Tuesday, April 15, 2008

Matës i suksesit

Më pëlqen që ky blog po më jep mundësinë për dialog me Selfmaderadio, ndaj dhe këtë postë do t'ia kushtoj komentit të saj të fundit.

e paditur >> Nderkohe qe duke shikuar se cfare kane arritur keta njerez ne jete, mund te perfitosh nje pamje me te qarte, se kush eshte thelbi i tyre.

Selfmaderadio >> Si e masim se cfare kane arritur njerezit ne jete? Nuk e di se ne cfare konteksti e ke kete fjali ne koken tende. Do me interesonte, nese ke kohe.

Besoj që suksesin e një individi në jetë mund ta masim të paktën në tre dimensione (mund të ketë dhe më shumë, sepse çdo dimension është i lidhur me rolin që një individ luan në një moment të caktuar). Por besoj që mund të biem dakord që, të paktën në kohën që jetojmë, tre janë rolet kryesorë që mund të luajë një individ:
  • roli në kontekstin familjar (prind, fëmijë, nip, gjyshe, etj.)
  • roli në kontekstin shoqëror (qytetar, mik, votues, fqinj, blerës, ndotës ambjenti, i droguar, bamirës, etj.)
  • roli në kontekstin ekonomik (ku ekonomi po quajmë në tërësi sistemin që merret me shkëmbim vlerash e shërbimesh. Në këtë kontekst roli është ai i profesionit: politikan, gazetar, sportist, mjek, profesor, etj.)

Çdo invidid që arrin të maksimizojë suksesin e tij njëkohësisht në të tre këto dimensione, mund të quhet si më i suksesshmi. Për shumicën e njerëzve, kjo është një utopi. Është utopi për faktin e thjeshtë që secili rol është i lidhur me një kosto të lartë. Meqë energjia dhe koha e çdo individi është e kufizuar, është e pamundur që një individ të jetë në gjendje të paguajë koston totale të suksesit të përgjithshëm. Prandaj një pjesë ose mjaftohen vetëm me një dimension (shumë prindër quajnë suksesin e tyre më të madh në jetë fëmijët që kanë lindur, rritur, dhe edukuar), ose oshilojnë në shkallën e sukesit të çdo dimensioni sipas periudhave kohore ose prioriteteve të momentit. (Për shembull, shumë femra e shtyjnë krijimin e familjes deri në moshën 35-40 vjeçare, sepse duan të arrijnë suksesin maksimal në karrierë.)

Sidoqoftë, suksesi i individit është diçka që nuk i shpëton dot interpretimit të influencuar nga morali i shoqërisë që bën gjykimin. Për shembull, momentalisht në Shqipëri mund të themi që suksesi ekonomik vlerësohet në kurriz të atij shoqëror. (Dikush mund të jetë trafikant njerëzish, por s'i bëhet fare vonë që po shfrytëzon më të dobëtit e nevojtarët, bile familja dhe miqtë e nxisin në këtë rol. Mjafton të kujtojmë që shumë nga vajzat e shfrytëzuara për prostitucion janë nën një presion të madh nga ana e familjarëve të shfrytëzuesve të tyre, për të tërhequr akuzat.) Fenomene të tjera si ndotja e ambientit, shpërfytyrimi urban, shkatërrimi i ambjenteve dhe pronës publike, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, shitja e mallrave të skaduar, kontrabanda e Gërdecit, e shumë të tjera si këto, tregojnë qartë që matja e suksesit vetëm në dimensionin ekonomik është shndërruar në të vetmin matës suksesi në shoqërinë shqiptare.

Prandaj, besoj që fjalia ime e cituar në fillim të postës, vërtet ishte e paqartë, dhe Selfmaderadio kishte të drejtë të kërkonte sqarim. Ne nuk mund t'i masim arritjet e një individi pa përcaktuar qartë kush është dimensioni i suksesit dhe kush është kompasi moral i shoqërisë ku po vlerësohet suksesi.

