Friday, April 25, 2008

Duke ndjekur mbaresat

Morfologjia, ajo disiplinë e gjuhësisë që studion formimin e fjalëve, paraqitet shumë komplekse dhe shpesh krejt e parregullt. Për shembull, për të krijuar mbiemra (ose dhe emra) nga emërtimet e shteteve, qyteteve, dhe krahinave, ekzistojnë një mori mbaresash, zgjedhja e të cilave duket sikur bëhet në mënyrë fare të rastësishme. Le të shohim disa shembuj konkretë:

Mbiemra nga shtetet:
-ak: boshnjak, kazak, polak, etj.
-an: amerikan, kuban, meksikan, etj.
-as: argjentinas, azerbajxhanas, kamerunas, etj.
-ez: anglez, danez, francez, etj.
-ian: algjerian, australian, brazilian, etj.
-?: arab, belg, grek, moldav, rumun, rus, serb, spanjoll, etj. (të parregullt)

Mbiemra nga qytetet/krahinat (shqiptare):
-ak: durrsak, fierak, ulqinak.
-an: shkodran, dibran, krutan, dardan, tropojan, matjan, lumjan, pejan.
-ar: korçar, lushnjar, përmetar, pogradecar, kolonjar, kosovar, tetovar, gjakovar
-as: beratas, elbasanas, tiranas, kavajas, ersekas, tepelenas, shijakas, burrelas, peqinas, kurveleshas, martaneshas.
-ian: lezhian, pukian, kuksian, laçian, (ardian).
-it: gjirokastrit, devollit, dropullit, zagorit.
-iot: delvinjot, sarandiot, mallakastriot, lunxhiot.
-?: vlonjat, mirditor.

Meqë shpesh nuk ka ndonjë arsye logjike për të zgjedhur një mbaresë kundrejt tjetrës, kjo bëhet shpesh shkak gabimesh. Kështu, presidenti Bush thuhet të ketë thënë shprehje si:

"Keep good relations with the Grecians."
"Kosovians can move back in."

duke përdorur në këto raste mbaresën -ian për të krijuar emrat nga Greece (Greqi) dhe Kosovo. Mënyra e saktë për anglishten është Greeks, Kosovars, që të dyja raste të veçanta, ndaj Bush-it i falet padituria e tij (po ndoshta nuk i falet ndihmësve të tij që i shkruajnë fjalimet).

Është interesant që mbiemri vlonjat devijon nga emri i qytetit më shumë se ato të qyteteve të tjerë, dhe ka të njëjtën mbaresë si labeat apo dalmat, fise të kohës së ilirëve, të zonave bregdetare. Një gjë tjetër që të bie në sy është që përveç mirditor, nuk ka ndonjë mbiemër tjetër që mbaron me -or, megjithëse -or është një nga mbaresat statistikisht më të përhapura të shqipes (njerëzor, kohor, rrugor, qendror, trupor, ujor, etj.).

Ndërkohë, nuk mund të mos vësh re që mbaresat kanë një përkatësi gjeografike (-it dhe -iot i përkasin jugut, -an dhe -ian veriut). Duke iu referuar dhe njëherë statistikës, mbaresa -ar dhe bijat e saj -tar dhe -uar janë më të përhapurat në mbiemrat e gjuhës shqipe:
bujar, detar, djaloshar, fshatar, krenar, kureshtar, letrar, vjeçar, etj.;
atdhetar, amtar, besimtar, fetar, kombëtar, lajkatar, lajmëtar, lojtar, etj.;

A mos tregon kjo që banorët e zonave që mbarojnë me këtë mbaresë janë ata që kanë ndikuar më shumë në zgjerimin e fjalorit të shqipes?

P.S. Frymëzimi për këtë postim më erdhi pas leximit të një leksioni për Morfologjinë, ku ndodhen dhe shembujt e presidentit Bush.

14 comments:

Selfmaderadio said...

kendveshtrimi statistikor i gjuhes me duket shume interesant. A thua na thote ndonje gje?

Ti thua se statistikisht nje mbarese e caktuar eshte me e zhvilluar ne jug. Dhe pyet ne se keta kane kontribuar me shume ne formimin e fjaleve te reja. Po te shohesh fjalet ato jane tenje natyre patriotike, te lidhura ose me terminologji lufte ose me ideologjite e shekullit te kaluar. seleksionimi i tyre eshte bere jo vetem per te sherbyer si terminologji por edhe ne funksion te ideologjise qe pastaj ja imponoi gjuhes se folur dhe shkruar. Une kete e quaj riprodhim artificial. Mbase jam fare gabim, me kete interpretimin tim. Por, nese seleksionimi nuk do kishte qene artificial por natyral a do i kishin rezistuar keto fjale realitetit te pastluftes? Si mund te vleresohet kontributi i njerit dialekt perkundrejt tjetrit ketu?

shume interesante tema dhe faleminderit per linkun.

e paditur said...

