Friday, May 30, 2008

Lajthitje gazetareske

Sot, një nga artikujt e faqes së parë në website-n e gazetës SHQIP titullohej:"Atentat" në kufijtë e artit (ose varianti anglez i Kledi Kadiut).
Meqë nuk e dija as se çfarë kish ndodhur konkretisht me Kledi Kadiun, gjeta fillimisht një njoftim të shkurtër ky përshkruhej incidenti i tij me disa individë italianë, që sipas tij kishin përdorur shprehje raciste. E pajisur me këtë informacion, prisja që dhe në Angli të kish ndodhur diçka e ngjashme me ndonjë artist tjetër shqiptar. Por ajo që lexova, më bëri të çuditem pamasë me papërgjegjshmërinë në njohjen e mbështetjen e ligjit nga ana e SHQIP-it. Po le të shohim shkurtimisht ç'përmban artikulli:

- Policia angleze ka kthyer në Shqipëri skulptorin Gëzim Hidri sepse ndodhej pa leje në Angli.
- Hidri po punonte në një mozaik që paraqiste miliarderin rus Abrahamovic.
- Megjithëse askush nuk ia ka komisionuar këtë vepër, ai shpresonte t'ia shiste atë Abrahamovicit për 5 milionë paundë.
- Hidri paska plot oferta bashkëpunimi nga Australia, Egjipti, etj.
- Vite më parë, Hidri ka punuar dhe bile ka hapur ekspozita në Greqi.
Dhe më pas vazhdon një paragraf i mbushur plot me me fakte (ose aludime) shumë shqetësuese.

Në Greqi, ksenofobët grekë do ta vinin në shënjestër, duke linçuar punën e shqiptarit. Ata brenda një nate arritën t‘i vjedhin 21 punime skulpture vetëm e vetëm se ato ishin prodhuar nga dora një shqiptari. Kjo ndodhi nuk e dekurajoi artistin librazhdas. Së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat Anxhela dhe Armenisa, do të nisnin një emigrim të ri tashmë drejt "eldorados shqiptare". Hidri erdhi në Angli me një qëllim të vetëm: Të ishte i lirë dhe të bënte art i pa trazuar nga ksenofobët, siç i kishte ndodhur në Greqi. Por edhe në këtë vend ai nuk mundi të ishte i lirë në lëvizje. Shumë shpejt do t‘i refuzohej e drejta e qëndrimit. Një mëngjes të vitit 2006, oficerët e emigracionit do ta prangosnin në sytë e vajzave, duke i dëbuar familjarisht. Por ai nuk heq dorë nga aventura angleze për të përmbushur një dëshirë të vetme: T‘u tregonte atyre që e dëbuan se nuk mund t‘ia varrosnin talentin. Përgjigja më e mirë sipas tij ishte ndërtimi këtij mozaiku me njërin prej njerëzve jo vetëm më të pasur të botës, por edhe të një njeriu që pasioni i tij më i ri është koleksionimi veprave të artit.

Pra fare papritur, marrim vesh që Hidri ishte dëbuar dhe njëherë në 2006, por siç duket ishte rikthyer sërish (nuk na thuhet se si) në Angli. Dhe për ti vënë vulën, gazetari anonim i jep dhe një leksion autoriteteve angleze sesi ta organizojnë punën:

Duket se autoritetet vendase të emigracionit e kanë më të lehtë dëbimin e shqiptarëve që punojnë në Britani ndershmërisht, se sa të atyre problematikë dhe që kërkohen nga drejtësia shqiptare.