Përbuzja ime u drejtohet atyre individëve të hapësirës mediatike shqiptare (politikanë, analistë, komentatorë) që monopolizojnë debatin duke marrë përsipër dhe përcakimin e dimensionit të suksesit, dhe atë të krijimit të etikës/moralit, në mënyrë që të jenë ata të vetmit fitues. Ata janë fjalëshumët "par excellence".

5 comments:

Selfmaderadio said...

faleminderit shume per pergjigjen (edhe pse me bere te skuqem). Fjalia e fundit me foli shume. dite te mbare

Anonymous said...

pra se jemi tek perkufizimet - artikulli yt, shkruar vertet sh mire dhe qarte, jep nje perkufizim me nje kendveshtrim makro te suksesit.

e paditur said...

E dashur Selfmaderadio,
me vjen shume keq qe te kam bere te skuqesh. Sigurisht qe nuk ka qene qellimi im per asnje moment. Aq me teper qe per momentin te njoh pak, pak fare per te te marre me dashje (apo pa dashje) si prototip te persiatjeve te mia. Ne fakt, artikulli eshte shkruar duke mos pasur te tjere ne mend, vecse vetes time. Eshte dhe nje fare vetekritike le te themi (sidomos ajo ceshtja e femrave 35-vjecare). Shpresoj qe me beson, dhe qe do te mund te vazhdojme dhe ne te ardhmen dialogun virtual.

Selfmaderadio said...

Une po vazhdoj te te ndjek. Ne fakt, u cudita qe u skuqa, sepse tek e fundit prandaj e perdor selfmaderadion, qe te distancohem une (dhe te tjeret) nga vetja ime. E pra, u cudita qe u skuqa tek pashe te permendej Selfmaderadio kaq shpesh. Me sa duket, edhe ne se kam qene, nuk jam me kaq e distancuar prej saj. Interesant, si fenomen virtual. Por, interesant si fenomen ne pergjithesi. Une e krijova ate figure, por me duket se ajo figure po me krijon mua tani.

e paditur said...

Selfmaderadio,
qelloi qe mbreme ne darke te "bridhja" ca ne arkivin e blogut tend. Kjo me beri te shikoj qe dikur nga 2005/6 kish ekzistuar nje SMR qe ishte nje gazetare e specializuar ne satirizimin e politikes/jetes shqiptare (qesha shume me punen e Llukan Pukes, sepse e njoh Llukanin personalisht). Sidoqofte mua satira nuk me ngroh shume. Vertet eshte nje forme arti per te terhequr vemendje tek problemet e shoqerise, por pikerisht sepse eshte e distancuar dhe shpesh elitiste ose "self-righteous" (selbstgerecht) i ben lexuesit/shikuesit te ndjehen te pafuqishem, te pashprese, te dobet (nuk te ka rastisur ndonjehere te qash kur shikoje filmat e Charlie Chaplin). Nderkohe qe nga 2006 e me pas fillon e shfaqet nje SMR tjeter, shume-planeshe, koplekse, nje nderthyrje e gjithe roleve qe ti vesh ne jeten tende: prind, bije, bashkeshorte, femer, shkencetare, emigrante, qytetare, shqiptare, mikeshe, etj. etj. Besoj qe s'jam e para qe e them qe kjo SMR eshte shume me interesante dhe e afert per lexuesin.

Une nuk besoj qe SMR po te krijon ty tani. Thjesht pas disa vitesh ajo maska e fillimit u shkri perhere e me shume me tiparet e tua te verteta dhe tani nuk eshte me nje maske, eshte vetem nje pseudonim. Sigurisht qe te jep mundesi te filtrosh gjerat qe do ose jo te shfaqesh tek bota, por besoj qe eshte po aq pjese e jotja sa gjithe rolet e tjere. Le te themi eshte vetvetja jote virtuale qe ushqehet nga vetvetja reale. Ajo realja eshte shume me e gjere, e thelle, ndersa kjo virtualja eshte si nje tip projektori qe leviz duke ndricuar here nje pjese, e here nje tjeter.

Ku i dihet pastaj, ndoshta nuk eshte distancimi nga vetvetja ai qe na ben te njohim me mire veten, por te dhenit nje ze artikulues copezave vetvetore qe perbejne unin tone individual.