Self,
une nuk kam thene qe nje mbarese eshte me e perhapur ne Jug. Ne fakt, mbaresa me e perhapur (-ar) duket sikur u perket trevave te Shqiperise se mesme dhe asaj lindore (korcar, permetar, kosovar, etj.). Edhe fjalet, jane marre nga Fjalori i Gjuhes se Sotme Shqipe (botimi i pare), pa pasur parasysh perkatesine dialektore. Qellimi im nuk eshte te tregoj se kush dialekt ka kontribuar me shume, por nese mund te gjejme origjinen e disa fjaleve permes aplikimit te rregullave morfologjike. Mund te ndodhe qe nje fjale te mos jete fare shqip, po pastaj eshte thithur dhe shqiperuar ne nje krahine apo tjeter, dhe ndoshta mbaresat karakteristike per nje krahine, mund te indikojne se ku ka ndodhur ky shqiperim/transformim i fjales (aq me teper qe une mora shembullin e krijimit te mbiemrave nga emrat eksistues).

Ne fakt do te ishte interesant nje krahasim statistikor mes prurjeve nga dialektet e ndryshme, po nje gje e tille kerkon shume pune dhe resurse. Kerkon te kesh tekste elektronike (me shumice) te dialekteve, dhe kerkon nje sere rregullash qe tregojne sesi keto fjale dialekti jane "perkthyer" ne Shqipen standarde.

Selfmaderadio said...

ah,

eshte pergjigjur e pavetedijshmja ime qe ato fjalet qe ti kishe renditur i klasifikoi direkt si jugore. Por, ketu ndoshta e ka fajin mosnjohja ime e veriut.

e paditur said...

Self,
ka dalë një artikull interesant që e komentonte NYT sot: Improving fluid intelligence with training on working memory.
Disa nga autorët janë zvicerianë. Unë nuk e hap dot, se duhet një account, po ndoshta ti ke mundësi ta download-ësh.
http://www.pnas.org/cgi/content/abstract/0801268105v1

Selfmaderadio said...

ne se te intereson me jep nje email adress te ta dergoj.

kam nje pyetje:

si behet mbaresa ne shqip per te pershkruar nje njeri qe banon nga Zurich-u?

e paditur said...

Self, kjo është një pyetje interesante. Siç thoja në postim, nuk ka rregulla që marrin emrin e një qyteti dhe i shtojnë një mbaresë për të krijuar mbiemra. Shumica e fjalëve na kanë ardhur në këtë formë nga e kaluara. Nëse shqiptarët nuk kanë patur kontakte me qytete të largëta, është e vështirë të kesh precendentë gjuhësorë. Unë do të thoja: Zyrih (emri në shqip), zyrihas - mbiemri. Kjo sepse në shqip ne nuk e kemi shqipëruar mbaresën -er që përdor gjermanishtja: zuercher, berliner, frankfurter, etj, siç kemi bërë me -ese të italishtes:
torinese, milanese (torinez, milanez). Por meqë ka një komunitet të madh shqipfolës në Zyrih, nuk kanë krijuar ata ende një mbiemër?

Nëse ma dërgon dot artikullin, adresa është: epaditur AT gmail DOT com. Vielen Dank!

Selfmaderadio said...

flm,

me thene te drejten nuk e di si i thote komuniteti shqiptar, sepe nuk jam shume e lidhur me te.

por po mendoja qe po te marr per baze italishten, dhe meqe ne italishten e kemi shqiperuar, do te ishte zyrigez?

e paditur said...

Tamam, në italisht eksiston fjala "zurigese" (Banca cantonale zurigese). I vetmi problem është që ne themi në shqip Zyrih dhe jo Zyrig. Sidoqoftë po të kërkosh në Google, nuk gjen as fjalën zyrihas e as zyrigez. Pra shqiptarët derimësot nuk kanë përdorur asnjërën. Ndaj ti je e lirë të krijosh një formë personale. Ku i dihet, ndoshta zë rrënjë në gjuhë.

Selfmaderadio said...

po mendoja ne analogji me tiranse/tirans; zyrikse, ose zyrikas mund te funksiononte. Si tingellojne?

e paditur said...

Self, sipas dialektit të zonës duhet të thonim "tirons/tironse", sepse standardi është "tiranas/tiranase". Në fakt, meqë emri shqip është Zyrihm, por në origjinal shkruhet Zuerich, dhe 'ch' si në shqip dhe në gjuhë të tjera mund të lexohet si "k", atehëre mendoj se "zyrikas" do të tingëllonte më mirë se "zyrihas". Format "zyriks/zyrikse" do të ishin jo-standarde, por të pranueshme.

Selfmaderadio said...

po e kisha menduar, po ajo h ne mes nuk me pelqen. h eshte gati e padegjueshme dhe do tingellonte zyrias, qe nuk me pelqen estetikisht/ vokalisht.

si do ta perktheje ti ne shqip, me nje fjale te vetme, fjalen gjermane Alptraum?


vielen dank

e paditur said...

alptraum = makth

alidea said...

Oohh :) Sa bukur!
Blogu juaj ishte nje surprize e vertete per mua sot.

Me kete rast shpreh protesten time persa i perket fjales "Tungjatjeta", fjale e cila me duket shume e bukur por, per fat te keq e kane gjymtuar ne "Tung" :(

Calliope said...

Good post.