E kishim filluar diskutimin e çështjeve të titujve të gazetave shqiptare që para disa ditësh në blogosferë. Por ky titull mua më duket keqdashës e i papërgjegjshëm më shumë se bombastik apo palidhje me temën. Fillimisht na ofrohet një analogji me një incident të ndodhur mes disa individëve në Itali, ndërkohë që artikulli flet për një konflikt mes një personi që ndodhet ilegalisht në Angli dhe ligjit anglez. Më pas, fare rastësisht mësojmë që Hidri është përsëritës në shkeljen e ligjit. Dhe në fund këshillohen autoritetet angleze që t'i mbyllin sytë para atyre shkeljeve të ligjit që na leverdisin ne, dhe t'i hapin vetëm para atyre që prapë na leverdisin ne. Aty në mes, nuk harrohet të shahen dhe ksenofobët grekë, pa u verifikuar fare "faktet" e Hidrit.

Racionali i vetëm që mund të gjej për shkrimin e këtij artikulli, është që ndokush i ka premtuar gazetarit ndonjë thërrime nga ai 5 milionshi që gjoja Abrahamovic do të paguajë, për veprën që nuk e di ende që ekziston. Por që gazeta SHQIP pranon të botojë këtë artikull, ku romantizohet e legjitimohet shkelja e hapur e ligjit është tërësisht e pajustifikueshme.

Wednesday, May 28, 2008

Prilli i thyer - 1 mes 1001

Qëkur Perëndimi zbuloi magjinë e 1001 Netëve Arabe të Sheherezades, duket sikur vetë numri 1001 trashëgoi magjinë e rrëfimeve e u shndërrua në një numër për t'u admiruar e kopjuar. Dhe në fakt, mjeshtrit e sotëm të marketingut kanë gjetur mënyra për ta kthyer numrin 1001 në magnet për të tërhequr vëmendjen e masave. Po të ecni përgjatë rafteve të një librarie mund të gjeni tituj të tillë si "1001 vende për të vizituar para se të vdisni", "1001 gjëra që duhet të bëni para se të vdisni", apo "1001 mënyra për të qënë romantik" (tek amazon.com mund të gjeni të paktën 15 libra të tillë).

Një nga këta tituj tërheqës është dhe ai i titulluar "1001 libra për t'u lexuar para se të vdisni". Megjithëse nuk më ka rënë rasti të lexoj librin, është e mundur të lexosh në Internet listën e 1001 titujve që ai përmban. Lajmi pozitiv për ne shqiptarët është se mes këtyre 1001 librave ndodhen plot dy libra të Kadaresë: "Prilli i thyer" dhe "Lulet e ftohta të marsit". Kjo përfshirje është dhe më shumë domethënëse kur shikon se disa Nobelistë nga Ballkani, si Ivo Andric apo Orhan Pamuk, nuk kanë mundur të paraqiten as dhe me një libër në këtë listë (gjë që unë mendoj që është e padrejtë). Në fakt, mund të thuhet që mënyra sesi është përpiluar kjo listë ka krijuar një favorizim të theksuar të letërsisë anglisht-folëse përkundrejt atyre të gjuhëve të tjera. Autori i librit, Peter Boxall, një profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Sussex-it, pyeti 105 kritikë, editorë, dhe akademikë anglezë për listën e romaneve të preferuar, dhe bazuar mbi përgjigjet e tyre, krijoi listën e 1001 librave "të detyrueshëm për lexim".

Fillimisht duhet të dini që kur flitet për libra, në fakt flitet për romane, sepse jashtë 1001-shit janë lënë qoftë veprat e Homerit e Eskilit, qoftë ato të Shekspirit e Dantes. Megjithatë mund të gjeni aty "Fabulat e Ezopit" apo vetë "1001 netët" si dy prej vetëm 13 librave që i përkasin epokës para vitit 1700.

Lexuesit shqiptarë do ta kenë vështirë të gjejnë shumë libra të njohur në këtë listë, sepse shkrimtarë të njohur klasikë e të shumë-përkthyer në shqip si Balzaku apo Tolstoy përfaqësohen vetëm me 3 apo 4 vepra, ndërkohë që disa autorë bashkëkohorë britanikë apo amerikanë si Ian McEwan, Don DeLillo, apo Paul Auster dominojnë me nga 7 apo 8 romane.

Duke lexuar listën munda të numëroj që kisha lexuar vetëm 80 tituj nga 1001 (nuk numërova ata tituj që i kam parë si film, po nuk i kam lexuar). Kjo sigurisht që më trishtoi, sepse nuk e di a do të kem kohë që të lexoj qoftë dhe një pjesë të tyre me ritmin e ngadaltë të leximit të viteve të fundit, kur vëmendja duhet shpërndarë mes shumë gjërave, dhe ku librat jo-fiction tentojnë ta çojnë peshoren në anën e tyre. Sidoqoftë, ndjehem vërtet e pasuruar që kam pasur mundësi të lexoj disa prej tyre, dhe disa nga këta tituj (pa ndonjë renditje pëlqimi) po i listoj dhe këtu. A keni kohë të ndani me mua ca nga titujt e librave tuaj të preferuar nga lista e 1001 librave që duhen lexuar para se të vdesim?


Never Let Me Go - Kazuo Ishiguro (Mos më lër të largohem)

Disgrace - J.M. Coetzee (Turpi)

The God of Small Things - Arundhati Roy (Zoti i gjërave të vogla)

Love in the Time of Cholera - Gabriel García Márquez (Dashuria në kohërat e kolerës)

One Hundred Years of Solitude - Gabriel García Márquez (100 vjet vetmi)

The Unbearable Lightness of Being - Milan Kundera (Lehtësia e padurueshme e të qënit)

The Master and Margarita - Mikhail Bulgakov (Mjeshtri dhe Margarita)

Embers - Sandor Marai (Prushi)

Mrs. Dalloway - Virginia Woolf (Zonja Dalouei)

Sense and Sensibility - Jane Austen (Arsye dhe ndjeshmëri)

Nineteen Eighty-Four - George Orwell (1984)

Anna Karenina - Leo Tolstoy (Ana Karenina)

War and Peace - Leo Tolstoy (Luftë dhe paqe)

Jane Eyre - Charlotte Brontë (Xhein Ejr)

The Sorrows of Young Werther - Johann Wolfgang von Goethe ("Djaloshi Verter")

P.S. Kjo postë u frymëzua dhe bazua mbi një artikull të New York Times, që mund ta lexoni këtu.

Monday, May 26, 2008

Quiz nga Edrus

Përkohësisht, meqë Edrus nuk e shfaqte dot direkt në faqen e tij.

Tuesday, May 20, 2008

El amante albanés

Tek ecja përgjatë stendave me prurje të reja në bibliotekën e universitetit, më zënë sytë një kopertinë bardhekuqe me titullin "The Albanian Affairs". E çuditur marr në dorë librin dhe e hap në faqen e parë, ku lexoj:

Krisma kumboi përmes qetësisë së shtëpisë në orën gjashtë e një çerek, herët në mëngjez. Të gjitha vilat mes Bulevardit të Martirëve dhe Rrugës së Elbasanit qenë ndërtuar para luftës dhe ishin mes banesave të pakta në Tiranë që rrethoheshin me kopsht.

Pra ngjarjet na u zhvillokan në Tiranë, them me vete. Hidhem në fund të librit të lexoj për autorin. Mësoj që është një spanjolle, Susana Fortes (lindur në 1959), e cila ka konkurruar me këtë libër në vitin 2003 në çmimim letrar spanjoll "Planeta" ku është renditur e dyta duke fitur shumën prej 172.000 dollarë. Në xhaketën e librit lexoj përmbledhjen e mëposhtme:

Nën diktaturën e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte shteti më i izoluar dhe paranoid i Europës, ku jeta mund të jetohej vetëm në bashkëfajësi me tiraninë e saj, ose në rezistencë klandestine. Vila e heroit të shtetit Zanum Radjik në Rrugën e Elbasanit në Tiranë ështe një shtëpi e shumë sekreteve. Në një mur varet portreti i gruas së vdekur të Zanumit, emri i të cilës nuk ishte dëgjuar kurrë në atë shtëpi. Ajo ishte nëna e dy djemve të tij të ndryshëm, dhe pamja e vështrimit të saj përbën një dëshmi të heshtur për vdekjen e saj misterioze të shumë viteve më parë, kur Ismaili, më i vogli, ishte vetëm pesë vjeç. Në këtë shtëpi pa gra, Viktori - djali i madh, i preferuari i të jatit, ka sjellë si nuse të tij një vajzë fshatare të re e të bukur, Helenën. Por vëllezërit Radjik kanë zgjedhur rrugë të ndryshme nderi, duke ndjerë me dhimbje distancën në rritje mes tyre. Dhe kur Ismailin e pushton një pasion i parezistueshëm për Helenën, ai është i detyruar të zhvarrosë më në fund të vërtetat e fshehura prej shumë kohësh dhe krimet dinake që helmojnë të gjithë jetët e tyre. "The Albanian Affairs" është një ekspoze mbërthyese e shtypjes psikologjike, një histori sensuale por e trishtuar e dashurisë së ndaluar, dhe një tragjedi shembullore që ushton pamëshirshëm sikur të vinte prej duarve të Eskilit.

E intriguar nga ky përshkrim dhe fakti që një autore e huaj shkruan për Shqipërinë, nxitova të lexoj romanin. Shumë shpejt kuptova se pse ky libër ka marrë një çmim në Spanjë. Zanum Radjik (emër që çuditërisht nuk tingëllon fare shqip) kishte qënë komandant i brigadës shqiptare në Luftën Civile të Spanjës. Në momentin që ai largohet nga Spanja rrëmben një vajzë 15-vjeçare të lënë jetime nga lufta dhe e sjell në Shqipëri, duke u martuar me të pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Kjo spanjolle është nëna e dy djemve, Viktor dhe Ismail.

Gjatë leximit të librit, çdo shqiptari do t'i binte në sy sa shumë gjëra di autorja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndoshta ajo ka lexuar dhe shumë libra të Kadaresë dhe ndoshta si një homazh për të i ka quajtur dy personazhet kryesorë: Ismail dhe Helena, si dhe një personazh të tretë Gjorg - si personazhi kryesor i romanit të Kadaresë "Prilli i thyer", të cilin autorja ja vë në duar në një moment Helenës, meqë ngjarjet zhvillohen në vitin 1980, vit kur është botuar dhe ky roman. Dhe paralelet me "Prillin e thyer" nuk mbarojnë këtu. Helena është një vajzë nga malësia (nga një fshat i quajtur Rrafsh), që është martuar me "fishek në pajë". Kanuni (i përmendur me këtë emër në libër) gjen gjithashtu vend në roman, si dhe koncepti i thyerjes së besës.

Nga ana tjetër, shumë nga ngjarjet e tjera më bënë të besoj që personazhi kryesor është modeluar mbi figurën e Mehmet Shehut (qoftë pjesëmarrja në Luftën e Spanjës, qoftë vetëvrasja në fund të librit). Pas ca kërkimeve në Internet, zbulova që njëri nga djemtë e Mehmet Shehut, Besnik Shehu, jeton prej vitesh në Spanjë, dhe kjo mund të ketë bërë të mundur një njohje të tij personale me autoren. Nga leximet në Internet gjeta edhe që shumë fakte në libër (për mua të panjohur) ishin shkëputur vërtet nga jeta e Bashkim Shehut. Ai kish pasur një dado me shtetësi të huaj (në roman thuhet që ajo është hungareze, Bashkim Shehu në këtë artikull thotë thjesht që ishte e huaj). Pasi Bashkim Shehu kish dalë nga burgu, ai kish kërkuar për vite me rradhë varrin e të atit që mendohet të ishte varrosur diku në Ndroq. Dhe në fakt fshati Ndroq dhe varret e tij misterioze zënë një vend të rëndësishëm në roman. Ndërkohë, një personazh në libër, student filozofie, quhet Vladimir Hazbiu, djali i një të pushkatuari në 1973. Ky emër duket që është krijuar nga bashkimi i emrit Vladimir (vëllai i Bashkim Shehut, i vetëvrarë në burg) dhe mbiemri i Kadri Hazbiut, që në fakt nuk u vra në 1973, por më vonë.
Megjithëse romani ka plot momente lirike dhe përshkrime letrare, kur vjen puna për fakte reale, duket sikur ato të jenë marrë direkt nga përshkrimet e dikujt tjetër, dhe thjesht janë stilizuar më mbrapa. Një pasazh:

Reagimi ndaj bllokut sovjetik prej rregjimit të Hoxhës nuk vonoi gjatë. Persekutimet filluan në Tiranë dhe u shtrinë brenda një kohe të shkurtër në të gjithë vendin. Shumë shqiptarë u rrëmbyen prej vendeve të punës, ose u arrestuan në shtëpitë e tyre dhe u transferuan në zyrën e përgjithshme të sigurimit. Të tjerë u zhdukën pa mundur që të afërmit të gjenin ç'ndodhi me ta, humbën, u fshinë nga faqja e dheut, dhe për ta vetmia do të ishte thellësia e errësirës, nata e heshtur.

Çka më la mua një shije të hidhur, ishte përshkrimi i një revolte studentore, ku qindra studentë të mbledhur nga gjithë Shqipëria demonstruan në rrugët e Tiranës me parrullat "Liri e Demokraci", dhe më pas u rrethuan, rrahën, e izoluan nga Policia dhe Sigurimi.

Ndoshta nuk ka ndonjë gjë të keqe që autorja ka marrë një fakt të vitit 1990 dhe e ka spostuar në vitin 1980, por përshkrimet e mëparshme të dhëna në roman, të bëjnë si lexues (aq më tepër nëse je i huaj), të mendosh që këta qindra studentë pësuan fatin e disidentëve të mëparshëm: ose u burgosën, ose u pushkatuan, ose u zhdukën pa lënë gjurmë. Besoj që një lexues i huaj nuk është në gjendje kështu të bëjë dallimin mes një junte ushtarake si ato të Argjentinës dhe Kilit, ku me mijëra njerëz dhe sot e kësaj dite konsiderohen të zhdukur, dhe një qeverie totalitare komuniste. Kjo e fundit, nuk kishte asnjë arsye të zhdukte njerëz në mënyrë misterioze, aq më tepër kundërshtarët e saj. Ata ajo i kthente në "Armik numër një", i përdorte si mjet propagande për të treguar nga njëra anë "vigjilencën e partisë dhe popullit" dhe nga ana tjetër për të frikësuar çdokënd që mund të vazhdonte të kishte idera të tilla.

Ndaj po e mbyll me një pyetje për ju miqtë e mi: a qe e mundur në këto 18 vite demokraci të përpilohej ndonjëherë një listë e saktë e njerëzve të zhdukur për arsye politike? Po zhvarrosjet e Ndroqit, a nxorën në dritë "armiq" të panjohur, apo vetëm ata që të gjithë e dinin se prej kujt dhe si kishin vdekur?

Post Scriptum

Nëse nuk keni ndërmend të lexoni romanin, këtu mund të gjeni një përmbledhje të të gjithë ngjarjeve në roman. Një artikull tjetër gjendet këtu.

Kopertina e librit është një pikturë e një artisteje kosovare, Zake Prelvukaj. Ajo ka shumë punime interesante, që mund të shikohen këtu.

Përveç botimit në spanjisht dhe anglisht, libri është përkthyer dhe në italisht, me titullin "Gli Amanti".

Friday, May 16, 2008

Shqiptarë në SHBA

Dëgjojmë shpesh të thuhet: qindra mijëra shqiptarë kanë emigruar pas 1990-ës nga Shqipëria, por askush nuk është në gjendje të japë qoftë numrin e saktë të të larguarve, qoftë shpërndarjen e tyre në vende të ndryshme të botës. Meqë jetoj në SHBA, vendosa të kërkoj për statistikat e shqiptarëve këtu. Për fat të keq, rregjistrimi i fundit i popullsisë këtu është bërë në vitin 2000, dhe i ardhshmi pritet të jetë në 2010. Pra shifrat e mëposhtme i përkasin vitit 2000, megjithëse ne mund të bëjmë ca përafrime për ditët e sotshme.
Sipas të dhënave nga Zyra e Rregjistrimit të SHBA (US Census Bureau), në vitin 2000 kishte 38665 individë të lindur në Shqipëri që jetonin në SHBA. Nga këta, 8530 individë (22%) janë naturalizuar (kanë marrë shtetësinë amerikane), pjesa tjetër ende nuk e ka këtë shtetësi. Ndërkohë, 83% e gjithë individëve (në total 32075) janë futur në SHBA pas vitit 1990, vit kur dhe filloi llotaria amerikane. Nëse shqiptarët kanë ruajtuar këto ritme të futjes në SHBA, atëherë ne 2010 do të jenë rreth 70000 shqiptarë që jetojnë në SHBA. Sidoqoftë, duhet të vëmë re që statistika përfshin vetëm ata shtetas që janë lindur në Shqipëri, dhe jo etnikët shqiptarë të lindur jashtë kufijve.

Për të qeshur
Siç duket një pjesë e personave të intervistuar nuk janë shumë të qartë për konceptin e racës. Konkretisht, megjithëse të tërë individët janë lindur në Shqipëri, vetëm 87.5% kanë deklaruar që janë "të bardhë". 80 individë kanë deklaruar që janë të zinj, 10 indianë të Amerikës, 75 aziatikë, 125 të një race tjetër, dhe 4560 që janë të përzierë (2 ose më shumë raca). Mos këta të fundit mendojnë që po ta kesh nënën nga Elbasani dhe babain nga Lushnja je dy-racor? Ndryshe nuk e shpjegoj dot këtë numër të lartë.

Për të reflektuar
Flitet shumë që po na largohet truri nga Shqipëria. Në fakt, vetëm 24.4 përqind e shqiptarëve që jetojnë në SHBA dhe janë mbi 25 vjeç (në total 6285) kanë një diplomë të shkollës së lartë. Nuk dihet nëse këta persona e kanë marrë këtë diplomë në Shqipëri apo SHBA. Fare mirë mund të jetë që shumë prej tyre të jenë larguar në moshë të re nga Shqipëria dhe të kenë studiuar në SHBA.

Për t'u trishtuar
Nëse mediani i të ardhurave vjetore për një entitet (individ ose familje) në Amerikë është 42000 $, kjo vlerë për shqiptarët është 31000 $ (të dy vlerat janë për vitin 1999 kur është bërë rregjistrimi). 8660 individë jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë (fitime vjetore nën 15000 $ në vit). Vetëm 27% e entiteve (në anglisht, "households") fitojnë mbi 50000 $ në vit, dhe mund të quhen pjesë e klasës së mesme amerikane. Shifrat flasin vetë. Shumica e shqiptarëve të emigruar në SHBA ende nuk ka mundur të realizojë ëndrrën për një jetë më të mirë.

Saturday, May 10, 2008

10 këngë italiane

Në fëmijërinë dhe rininë time kam qënë e dashuruar marrëzisht mbas muzikës italiane. Nuk lija Sanremo pa parë, hit-parade pa ndjekur, dhe dëgjoja radio non-stop. Në vazhdim është një përpjekje për të përzgjedhur ca nga këngët më mbresëlënëse të atyre viteve. Sigurisht që këngëtarët e poshtë-përmendur kanë dhe plot këngë të tjera që dua, siç ka dhe dhjetëra këngëtarë të tjerë që i kam lënë jashtë listës për të mos kaluar numrin 10.
  1. Lucio Battisti - Emozioni (por dhe, Giardini di marzo)
  2. Fiorella Mannoia - Quelle che le donne non dicono
  3. Antonello Venditti - Notte prima degli esami
  4. Francesco de Gregori - La donna cannone
  5. Mia Martini e Roberto Murolo - Cu'mmè
  6. Ivano Fossati - A che sara (por dhe, La mia banda suona rock)
  7. Eduardo de Crescenzo - Ancora
  8. Fabio Concatto - Fiore di maggio
  9. Lucio Dalla - Caruso
  10. Jovannoti - Ragazzo fortunato

Meqë mendoj që nuk kam qënë e vetme në këtë dashurinë time, ç'mund të më thoni ju miq, për këngëtarët dhe këngët tuaja italiane të preferuara?

Thursday, May 8, 2008

Nga Interneti

Google Reader

Krijimi i një blogu sjell me vete dhe mësimin e një kodi sjelljeje në blogosferë. Një pjesë e këtij kodi është ai i vizitimit "shtëpive të tjera". Sa më shumë miq të bësh ama, aq më shumë kohë të merr kjo puna e vizitave. Për fat të mirë, këto ditë zbulova Google Reader, i cili të jep mundësinë që të abonohesh në blogun e çdo miku, dhe pastaj vetem duke vizituar këtë faqe të marrësh vesh se kush nga miqtë ka shtuar ndonjë postë të re në blogun e vet. (Interesant, 'e vet' është mbiemër pronor asnjanës në shqip, në ndryshim nga 'e tij', 'e saj'.)

Me anë të butonit "Add subscription", mund të futësh adresat e të gjithë blogeve në të cilat je i interesuar, dhe automatikisht krijohet një faqe që përmbledh të gjithë këto bloge. Në këtë mënyrë, shpëton nga klikimi i shumë adresave. Ajo çka më çuditi është që dhe një faqe aq shumë e vizituar si Peshku Pa Ujë, ka vetëm 3 të abonuar. Kjo tregon, që jo shumë përdorues shqiptarë të blogeve janë në dijeni mbi këtë funksion, ndaj shpresoj që kjo postë të kontribuojë në ndryshimin e gjërave. Tek e fundit, si ja bëni ju miq për të ndjekur bloget e shumtë që ndiqni?

TED
TED (Technology, Entertainment, Design) është emri i një konference të famshme, ku çdo vit shumë nga njerëzit e famshëm të fushave të sipërpërmendura mblidhen e debatojnë tema të ndryshme. Ajo çka është interesante, është që në website-in e tyre ndodhen shumë video të fjalimeve të mbajtura, dhe ke mundësi të dëgjosh njerëz të tillë si Daniel Dennett, Richard Dawkins, Stephen Hawking, e shumë të tjerë. Videot janë vërtet inspiruese e të hapin dritare dije në shumë tema që intrigojnë apo shqetësojnë shoqërinë njerëzore.

Freakonomics
Freakonomics është titulli i një libri shumë të famshëm të botuar në 2006, që përpiqet të shpjegojë shumë fenomene (si p.sh, "çfarë kanë të përbashkët mësuesit me sportistët e sumos", apo "pse shpërndarësit e drogës jetojnë ende me mamatë") duke përdorur teori ekonomike të shpjeguara për jo-ekonomistë. Për fat të mirë, autorët e librit kanë dhe një blog me të njëjtin titull në gazetën New York Times, dhe herë pas herë kanë vërtet artikuj shumë informativë. Një i tillë ishte dje, Frans De Waal answers your primate questions, të cilin e rekomandoj shumë.

Sunday, May 4, 2008

Absurdistan

"Prandaj, ne po i hedhim në erë ato lagje, tërheqim ca vëmendje tek lufta jonë, dhe më pas do të marrim USAID-in, ose Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ose ndoshta japonezët për të paguar për një Gorbigrad të ri. Tashmë ne i kemi të gjitha firmat ndërtuese që na duhen, gjithë ato Bechtel, e ku di unë. Çdokush fiton. Ti duhet t'i tregosh Izraelit mbi të gjitha këto."

Paragrafi i mësipërm është shkëputur nga romani i autorit ruso-çifuto-amerikan Gary Shteyngart, me titullin Absurdistan. Shteyngart është i ri në moshë (lindur në 1972) dhe ky është romani i tij i dytë, roman që në 2006 u zgjodh nga New York Times si një nga 10 librat më të mirë të vitit. Nuk kam dëgjuar që romani të jetë botuar në shqip, po shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti. Besoj që në shoqërinë shqiptare, botimi, leximi, dhe diskutimi i këtij romani, do të ishte me shumë vlerë, sepse romani merret me jetën në shoqëritë pas-socialiste, me zvetënimin e vlerave humane, me lojën kapitaliste të rindërtimit, e shumë tema të tjera aq të prekshme në shoqërinë tonë.

Sigurisht që romani është një satirë e hiperbolizuar, po është e vështirë të mos shikosh pjesë të Shqipërisë në shumë pjesë të tij, megjithëse ngjarjet zhvillohen në SHBA, Rusi, dhe në një ish-republikë sovjetike në bregun e Detit Kaspik (Absurdistan). Kjo ish-republikë ka të përbashkët me ne dhe faktin që dikur ka qënë pjesë e perandorisë osmane, por xhamitë e dikurshme tani janë kthyer në kisha, dhe legjendat vendase tregojnë, që shenjtori i vendit, na ish takuar dikur me Krishtin. Gjithashtu, pushtetarët e vendit sillen si bajraktarë të vërtetë, me të njëjtën arrogancë, kokëfortësi, e mungesë humanizmi, që e shikon dhe tek shumë politikanë shqiptarë.

Sa do të dëshiroja që Dritëro Agolli apo Dionis Bubani të ishin sot të rinj 35-vjeçarë, e të përdornin penën e tyre hosten për të përqeshur absurditetin e shoqërisë së re shqiptare. Dhe çuditem sesi nuk ka ende ndonjë autor shqiptar që të ketë gjetur frymëzim në kohërat që jetojmë. Vërtet së fundi Ylljet Aliçka shkruajti "Rrëfenja me ndërkombëtarë", po ai libër është më shumë një satirë drejtuar mediokritetit të burokracisë europiane, sesa një satirë e realitetit kompleks shqiptar. Mos duhet të presim të huajt të shkruajnë për mediokritetin, dritëshkurtësinë, dhe babëzinë e burokratëve dhe një pjese të shoqërisë shqiptare?

Romani i Shteyngart kishte dhe një aspekt që me ngacmonte shumë, sa herë që përmendej. Banorët e Absurdistanit e kishin zakon që sa herë takonin personazhin kryesor të romanit (të quajtur Misha Vainberg), dhe merrnin vesh që ky ishte çifut, t'i thonin:

"Çifutët kanë një histori të gjatë dhe paqësore në vendin tonë. Ata janë vëllezërit tanë, dhe kushdo që është armiku i tyre është dhe armiku ynë. Kur të jesh në Absurdistan, nëna ime do të jetë nëna jote, gruaja ime do të jetë motra jote, dhe në pusin tim do të gjesh gjithnjë ujë për të pirë."

Dhe më pas e përdornin këtë shprehje miqësie e mikpritjeje për të kërkuar ndonjë favor (zakonisht kartmonedha në dollarë). Ajo çfarë më shqetësoi mua ishte satira me konceptin e mikpritjes. Ne shqiptarët e kemi zakon të mburremi: "vërtet ne jemi të varfër, ama mikut i japim thelën dhe kur s'kemi për vete për të ngrënë", apo "bukë e kripë e zemër", "bëj si në shtëpinë tënde", etj. A është mikpritja vërtet një tipar vetëm i shqiptarëve, apo i gjithë vendeve të ish-perandorisë osmane? Pse duhet ta trajtojmë mikun më mirë se njerëzit e familjes dhe veten? A nuk na bën qesharakë një veprim i tillë? A nuk tregon kjo një ndjenjë inferioriteti, dhe mungesë vetërespekti?