Saturday, April 19, 2008

Doctor Who

Të premten, datë 18 Prill 2008, kanali kabllor amerikan SciFi filloi transmetimin e serialit 4 të telefilmit anglez (të prodhuar nga BBC Wales) "Doctor Who". Siç e do tradita e "Doctor Who", episodi i parë ishte një episod special, sepse ngjarjet e tij zhvillohen gjithnjë në ditën e krishtlindjeve, dhe shfaqet po atë natë në Britaninë e Madhe. Episodi i kësaj here, i titulluar "Voyage of the Damned" (Udhëtimi i të mallkuarit), kishte si aleate të Doktorit (i luajtuar në tre serialet e fundit nga i mrekullueshmi David Tennant) këngëtaren austrialiane Kylie Minougue. Episodi ishte vërtet tërheqës, ngjarjet zhvilloheshin në një anije fluturimi të quajtur "Titanic", e cila, sikur të mos ishte ndërhyrja e Doktorit dhe e ndihmësve të tij, do të kishte shkatërruar planetin e Tokës, bashkë me vetveten.

Nuk jam në dijeni nëse ndonjë televizion shqiptar i ka blerë të drejtat televizive për "Doctor Who", ose nëse BBC One është pjesë e ndonjë pakete satelitore që kapet në Shqipëri, por do të ishte njëkohësisht edukuese dhe argëtuese për publikun shqiptar (sidomos të rinjtë), nëse do të kishte mundësi të ndiqte aventurat nëpër hapësirë dhe kohë të "Doktor Who" dhe shoqëruesve të tij.

Nuk e di ku të filloj e ku të mbaroj me lëvdatat për "Doctor Who". Për mua është momentalisht seriali më i mirë në eterin televiziv. Asnjë serial tjetër nuk bashkon në një mënyrë kaq intelligjente dhe me një humor human, aq shumë nga temat morale, sociale, dhe politike që shqetësojnë epokën tonë. Mbi të gjitha: respekti për gjallesat (në çfarëdolloj forme aliene që ajo të marrë), mendja e hapur (toleranca) ndaj të panjohurës, dilema e zgjedhjes mes të mirës së përgjithshme dhe asaj personale, evolucioni i specieve, konflikti (ende joreal) njeri-makinë, sakrifikimi dhe vetësakrifikimi, diktaturat dhe brain-washing, ideologjizimi fanatik, etj. etj.

Dhe padyshim, edhe për dikë që nuk interesohet për tema të tilla, filmi është një aventurë që bashkon gjithë elementët e zhanrit "science fiction": anije kozmike që flutorojnë me shpejtësinë e dritës, udhëtime para e mbrapa në kohë, alienë të të gjitha përmasave dhe formave, raca jonjerëzore super të sofistikuara, dhe efekte të tjera të tilla.

Por mbi të gjitha qëndron figura komplekse e Doktorit, një 903-vjeçar, nga specia e zhdukur e "Zotërve të Kohës" (time lords), që ka aftësinë të rigjenerojë vetveten (kjo është dhe një mundësi që i lejon autorët e filmit të ndryshojnë aktorët që luajnë Doktorin, sepse pas çdo ringjalljeje, Doktori ka mundësi të ndryshojë pamjen fizike, por nuk humbet memorien). Ai ka një anije kozmike në formën e një kabine telefonike, të quajtur TARDIS, e cila në një farë mënyrë mund të quhet si një anije magjike (megjithëse ajo që ne shikojmë si magji, është produkt i një teknollogjie të avancuar aliene), për shkak të shumë tipareve të jashtëzakonshme që zotëron (një prej tyre është përkthimi simultan i gjuhës së çdo qënieje në univers).

Së fundi, çdo episod (dhe ata më tragjikët, dhe të tillë ka disa), nuk mungon kurrë të ketë ato elemente të humorit spontan anglez, që i bën anglezët të dallohen në të gjithë botën.

Për të gjita këto që thashë, uroj shumë, që dhe shikuesit shqiptarë të kenë së shpejti mundësinë të njihen dhe miqësohen me "Doctor Who".

P.S. Titulli i filmit "Doctor Who" është një shaka që përsëritet shpesh në film. Doktori e thërret gjithnjë veten: "The Doctor" (Doktori), dhe ata që e takojnë pyesin: "Doctor Who?" (Doktori kush?, dmth kush është emri që vjen mbas titullit Doktor).

No comments: