Wednesday, April 16, 2008

Vendimmarrje (1)

Disa ditë më parë Selfmaderadio kishte lënë një koment për postën time Fjalëpaku, punëshumi!, dhe unë premtova që do të reflektoj mbi idetë e saj. Meqë komenti prek disa tema, unë po i ndaj në dy pjesë përsiatjet e mia për problemin.

Selfmaderadio >> Une kisha nje ngacmin ne pjese e fundit kur thua se (me te drejte) qe nepermjet lodrave ne kompjuter dhe fMRI ne shohim (masim) punen. Por, ne shohim vetem produktin perfundimtar, dhe jo shkaqet qe çuan atje; snjehere nuk do dime ne se keta nejrez ishin vetevetja kur moren ato vendime qe moren.

Pjesa e fundit e fjalisë, duket sikur sugjeron që ka raste, kur një individ që po merr një vendim e ka mendjen të pushtuar nga një "vete" jashtë apo brenda vetvetes së zakonshme. Kjo është një temë që sidomos Hollywood-i e ka shumë për zemër (në formën e dyshes së famshme: Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde), por meqë ky fenomen mund të shikohet si sëmundje, dhe nuk është i përhapur, besoj që mund ta eliminojmë. Atëherë ngelet ta shikojmë nga pikëpamja që individët ose në mënyrë të vetëdijshme vendosën të mashtronin eksperimentuesit, ose ata mashtruan në mënyrë të pavetëdijshme (ku me mashtrim do të nënkuptojmë që nuk u sollën si vetvetja). Meqë shumica e eksperimenteve bazohen mbi një kampion individësh, të cilët në shumicën e rasteve nuk e njohin dhe nuk kanë kontakt me njëri-tjetrin, mund të përjashtojmë një skenar shumë-autorësh për të sabotuar eksperimentin. Nëse individë të izoluar do ta bëjnë këtë gjë, unë besoj që ata janë një minorancë që mund të skartohet gjatë përpunimit statistikor të rezultateve. Prandaj ngelet vetëm hipoteza, që mund të ketë individë, që për arsye se nuk e njohin mirë vetveten, mund të veprojnë në një mënyrë të tillë që kompromenton rezultatet. Unë nuk kam marrë ndonjëherë pjesë në përgatitje eksperimentesh me subjekte humanë, por besoj që kjo duhet të jetë një çështje që arkitektët e eksperimenteve duhet ta kenë marrë parasysh. Një mënyrë që më vjen në mend, është përsëritja e qëllimit të eksperimentit duke ndryshuar formën e tij, pra riformulimi i të njëjtës situatë me skenarë të ndryshëm. Një mënyrë tjetër është që të ripërsëritësh eksperimentet në distanca kohore, për të parë nëse rezultatet janë të ripërsëritshme. Pra, nëse është çështje metodollogjike, besoj që kjo e ka një zgjidhje të mbështetur në mekanizma statistikorë.

Por ajo që shqetëson ndoshta dhe më shumë Selfmaderadio, është që dhe kur dimë rezultatin, ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë pse u arrit në këtë rezultat. Në vazhdim do të spekuloj sesi e shikoj unë këtë dukuri. Mund të jetë e mundur që koncepti i "shkakut" është thjesht një kategori abstrakte e krijuar nga njerëzit, dhe nuk i përgjigjet një procesi në tru. Në fakt po t'i hedhim një sy zhvillimit të shoqërisë njerëzore, është e qartë që nga shekulli në shekull, duke grumbulluar më shumë dije, njerëzit kanë prodhuar arsyetime përherë e më të sofistikuara. Një nga këto është racionalizimi, fakti që ne ndjejmë nevojën (ose jemi të detyruar nga ambjenti ku jetojmë) për të justifikuar çdo veprim tonin, sidomos ata që janë jashtë normës (ose natyrës tonë).

Nga ana tjetër, meqë njerëzit në jetë kanë shumë vendime për të marrë, të paktën ato vendime që janë të domosdoshme për mbijetesën e tij si specie, janë hard-wired (të çimentuara) në tru. Një pjesë tjetër vendimesh merren me atë që quhet "reinforcement learning" (mësimi përmes përforcimit). Kjo nënkupton që shumë herë në jetë, sidomos në situata që nuk i kemi ndeshur kurrë, ne mund dhe të marrim vendimin e gabuar. Nëse gabimi nuk është fatal, kuptohet që s'kemi për ta bërë më atë gabim (po të jemi të zgjuar). Ajo çka shikoj unë si më e rëndësishmja, është aftësia për të abstraguar dhe për të dalluar analogji mes situatave. Kjo do të na ndihmonte pastaj që në çdo situatë, pavarësisht sa e re do të ishte kjo për ne, të ishim në gjendje të zbatonim të njëjtin mekanizëm arsyetimi si në një situatë të ngjashme nga e kaluara.

Abstragimi, analogjia, gjenerimi i opsioneve, janë të tëra karakteristika të asaj që quajmë vetvete. Dhe kjo na sjell tek (pa)aftësia për të njohur vetveten. Nëse e njohim vetveten, jemi në gjendje të shpjegojmë çdo vendim që marrim (përjashto ata që janë hard-wired, megjithëse ajo që ne quajmë vullneti i lirë (free-will) shpesh na bën që të marrim vendime të kundërta me ato që janë hard-wired, psh, të hidhemi në lumë për të shpëtuar një të panjohur).

(vazhdon)

No comments: