Thursday, April 10, 2008

Mustafa Nano dhe gjuha shqipe

Analisti Mustafo Nano, në shkrimet e tij të përjavshme në gazetën "Shqip", dallohet shpesh jo vetëm për opinionet e tij politike, por dhe për stilin e veçantë të të shprehurit. Në vazhdim po përmbledh disa tipare të këtij stili, bazuar mbi analizën statistikore të fjalorit të përdorur në 88 artikuj që zoti Nano ka botuar në gazetën "Shqip" gjatë vitit 2007.

  1. Mustafa Nano është ndoshta i vetmi shkrues i gjuhës shqipe të publikuar që përdor gërma me theks kur shkruan fjalë të shqipes. Konkretisht, ai shkruan fjalët e mëposhtme: demodé, goxhà, hatà, kabà, kafené, kafé, kuturú, mú, parà, pré, rixhà, steré.
  2. Mustafa Nano përdor një numër të madh arkaizmash dhe dialektalizmash, që në disa raste më janë tërësisht të pakuptueshme, edhe kur marr parasysh kontekstin ku ato përdoren. Nëse qëllimi i Nanos është që të komunikojë idetë dhe opinionet e tij, nuk e di sesi e shikon ai faktin që shpeshherë gjuha që përdor bëhet pengesë për këtë qëllim. Ja ca nga fjalët tipike: adet, andralla, barabit, bën vaki, cingëris, çalltisje, dobare, dëngla, dërdëllitje, harbim, kaptina, karshillëqet, katrahura, kiameti, kokolëmsh, kuturis, këndell, legenosur, lipsej, mbrothësi, mes vedi, mufka, munxët, nakatosje, ngjërueshëm, prore, qari, qederi, qibar, qibër, rravgime, sendërgji, sosh, tagër, sendërtoj, shajni, sosh, i thukët, tollovi, trallisur, trandur, vickël, vënçe, xhevahire, yrysh, yçkla, zgërdhirë, zgërlaq.
  3. Mustafa Nano është i dashuruar mbas mbiemrave. Në fakt, s'kam parë ndonjë gazetar apo analist tjetër që të përdorë kaq shumë të tillë. Besoj që nëse do të ishte e nevojshme të përdorje një program kompjuterik për të provuar autorësinë e një shkrimi, për të provuar atë të Nanos do të ishte e mjaftueshme të nxirrje përqindjen e mbiemrave të përdorur. Ja ca prej tyre (me sens negativ): banditë, barkmëdhenj, belbacukë, budallenj, burracakë, currufjepsur, diktatoruc, dështak, eunukë, gangsterë, grafomanë, grindavecë, gërnjarë, hileqarë, kameleonë, kanakarë, kodoshë, kokoroçë, kokëboshe, kopukë, lapangjozë, lapërdharë, marrokë, të marrë, mashtrues, mercenarë, mistrecë, mitingashë, mujsharë, namusqar, ngalakaq, i pacipë, palaço, pretenciozë, provincialë, puthadorë, rrugaçë, rrumpallë, sehirxhinj, servilë, shkapërdare, shtinjakë, skutha, sojsëza, syleshë, trap, tutkunë, uzurpatorë, vrastarë, xanxar, xhambaz, yrnekë, zullumqarë, zulmëmëdhenj, zuzarë.
  4. Mustafa Nano ka njohje të disa gjuhëve të huaja, dhe shpesh përdor fjalë apo shprehje nga këto gjuhë, fatkeqësisht pa u përpjekur t'i shpjegojë në shqip. Sërish, kjo vete në dëm të një komunikimi efektiv. Ja ca nga këto shprehje: alias, apriori, bon-ton, born-again, caduta di stile, check & balance, colpi bassi, common sense, consensus bi-partisan, de facto, de jure, en bloc, ex cathedra, ex officio, fait accompli, habeas corpus, high-tech, kameratesk, know how, leader, non partisan, non stop, nonchalant, old-fashioned, opinion-makers, par excellence, pezzo-grossove, politically correct, primus inter pares, reality show, rule of law, sine qua non, spin doctor, sui generis, tout cort, ultima ratio, welfare.
  5. Mustafa Nano, si shumë shqiptarë të tjerë (përfshirë dhe shkruesen), nuk di ç'të bëjë më fjalët që huazon nga gjuhët e tjera. Shpesh ai përdor vizën ndarëse, për të dalluar fjalën e huaj nga mbaresa shqipe, po kjo i bën gjërat dhe më të padëshifrueshme. Besoj që kemi nevojë për dikë si Barbara Wallraff, autorja e kolonës "Word Court" (gjyqi i fjalëve), për të zgjidhur çështje të tilla, ose të paktën për të na hedhur dritë mbi drejtimin nga po shkon gjuha letrare shqipe në këto kohë. Ja disa shembuj të marrë nga shkrimet e Nanos: audience-ës, big-brother-izimin, bllokmen-ësh, bodyguard-ësh, bodyguard-ëve, botom line-eve, bypass-ojnë, de-deontologjizuar, de-sakralizohen, entourage-i, gentleman-in, holly-wood-iane, humour-in, leadership-it, manager-iale, mass-media-s, mass-media-tik, mass-media-tikë, maverick-un, nonchalance-ës, pa-check-uar, pezzo-grosso-sh, post-putin-iane, raid-e, rigid-izonte, sarkozy-an, scoop-e, shock-uar, speaker-es, tender-xhinjve, tycoon-ët, voyeur-ist.

