Sunday, April 13, 2008

Dinpaku dhe Dinshumi

Kur titullova postën time të fundit, "Fjalëpaku, punëshumi", mendoja që kjo është një fjalë e urtë popullore që duhet ta kisha dëgjuar dikur. Sidoqoftë, një kërkim i mëpasshëm në Google, nuk ndeshi asnjë përdorim të saj. Kjo më bëri të mendohesha më tej, dhe më në fund e gjeta përgjigjen tek dy personazhet e njërit nga librat më të dashur të fëmijërisë time: "Aventurat e Dinpakut dhe të shokëve të tij", ku dy personazhet në fjalë janë, sigurisht, Dinpaku dhe Dinshumi. Për fat të keq, ka më shumë se 15 vjet që librin ua dhashë fëmijëve të një komshiu në Tiranë, dhe ja kam humbur adresën. Sidoqoftë, shpresoj që kur të rikthehem, ndoshta do të mund ta gjej në ndonjë librari të Tiranës. Një kërkim në Google tregon që shtëpia botuese UEGEN e ka ribotuar në vitin 2002.

E kam pëlqyer gjithnjë idenë e librave për fëmijë, për të emërtuar personazhet me tipare të ndryshme qoftë të karakterit, qoftë të pamjes fizike. Tek Aventurat e Dinpakut me kujtohen të paktën tre tipe emrash:
- pamja fizike: (Petulla, ?)
- profesioni (Kinina, Pinca, Vida)
- sjellja (Dinpaku, Dinshumi)

Megjithëse u përpoqa ca, nuk arrij të tërheq nga kujtesa të gjithë emrat e 16 beqarëve meshkuj të librit që ndërtuan balonën për të gjetur qytetin ku jetonin vajzat beqare. S'më kujtohen as emrat e dy qyteteve, apo ndonjërës nga vajzat që ata takojnë.

Por më kujtohet pamja e librit, e njëjtë me atë të dispensave universitare, me faqet e ashpra ne format A4 ose me të madh. Si dhe pikturat e shumta që ndodheshin në çdo faqe. Në Internet informacionet për përkthyesin janë ca kontradiktore, diku thuhet Bedri Dedja, dhe diku tjetër Jorgji Dhoksani. Kushdo që të ketë qënë, meriton vlerësimin më të lartë për shqipërimin e tekstit. Një gjë e kam ende në kujtesë ama. Dy vjersha që janë si lojëra fjalësh, të cilat i recitonte dhe gjyshja ime, megjithëse ajo s'e dinte kush ishte Dinpaku. Besoj që vjershat të kenë qënë të Jugut të Shqipërisë, dhe të jenë përdorur në vend të atyre të origjinalit.
Ja se ç'më kujtohet mua:

Onomëna, donomëna
triferi, kalloferi
pendë, pendë, pinaqeri
urdhi, curdhi
cingla na urdhi

Onomëna, donomëna
trejson, zoti kon
konica, berbelica
syzi, syqershi
del e merr kokëçarë
pasliq, kaciq

Sigurisht që s'kanë asnjë kuptim, por është taman ai lloj gjepurash që mund të shpikin fëmijët.

Një kërkim në Google për autorin rus, Nikolai Nosov, nxjerr në dukje që "Dunno's Adventures" qënkan të përkthera dhe në anglisht si një seri librash, dhe po kështu dhe në gjermanisht, psh, "Nimmerklug in Sonnenstadt". Do të ishte interesant të gjenim të paktën emrat e personazheve në të tre gjuhët + rusisht e të shikonim, kush ka përkthimin më interesant.

Një kërkim dhe më i hollësishëm në Internet, nxjerr një faqe të Wikipedias, ku thuhet që personazhi i Dinpakut është baza e një trilogjie të famshme në të gjithë botën: Aventurat e Dinpakut dhe shokëve të tij (1954), Dinpaku në Qytetin e Diellit (1958), dhe Dinpaku në Hënë (1966). Ndoshta ngaqë ne u prishëm me rusët, librat e mëpasshëm mbetën pa u përkthyer. Më shumë për trilogjinë gjendet këtu, po për fat të keq, emrat e personazheve janë rusisht.

14 comments:

Anonymous said...

pershendetje,

une nuk e mbaj mend kete librin. Mua ne vegjeli me kujtohet çufoja dhe çipolino. Ky i fundit nuk e mbaj mend emrin e autorit.

tjeter, do te thoja qe une mbaj ne blog http://www.blogshqip.blogspot.com/ dhe do deshiroja te prezantoje veten nese deshiron.

e paditur said...

Pershendetje tetena,

"Il romanzo di Cipollino" nga Gianni Rodari. Kam pershtypjen qe femijeria ime do te kete qene me e hershme se jotja, ndaj dhe nuk ndajme te njejten kujtese. Une jam e ditelindjes 1973.

