Thursday, June 26, 2008

Xhema

Sa vite kam pa e parë Xhemën? Ndoshta 15 ose 20? E sa të tjerë kanë kaluar pa e menduar Xhemën? Patjetër mbi 10. Po ja që megjithë këtë harresë të gjatë, ja tek jam sot, mijëra kilometra larg Shqipërisë, e paaftë për të hequr nga mendja Xhemën. E gjitha nisi me leximin ritual mëngjezor të New York Times. Sytë më kapën titullin Albanian Custom Fades: Woman as Family Man (Zakonet shqiptare veniten: Gruaja si burrë i familjes), dhe pas një momenti ja tek isha duke parë fotot e Xhemave të tjera shqiptare. Gra që në moshë të re ishin betuar të mbeteshin përjetë të virgjëra, në mënyrë që të shndërroheshin në burra e të kujdeseshin për familjen. Dhe nuk munda të mos pyesja veten: A kish bërë dhe Xhema një betim të tillë? Po nuk mundem ta gjej dot përgjigjen. Atëherë kur unë e kam njohur Xhemën, nuk kam ditur as ç'është virgjëria e as ç'është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Dija vetëm që Xhema dukej ndryshe. Një jogrua nga vetëzgjedhja, një joburrë nga natyra. Një gruaburrë.

Ka shumë mundësi që dhe ju ta njihni Xhemën. Nëse në vitet '80 ju ka rënë rasti të pushoni qoftë dhe një ditë në plazhin e Velipojës, patjetër që do të jeni ndeshur diku me Xhemën. Sepse jeta e saj shpalosej mu në qendër të Plazhit Velipojë. Kabina e saj e vogël (ku ajo jetonte) ndodhej brenda rrethimit të këndit të lojrave për fëmijë, dyert e të cilit hapeshin e mbylleshin në çdo ditë vere të çdo viti vetëm nga Xhema.

Rrekem të zhvarros nga sëndukët e kujtimeve të atyre viteve detajet që do më të lejonin të pikturoja para syve figurën e plotë të Xhemës, por çdo gjë mbetet e vagullt. Prerja e flokëve nuk i ngjasonte asaj të një burri, por dhe ndonjë grua me një të tillë nuk do të gjeje dot. Zëri ishte i ashpër (që të frikësonte fëmijët), por ende ruante ca nga diapazoni më i gjerë i një femre. Trupi ishte i thatë, me shpinë pak të kërrusur, gjithnjë i veshur në pantallona e këmisha burrash.

Sa herë mund të më ketë ndihmuar të hip dhe zbres nga figurat e karuselit Xhema? E megjithatë nuk ja kujtoj dot ngjyrën e syve. Ndoshta rreptësinë po, ose trimërinë. Sepse mua Xhema mbi të gjitha më dukej trime. Një nga ato burrneshat e zbritura drejt nga përrallat e Mujit dhe Halilit. Xhema e vetme fare mund ta mundte Bajlozin që do të vinte nga deti. A nuk e kishte ajo prandaj kasollen mu në zemër të plazhit, fare pranë detit? Të rrethuar nga kuaj e karroca, shtiza e pllaka hekuri që ajo me forcën e saj mund t'i kthente në pajime lufte.

Çfarë bëhet sot me Xhemën? Nga ta di. Ndoshta mundi të privatizonte kasollen e vet në zemër të Plazhit, dhe jeton atje dhe sot e kësaj dite. Si në përrallat e motshme, ku personazhet jetojnë përgjithnjë.