quajnë suksesin e tyre më të madh në jetë fëmijët që kanë lindur, rritur, dhe edukuar), ose oshilojnë në shkallën e sukesit të çdo dimensioni sipas periudhave kohore ose prioriteteve të momentit. (Për shembull, shumë femra e shtyjnë krijimin e familjes deri në moshën 35-40 vjeçare, sepse duan të arrijnë suksesin maksimal në karrierë.)

Sidoqoftë, suksesi i individit është diçka që nuk i shpëton dot interpretimit të influencuar nga morali i shoqërisë që bën gjykimin. Për shembull, momentalisht në Shqipëri mund të themi që suksesi ekonomik vlerësohet në kurriz të atij shoqëror. (Dikush mund të jetë trafikant njerëzish, por s'i bëhet fare vonë që po shfrytëzon më të dobëtit e nevojtarët, bile familja dhe miqtë e nxisin në këtë rol. Mjafton të kujtojmë që shumë nga vajzat e shfrytëzuara për prostitucion janë nën një presion të madh nga ana e familjarëve të shfrytëzuesve të tyre, për të tërhequr akuzat.) Fenomene të tjera si ndotja e ambientit, shpërfytyrimi urban, shkatërrimi i ambjenteve dhe pronës publike, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, shitja e mallrave të skaduar, kontrabanda e Gërdecit, e shumë të tjera si këto, tregojnë qartë që matja e suksesit vetëm në dimensionin ekonomik është shndërruar në të vetmin matës suksesi në shoqërinë shqiptare.

Prandaj, besoj që fjalia ime e cituar në fillim të postës, vërtet ishte e paqartë, dhe Selfmaderadio kishte të drejtë të kërkonte sqarim. Ne nuk mund t'i masim arritjet e një individi pa përcaktuar qartë kush është dimensioni i suksesit dhe kush është kompasi moral i shoqërisë ku po vlerësohet suksesi.

Përbuzja ime u drejtohet atyre individëve të hapësirës mediatike shqiptare (politikanë, analistë, komentatorë) që monopolizojnë debatin duke marrë përsipër dhe përcakimin e dimensionit të suksesit, dhe atë të krijimit të etikës/moralit, në mënyrë që të jenë ata të vetmit fitues. Ata janë fjalëshumët "par excellence".

Sunday, April 13, 2008

Dinpaku dhe Dinshumi

Kur titullova postën time të fundit, "Fjalëpaku, punëshumi", mendoja që kjo është një fjalë e urtë popullore që duhet ta kisha dëgjuar dikur. Sidoqoftë, një kërkim i mëpasshëm në Google, nuk ndeshi asnjë përdorim të saj. Kjo më bëri të mendohesha më tej, dhe më në fund e gjeta përgjigjen tek dy personazhet e njërit nga librat më të dashur të fëmijërisë time: "Aventurat e Dinpakut dhe të shokëve të tij", ku dy personazhet në fjalë janë, sigurisht, Dinpaku dhe Dinshumi. Për fat të keq, ka më shumë se 15 vjet që librin ua dhashë fëmijëve të një komshiu në Tiranë, dhe ja kam humbur adresën. Sidoqoftë, shpresoj që kur të rikthehem, ndoshta do të mund ta gjej në ndonjë librari të Tiranës. Një kërkim në Google tregon që shtëpia botuese UEGEN e ka ribotuar në vitin 2002.

E kam pëlqyer gjithnjë idenë e librave për fëmijë, për të emërtuar personazhet me tipare të ndryshme qoftë të karakterit, qoftë të pamjes fizike. Tek Aventurat e Dinpakut me kujtohen të paktën tre tipe emrash:
- pamja fizike: (Petulla, ?)
- profesioni (Kinina, Pinca, Vida)
- sjellja (Dinpaku, Dinshumi)

Megjithëse u përpoqa ca, nuk arrij të tërheq nga kujtesa të gjithë emrat e 16 beqarëve meshkuj të librit që ndërtuan balonën për të gjetur qytetin ku jetonin vajzat beqare. S'më kujtohen as emrat e dy qyteteve, apo ndonjërës nga vajzat që ata takojnë.