Fjala më e gjatë: komunisto-socialisto-progresisto-konservatoro-liberalo-libertariane.

Fjalia hapëse më interesante: S'më kish shkuar kurrë në mendje, se një ditë prej ditësh do ndodhesha në Xibër-hane, një fshat i humbur në hinter-land-in matjan.

Për mendimin tim, opinioni që përmban fjalinë e mësipërme , ("Me deputetin në Xibër-hane të Matit", datë 23 Shtator 2007, është shkrimi më humanist i Mustafa Nanos në 2007, shkrim që më përloti, ndërkohë që të tjerët, ose më irritojnë (jo për faj të Nanos, por të realitetit që ai denoncon), ose më lënë indiferente (sepse janë thjesht livadhitje në lëmin e vetëkënaqjes intelektuale).

9 comments:

Selfmaderadio said...

u argetova jashte mase me kete koment. E paditur (po jo dhe aq) mua po me krijohet ideja se keto analiza mund te jene nje perqasje ndaj njohjes se njeriut, tjetrit ne kete rastin konkret. Por, a do jesh ne gjendje ta besh nje analize te tille edhe per veten? :D Dhe cfare do te thote kjo per veten?

Drita said...

Keni shume te drejte "e paditur".

Gjithesesi, analizat e M.Nanos me pelqejne.

alidea said...

Vertet interesante kjo analize.
Un do shtoja se lexoj nje lloj fatalizmi tek shkrimet e tij, si dhe influencim opinioni te jashtem te cilin ai shpeshhere e jep ne kopjime direkte te kolegeve te tij italiane apo me gjere.
Si dhe me merzit kur ne fund te emisionit te tij thote "Tung"

N.Ago said...

apriori, de facto e de jure, në fakt janë fjalë që përdoren në gjuhën shqipe gjithëherësh.
Për të tjerat, ke të drejtë që, ia përvesh lexuesit M.Nano pa u qederosur për turbullimin që i sjell por, gjithsesi, është një shenjë se, nga pak por sistematikisht,metoda publicistike perëndimore po hyn edhe tek shtypi në atdhe.
Ndërkaq, të mos harroj të të përgëzoj për durimin e treguar në qëmtimin e fjalëve.

tropoja said...

Literatura e gazetarise, kryesisht ajo amerikane, e cila vitet e fundit ka depertuar e po ndikon ne nje fare mase edhe ne Shqiperi, nuk e shikon si pozitiv perdorimin e mbiemrave ne artikuj. Kjo kryesisht per ato artikuj qe konsiderohen lajme, pra informacion. Besoj se kjo, vlen edhe per analizat apo opinionet. Perdorimi i mbiemrave me ngjan ne nje fare mase ikje prej te shprehurit ekzakt te gjerave dhe nje metode per ta bere me te lehte shkrimin qe shpie bashke me faktore te tjere, ne artikuj qe si rezultat te vetem kane vetekenaqesine intelektuale. M.Nano eshte ndjekes i mire i shtypit italian, besoj per kete shkak ai ndikohet prej tij.
e paditur (jo dhe aq) sic ka thene selfmaderadio, analiza eshte me te vertete per tu vleresuar. Pershendetje!

e paditur said...

Alidea dhe N.Ago, mirëseardhët në këtë blog. Uroj që dhe në të ardhmen të gjeni gjëra që do të ju interesojnë, dhe do të kontribuoni në bashkëbisedim.

Ju ngjatë jeta! (besoj që kështu është në shumës?)

e paditur said...

Tropoja, ti ke të drejtë për përdorimin e mbiemrave në lajme, info, por ndoshta përdorimi i tyre në opinione dhe komente mund të jetë legjitim (tek e fundit, dihet që kemi të bëjmë me këndvështrimin subjektiv të një personi të vetëm). Unë lexoj gjithnjë me endje një opinioniste amerikane të NYT, Maureen Dowd. Po të kesh kohë të lexosh shkrimet e saj, mund të shikosh që ajo përdor shumë metaforat, epitetet, sarkazmën, e çka të mundet.
Për shembull, ajo e quan Hillary Clinton, Lady Voldermort (besoj që ke lexuar librat e Harry Potter). Një paragraf shumë i fortë, është i mëposhtmi:

Despite Bill Clinton’s saying it was “a bunch of bull” that his wife should drop out, Democrats are trying to sneak up on Hillary, throw a burlap sack over her head, carry her off the field and stick her in a Saddam spider hole until after the Denver convention.

Gjithë artikujt e Dowd, janë të arkivuar ketu

Anonymous said...

Po nuk e di, ka dicka estetike tek ky person, si fjalet qe merr dhe jep, nga ku une them se merr shume nga bota e fundit ne letrat italiane: mbi te gjitha bashkekohore.

Eljan Tanini said...

Po nuk e di, ka dicka estetike tek ky person, si fjalet qe merr dhe jep, nga ku une them se merr shume nga bota e fundit ne letrat italiane: mbi te gjitha bashkekohore.
E gjitha kjo e ben te kuptueshem, dhe te lexueshem njekohesisht.Pra ka nje identitet,tamam MUSTAFA, qe do te thote se perpiqemi ta kopjojme.