Thursday, April 10, 2008

Mustafa Nano dhe gjuha shqipe

Analisti Mustafo Nano, në shkrimet e tij të përjavshme në gazetën "Shqip", dallohet shpesh jo vetëm për opinionet e tij politike, por dhe për stilin e veçantë të të shprehurit. Në vazhdim po përmbledh disa tipare të këtij stili, bazuar mbi analizën statistikore të fjalorit të përdorur në 88 artikuj që zoti Nano ka botuar në gazetën "Shqip" gjatë vitit 2007.

  1. Mustafa Nano është ndoshta i vetmi shkrues i gjuhës shqipe të publikuar që përdor gërma me theks kur shkruan fjalë të shqipes. Konkretisht, ai shkruan fjalët e mëposhtme: demodé, goxhà, hatà, kabà, kafené, kafé, kuturú, mú, parà, pré, rixhà, steré.
  2. Mustafa Nano përdor një numër të madh arkaizmash dhe dialektalizmash, që në disa raste më janë tërësisht të pakuptueshme, edhe kur marr parasysh kontekstin ku ato përdoren. Nëse qëllimi i Nanos është që të komunikojë idetë dhe opinionet e tij, nuk e di sesi e shikon ai faktin që shpeshherë gjuha që përdor bëhet pengesë për këtë qëllim. Ja ca nga fjalët tipike: adet, andralla, barabit, bën vaki, cingëris, çalltisje, dobare, dëngla, dërdëllitje, harbim, kaptina, karshillëqet, katrahura, kiameti, kokolëmsh, kuturis, këndell, legenosur, lipsej, mbrothësi, mes vedi, mufka, munxët, nakatosje, ngjërueshëm, prore, qari, qederi, qibar, qibër, rravgime, sendërgji, sosh, tagër, sendërtoj, shajni, sosh, i thukët, tollovi, trallisur, trandur, vickël, vënçe, xhevahire, yrysh, yçkla, zgërdhirë, zgërlaq.
  3. Mustafa Nano është i dashuruar mbas mbiemrave. Në fakt, s'kam parë ndonjë gazetar apo analist tjetër që të përdorë kaq shumë të tillë. Besoj që nëse do të ishte e nevojshme të përdorje një program kompjuterik për të provuar autorësinë e një shkrimi, për të provuar atë të Nanos do të ishte e mjaftueshme të nxirrje përqindjen e mbiemrave të përdorur. Ja ca prej tyre (me sens negativ): banditë, barkmëdhenj, belbacukë, budallenj, burracakë, currufjepsur, diktatoruc, dështak, eunukë, gangsterë, grafomanë, grindavecë, gërnjarë, hileqarë, kameleonë, kanakarë, kodoshë, kokoroçë, kokëboshe, kopukë, lapangjozë, lapërdharë, marrokë, të marrë, mashtrues, mercenarë, mistrecë, mitingashë, mujsharë, namusqar, ngalakaq, i pacipë, palaço, pretenciozë, provincialë, puthadorë, rrugaçë, rrumpallë, sehirxhinj, servilë, shkapërdare, shtinjakë, skutha, sojsëza, syleshë, trap, tutkunë, uzurpatorë, vrastarë, xanxar, xhambaz, yrnekë, zullumqarë, zulmëmëdhenj, zuzarë.
  4. Mustafa Nano ka njohje të disa gjuhëve të huaja, dhe shpesh përdor fjalë apo shprehje nga këto gjuhë, fatkeqësisht pa u përpjekur t'i shpjegojë në shqip. Sërish, kjo vete në dëm të një komunikimi efektiv. Ja ca nga këto shprehje: alias, apriori, bon-ton, born-again, caduta di stile, check & balance, colpi bassi, common sense, consensus bi-partisan, de facto, de jure, en bloc, ex cathedra, ex officio, fait accompli, habeas corpus, high-tech, kameratesk, know how, leader, non partisan, non stop, nonchalant, old-fashioned, opinion-makers, par excellence, pezzo-grossove, politically correct, primus inter pares, reality show, rule of law, sine qua non, spin doctor, sui generis, tout cort, ultima ratio, welfare.
  5. Mustafa Nano, si shumë shqiptarë të tjerë (përfshirë dhe shkruesen), nuk di ç'të bëjë më fjalët që huazon nga gjuhët e tjera. Shpesh ai përdor vizën ndarëse, për të dalluar fjalën e huaj nga mbaresa shqipe, po kjo i bën gjërat dhe më të padëshifrueshme. Besoj që kemi nevojë për dikë si Barbara Wallraff, autorja e kolonës "Word Court" (gjyqi i fjalëve), për të zgjidhur çështje të tilla, ose të paktën për të na hedhur dritë mbi drejtimin nga po shkon gjuha letrare shqipe në këto kohë. Ja disa shembuj të marrë nga shkrimet e Nanos: audience-ës, big-brother-izimin, bllokmen-ësh, bodyguard-ësh, bodyguard-ëve, botom line-eve, bypass-ojnë, de-deontologjizuar, de-sakralizohen, entourage-i, gentleman-in, holly-wood-iane, humour-in, leadership-it, manager-iale, mass-media-s, mass-media-tik, mass-media-tikë, maverick-un, nonchalance-ës, pa-check-uar, pezzo-grosso-sh, post-putin-iane, raid-e, rigid-izonte, sarkozy-an, scoop-e, shock-uar, speaker-es, tender-xhinjve, tycoon-ët, voyeur-ist.

Fjala më e gjatë: komunisto-socialisto-progresisto-konservatoro-liberalo-libertariane.

Fjalia hapëse më interesante: S'më kish shkuar kurrë në mendje, se një ditë prej ditësh do ndodhesha në Xibër-hane, një fshat i humbur në hinter-land-in matjan.

Për mendimin tim, opinioni që përmban fjalinë e mësipërme , ("Me deputetin në Xibër-hane të Matit", datë 23 Shtator 2007, është shkrimi më humanist i Mustafa Nanos në 2007, shkrim që më përloti, ndërkohë që të tjerët, ose më irritojnë (jo për faj të Nanos, por të realitetit që ai denoncon), ose më lënë indiferente (sepse janë thjesht livadhitje në lëmin e vetëkënaqjes intelektuale).