Por më kujtohet pamja e librit, e njëjtë me atë të dispensave universitare, me faqet e ashpra ne format A4 ose me të madh. Si dhe pikturat e shumta që ndodheshin në çdo faqe. Në Internet informacionet për përkthyesin janë ca kontradiktore, diku thuhet Bedri Dedja, dhe diku tjetër Jorgji Dhoksani. Kushdo që të ketë qënë, meriton vlerësimin më të lartë për shqipërimin e tekstit. Një gjë e kam ende në kujtesë ama. Dy vjersha që janë si lojëra fjalësh, të cilat i recitonte dhe gjyshja ime, megjithëse ajo s'e dinte kush ishte Dinpaku. Besoj që vjershat të kenë qënë të Jugut të Shqipërisë, dhe të jenë përdorur në vend të atyre të origjinalit.
Ja se ç'më kujtohet mua:

Onomëna, donomëna
triferi, kalloferi
pendë, pendë, pinaqeri
urdhi, curdhi
cingla na urdhi

Onomëna, donomëna
trejson, zoti kon
konica, berbelica
syzi, syqershi
del e merr kokëçarë
pasliq, kaciq

Sigurisht që s'kanë asnjë kuptim, por është taman ai lloj gjepurash që mund të shpikin fëmijët.

Një kërkim në Google për autorin rus, Nikolai Nosov, nxjerr në dukje që "Dunno's Adventures" qënkan të përkthera dhe në anglisht si një seri librash, dhe po kështu dhe në gjermanisht, psh, "Nimmerklug in Sonnenstadt". Do të ishte interesant të gjenim të paktën emrat e personazheve në të tre gjuhët + rusisht e të shikonim, kush ka përkthimin më interesant.

Një kërkim dhe më i hollësishëm në Internet, nxjerr një faqe të Wikipedias, ku thuhet që personazhi i Dinpakut është baza e një trilogjie të famshme në të gjithë botën: Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij (1954), Dinpaku në Qytetin e Diellit (1958), dhe Dinpaku në Hënë (1966). Ndoshta ngaqë ne u prishëm me rusët, librat e mëpasshëm mbetën pa u përkthyer. Më shumë për trilogjinë gjendet këtu, po për fat të keq, emrat e personazheve janë rusisht.

Friday, April 11, 2008

Fjalëpaku, punëshumi!

Selfmaderadio kishte lënë një koment për postën time të djeshme, që meriton vëmendje, sepse ngre dy pyetje të rëndësishme: 1) Sa shumë nga vetvetja "tradhëtojmë" kur analizojmë një person tjetër? dhe 2) Sa e besueshme është një analizë e vetvetes?

Për pyetjen e parë, do të thoja që një person i pastërvitur në "debate për hir të debatit", e nxjerr veten zbuluar. Kjo sepse besimet (beliefs) që janë në bazë të aparatit analizues te një individi, kanë krijuar një perspektivë subjektive që reflektohet në të gjitha mendimet. E thënë më thjeshtë: "Gjuha vete atje ku i dhemb dhëmbi". Konkretisht. Unë vetë jam e preokupuar së fundi me faktin që ka aq shumë gjëra të gjuhës shqipe, të cilat nuk jam në gjendje t'i kuptoj apo shpjegoj. Kjo "frikë" dhe "turp" (tek e fundit, si person me shumë klasë shkollë, nuk duhet të kisha pasiguri të tilla), më bën që çdo shkrim që lexoj ta shikoj nga këndvështrimi: "ky person, sa mirë e shkruan dhe mendon gjuhën shqipe?", "çfarë ka në stilin e tij/saj që më vret syrin dhe që nuk dua ta kem në stilin tim?", "çfarë ka që më pëlqen dhe mua më mungon?". Pra, ashtu siç thotë Selfmaderadio, është një përpjekje për të njohur vetveten (dhe si rezultat, për ta korrigjuar atë), përmes krahasimit të vetvetes me individë të tjerë, jashtë vetes. Sidoqoftë, nëse dikush është i trajnuar në artin e debatimit dhe analizës objektive, besoj që është në gjendje të shkruajë për të tjerët, pa tradhëtuar asgjë nga vetja e tij. Arti i të qënit objektiv (përmes flakjes së syzeve të subjektivizmit) është, për fat të keq, diçka e rrallë.