Faleminderit per ftesen per t'u prezantuar ne blogshqip.blogspot.com
Per momentin dua te rri nen radar, sepse ky eshte ende nje eksperiment qe nuk e di si do te ece. Le te themi qe kam nevoje per ca me shume eksperience.

Anonymous said...

tregohesh modeste e dashur veç sigurisht eshte zgjedhja jote.

per ditelindjen - turp turp te pyesesh per moshen e nje femre (ha ha). Nejse pa komente per momentin per kush eshte me e madhe se tj.

tetena said...

faleminderit per autorin, une e kam memorjen per ibret.

e paditur said...

e dashur tetena,
faleminderit per mesazhet. nuk e di nese eshte ndonje turp i madh te flasesh per moshen, aq me teper kur ne nje fare menyre jemi te mbrojtura nga anonimiteti i blogut. Ne fakt, mosha te ndihmon qe te kuptosh se me cilet individe ke me shume afinitet mendimesh, sepse ke kaluar te njejtat eksperienca ne femijeri/rini. P.sh, nje person qe nuk i ka perjetuar rradhat e pafundme per qumeshtin, buken, marrjen e mishit e djathit me talon, dhe te tilla skena te varferise se tejskasshme te '85-'90, e ka te veshtire te kuptoje sesa i konfliktuar eshte ai brez per femijerine e tij.

U hodha nje sy blogjeve te shumte qe ti supervizon/kontribuon, dhe te heq kapelen per perpjekjet per te sjelle nen nje cati shqiptaret e blogosferes. C'est tres bien fait, ma chérie!

Anonymous said...

merci
kohet e fundit nuk kam sh kohe dhe i kam lene deturat e shtepise pas dore !?

Anonymous said...

e gjeta e gjeta- rrofsh per çipolinon. Ne frengjisht kishte vetem nje botim te vitit 1957.

meqe me ndihmove nje here, mbase me ndihmon shume here?
http://tenaneparis.canalblog.com/archives/2007/12/20/7303667.html
ketu pues per ca libra te harruar

e paditur said...

tetena,
të lashë një koment në faqen tënde. libri i dytë quhet "Tokio Ekspres".

Anonymous said...

Ah, e paditur, ja dhe ca personazhe të tjera të Dinpakut:

Sigurti
Pasigurti
Këmbëshpejti
Peneli
Gozhda

Dhe disa vjersha që shkroi njëri prej tyre, s'e mbaj mend kush:

Ky Dinshumi zhele-zhele
Kapërceu mbi një dele

Te Sigurti nën jastek
Mund të gjesh një copë byrek

Emrat e vajzave... Më kujtohen këto:

Sykaltra
Borëbardha
Ollga (për këtë s'jam i sigurt).

e paditur said...

Pasigurti,
o ç'më kënaqe me vjershën. Këto vargje i shkroi Dinpaku kur vajti të mësonte të bëhej poet. Qe ajo faza kur ai provonte çdo ditë nga një profesion të ri (po emri i poetit nuk më kujtohet). Psh, pikturën tek Peneli (që përmend ti), më duket muzikë mësonte tek Lahuta (tani më erdhi në mend ky). Gozhda ishte shoku i ngushtë i Dinpakut, apo jo?

Shumë faleminderit për buzëqeshjen që më dhurove. Mirëseardhe në këtë blog.

Anonymous said...

Tani m'u kujtua edhe Gjevreku, që merrej me atë veturën shkatërraqe.

Julius said...

Kete librin nuk e di, se kam lexuar ndonjehere.
Meqe me kishe pyetur per gjyshen, mua ma thoshte keshtu ate vjershen:

Onomana donomana
treison qiqiron
Pana pana xhugaveli
Urthi, Curthi
Kaziq, merr e hiq
kete gisht, kete kalle ne filiq.
(kete e thoshim ne forme loje me gishta)

ose nje version tjeter:

Ditiraku, rim-tim-taku
aj baj buf!
Buf keneta shet gazeta
tre leke copa, ra te gropa.

Ke te drejte per zonen, ne jug thuheshin keto vjersha. Mua mi thoshin ne Permet.

e paditur said...

Julius, strofa e parë në fakt duket si një variacion i një nga strofave të postës. Gjyshja ime është nga Vlora, kështu që distanca mund të justifikojë ndryshimet që kanë ndodhur. Si një punë telefon i prishur.

Ndërsa strofa jote e dytë më duket ca si "moderne". Vërtet ishin gazetat aq të rëndësishme që të futeshin në folklorin popullor?

Julius said...

Nuk duket, eshte.

Per gazetat nuk e di cte them. Po nese gjykoj nga epiteti i gazetashitesit...