Përsa i përket pyetjes së dytë, mendoj që kjo është më e komplikuar. Me sa kam lexuar, shumë shkencëtarë nuk i besojnë më përdorimit të anketimit individual, si metodë për të bazuar teori të sociologjisë, psikologjisë, etikës, etj., për faktin e thjeshtë që shumë njerëz janë lehtësisht të manipulueshëm, pa e kuptuar aspak. Në fakt, qoftë mënyra sesi formulohen pyetjet, qoftë gjuha e përdorur, qoftë opsionet e ofruara, e largojnë një individ nga e vërteta e tij, dhe e afrojnë më tepër ndaj asaj që ai/ajo beson është e vërteta e pranuar nga të tjerët. Prandaj, nëse dikush fillon e analizon vetveten, shpesh e bën këtë duke pasur në kokë një model, që është modeli ideal që mbizotëron në atë moment kohor, në një shoqëri të caktuar. Kjo çon në lënien jashtë analizës të tipareve që s'janë pjesë e modelit ideal, por që mund të jenë përcaktuese për individin vetë. Konkretisht, mjafton t'i hedhim një sy idealit të bukurisë femërore. Në pikturat e mesjetës, Venusi është një grua me shpatulla të rëna, me gjoks të varur, dhe me krahë e kofshë të bëshme. Askush nuk e mban për të bukur një grua të tillë sot, prandaj dhe fatkeqësisht kemi vajza që vdesin nga aneroksia (rreziku i modeleve ideale është që ata i shtrojnë rrugën konformizmit). Po njësoj mund të flisnim për modelin e ndërgjegjes/moralit/sjelljes, etj.

Sot fokusi i shkencës ka kaluar në dy gjëra: a) eksperimentet e simulimit në kompjuter (vëri njerëzit, ose modele njerëzish (software agents) të luajnë "lojëra" ku u duhet të marrin vendime konkrete, pra të veprojnë), b) fMRI për të shikuar pjesët e trurit që aktivizohen si rezultat i ngacmimeve të ndryshme. Siç mund të shikohet, në të dy rastet theksi është mbi atë që ndodh (aktin), në kontrast me atë që perceptohet (ndjenjën). Si përfundim, populli ynë e ka thënë me kohë: "Shikoji punën, dhe jo gunën". Fjalët janë vërtet të bukura, por ato mashtrojnë qoftë të tjerët, qoftë vetveten. Ndaj është më mirë t'i besosh vetëm asaj që bën, dhe jo asaj që thua, mendon, apo ndjen.

Thursday, April 10, 2008

Mustafa Nano dhe gjuha shqipe

Analisti Mustafo Nano, në shkrimet e tij të përjavshme në gazetën "Shqip", dallohet shpesh jo vetëm për opinionet e tij politike, por dhe për stilin e veçantë të të shprehurit. Në vazhdim po përmbledh disa tipare të këtij stili, bazuar mbi analizën statistikore të fjalorit të përdorur në 88 artikuj që zoti Nano ka botuar në gazetën "Shqip" gjatë vitit 2007.

  1. Mustafa Nano është ndoshta i vetmi shkrues i gjuhës shqipe të publikuar që përdor gërma me theks kur shkruan fjalë të shqipes. Konkretisht, ai shkruan fjalët e mëposhtme: demodé, goxhà, hatà, kabà, kafené, kafé, kuturú, mú, parà, pré, rixhà, steré.
  2. Mustafa Nano përdor një numër të madh arkaizmash dhe dialektalizmash, që në disa raste më janë tërësisht të pakuptueshme, edhe kur marr parasysh kontekstin ku ato përdoren. Nëse qëllimi i Nanos është që të komunikojë idetë dhe opinionet e tij, nuk e di sesi e shikon ai faktin që shpeshherë gjuha që përdor bëhet pengesë për këtë qëllim. Ja ca nga fjalët tipike: adet, andralla, barabit, bën vaki, cingëris, çalltisje, dobare, dëngla, dërdëllitje, harbim, kaptina, karshillëqet, katrahura, kiameti, kokolëmsh, kuturis, këndell, legenosur, lipsej, mbrothësi, mes vedi, mufka, munxët, nakatosje, ngjërueshëm, prore, qari, qederi, qibar, qibër, rravgime, sendërgji, sosh, tagër, sendërtoj, shajni, sosh, i thukët, tollovi, trallisur, trandur, vickël, vënçe, xhevahire, yrysh, yçkla, zgërdhirë, zgërlaq.
  3. Mustafa Nano është i dashuruar mbas mbiemrave. Në fakt, s'kam parë ndonjë gazetar apo analist tjetër që të përdorë kaq shumë të tillë. Besoj që nëse do të ishte e nevojshme të përdorje një program kompjuterik për të provuar autorësinë e një shkrimi, për të provuar atë të Nanos do të ishte e mjaftueshme të nxirrje përqindjen e mbiemrave të përdorur. Ja ca prej tyre (me sens negativ): banditë, barkmëdhenj, belbacukë, budallenj, burracakë, currufjepsur, diktatoruc, dështak, eunukë, gangsterë, grafomanë, grindavecë, gërnjarë, hileqarë, kameleonë, kanakarë, kodoshë, kokoroçë, kokëboshe, kopukë, lapangjozë, lapërdharë, marrokë, të marrë, mashtrues, mercenarë, mistrecë, mitingashë, mujsharë, namusqar, ngalakaq, i pacipë, palaço, pretenciozë, provincialë, puthadorë, rrugaçë, rrumpallë, sehirxhinj, servilë, shkapërdare, shtinjakë, skutha, sojsëza, syleshë, trap, tutkunë, uzurpatorë, vrastarë, xanxar, xhambaz, yrnekë, zullumqarë, zulmëmëdhenj, zuzarë.
  4. Mustafa Nano ka njohje të disa gjuhëve të huaja, dhe shpesh përdor fjalë apo shprehje nga këto gjuhë, fatkeqësisht pa u përpjekur t'i shpjegojë në shqip. Sërish, kjo vete në dëm të një komunikimi efektiv. Ja ca nga këto shprehje: alias, apriori, bon-ton, born-again, caduta di stile, check & balance, colpi bassi, common sense, consensus bi-partisan, de facto, de jure, en bloc, ex cathedra, ex officio, fait accompli, habeas corpus, high-tech, kameratesk, know how, leader, non partisan, non stop, nonchalant, old-fashioned, opinion-makers, par excellence, pezzo-grossove, politically correct, primus inter pares, reality show, rule of law, sine qua non, spin doctor, sui generis, tout cort, ultima ratio, welfare.
  5. Mustafa Nano, si shumë shqiptarë të tjerë (përfshirë dhe shkruesen), nuk di ç'të bëjë më fjalët që huazon nga gjuhët e tjera. Shpesh ai përdor vizën ndarëse, për të dalluar fjalën e huaj nga mbaresa shqipe, po kjo i bën gjërat dhe më të padëshifrueshme. Besoj që kemi nevojë për dikë si Barbara Wallraff, autorja e kolonës "Word Court" (gjyqi i fjalëve), për të zgjidhur çështje të tilla, ose të paktën për të na hedhur dritë mbi drejtimin nga po shkon gjuha letrare shqipe në këto kohë. Ja disa shembuj të marrë nga shkrimet e Nanos: audience-ës, big-brother-izimin, bllokmen-ësh, bodyguard-ësh, bodyguard-ëve, botom line-eve, bypass-ojnë, de-deontologjizuar, de-sakralizohen, entourage-i, gentleman-in, holly-wood-iane, humour-in, leadership-it, manager-iale, mass-media-s, mass-media-tik, mass-media-tikë, maverick-un, nonchalance-ës, pa-check-uar, pezzo-grosso-sh, post-putin-iane, raid-e, rigid-izonte, sarkozy-an, scoop-e, shock-uar, speaker-es, tender-xhinjve, tycoon-ët, voyeur-ist.

Fjala më e gjatë: komunisto-socialisto-progresisto-konservatoro-liberalo-libertariane.

Fjalia hapëse më interesante: S'më kish shkuar kurrë në mendje, se një ditë prej ditësh do ndodhesha në Xibër-hane, një fshat i humbur në hinter-land-in matjan.

Për mendimin tim, opinioni që përmban fjalinë e mësipërme , ("Me deputetin në Xibër-hane të Matit", datë 23 Shtator 2007, është shkrimi më humanist i Mustafa Nanos në 2007, shkrim që më përloti, ndërkohë që të tjerët, ose më irritojnë (jo për faj të Nanos, por të realitetit që ai denoncon), ose më lënë indiferente (sepse janë thjesht livadhitje në lëmin e vetëkënaqjes intelektuale).