Friday, April 11, 2008

Fjalëpaku, punëshumi!

Selfmaderadio kishte lënë një koment për postën time të djeshme, që meriton vëmendje, sepse ngre dy pyetje të rëndësishme: 1) Sa shumë nga vetvetja "tradhëtojmë" kur analizojmë një person tjetër? dhe 2) Sa e besueshme është një analizë e vetvetes?

Për pyetjen e parë, do të thoja që një person i pastërvitur në "debate për hir të debatit", e nxjerr veten zbuluar. Kjo sepse besimet (beliefs) që janë në bazë të aparatit analizues te një individi, kanë krijuar një perspektivë subjektive që reflektohet në të gjitha mendimet. E thënë më thjeshtë: "Gjuha vete atje ku i dhemb dhëmbi". Konkretisht. Unë vetë jam e preokupuar së fundi me faktin që ka aq shumë gjëra të gjuhës shqipe, të cilat nuk jam në gjendje t'i kuptoj apo shpjegoj. Kjo "frikë" dhe "turp" (tek e fundit, si person me shumë klasë shkollë, nuk duhet të kisha pasiguri të tilla), më bën që çdo shkrim që lexoj ta shikoj nga këndvështrimi: "ky person, sa mirë e shkruan dhe mendon gjuhën shqipe?", "çfarë ka në stilin e tij/saj që më vret syrin dhe që nuk dua ta kem në stilin tim?", "çfarë ka që më pëlqen dhe mua më mungon?". Pra, ashtu siç thotë Selfmaderadio, është një përpjekje për të njohur vetveten (dhe si rezultat, për ta korrigjuar atë), përmes krahasimit të vetvetes me individë të tjerë, jashtë vetes. Sidoqoftë, nëse dikush është i trajnuar në artin e debatimit dhe analizës objektive, besoj që është në gjendje të shkruajë për të tjerët, pa tradhëtuar asgjë nga vetja e tij. Arti i të qënit objektiv (përmes flakjes së syzeve të subjektivizmit) është, për fat të keq, diçka e rrallë.

Përsa i përket pyetjes së dytë, mendoj që kjo është më e komplikuar. Me sa kam lexuar, shumë shkencëtarë nuk i besojnë më përdorimit të anketimit individual, si metodë për të bazuar teori të sociologjisë, psikologjisë, etikës, etj., për faktin e thjeshtë që shumë njerëz janë lehtësisht të manipulueshëm, pa e kuptuar aspak. Në fakt, qoftë mënyra sesi formulohen pyetjet, qoftë gjuha e përdorur, qoftë opsionet e ofruara, e largojnë një individ nga e vërteta e tij, dhe e afrojnë më tepër ndaj asaj që ai/ajo beson është e vërteta e pranuar nga të tjerët. Prandaj, nëse dikush fillon e analizon vetveten, shpesh e bën këtë duke pasur në kokë një model, që është modeli ideal që mbizotëron në atë moment kohor, në një shoqëri të caktuar. Kjo çon në lënien jashtë analizës të tipareve që s'janë pjesë e modelit ideal, por që mund të jenë përcaktuese për individin vetë. Konkretisht, mjafton t'i hedhim një sy idealit të bukurisë femërore. Në pikturat e mesjetës, Venusi është një grua me shpatulla të rëna, me gjoks të varur, dhe me krahë e kofshë të bëshme. Askush nuk e mban për të bukur një grua të tillë sot, prandaj dhe fatkeqësisht kemi vajza që vdesin nga aneroksia (rreziku i modeleve ideale është që ata i shtrojnë rrugën konformizmit). Po njësoj mund të flisnim për modelin e ndërgjegjes/moralit/sjelljes, etj.

Sot fokusi i shkencës ka kaluar në dy gjëra: a) eksperimentet e simulimit në kompjuter (vëri njerëzit, ose modele njerëzish (software agents) të luajnë "lojëra" ku u duhet të marrin vendime konkrete, pra të veprojnë), b) fMRI për të shikuar pjesët e trurit që aktivizohen si rezultat i ngacmimeve të ndryshme. Siç mund të shikohet, në të dy rastet theksi është mbi atë që ndodh (aktin), në kontrast me atë që perceptohet (ndjenjën). Si përfundim, populli ynë e ka thënë me kohë: "Shikoji punën, dhe jo gunën". Fjalët janë vërtet të bukura, por ato mashtrojnë qoftë të tjerët, qoftë vetveten. Ndaj është më mirë t'i besosh vetëm asaj që bën, dhe jo asaj që thua, mendon, apo ndjen.

7 comments:

Selfmaderadio said...

E paditur,

shume interesant ky koment. Se pari kerkoj te falur per rremujen ne mendime dhe gabimet ne te shkruar neper komente, por pervecse une nuk arrij dot kurre te shkruaj aq shpejt sa mendoj, me frustron kjo dritare e vogel e blogspotit per komentet; qe nuk me lejon te kem nje overview mbi ato qe shkruaj.

Une kisha nje ngacmin ne pjese e fundit kur thua se (me te drejte) qe nepermjet lodrave ne kompjuter dhe fMRI ne shohim (masim) punen. Por, ne shohim vetem produktin perfundimtar, dhe jo shkaqet qe cuan atje; snjehere nuk do dime ne se keta nejrez ishin vetevetja kur moren ato vendime qe moren. Edhe kur gjykojme punen, (dhe diku ne duhet te gjykojme sepse nuk mund te jestosh ne pasiguri, qartesia ehset esensiale per ekzistencen, flas ketu per qartesi relative, ajo qe te mundeson jeten e perditshme, momentin, te pakten) ne jemi ne siperfaqe te vetes. Ne te vertete, mua nganjehere me hipen frika me kete temen e njohjes se vetevetes. Sidomos kur ne loje futet edhe e pandergjegjshmja, dhe ketu shkenca nuk ka filluar akoma te merret seriozisht; jo sepse nuk do, por sepse eshte me e veshtire per t'u matur, futur ne kode, ne meme. Faleminderit. fund jave te bukur.

Selfmaderadio said...

Titulli i ketij posti me ngacmoi qe heren e pare, por tani mund edhe ta formuloj pyetje: A eshte vertete fjaleshumi punepak?

A mund te themi se M. Nano psh, eshte punepak? Kur puna e tij eshte te thote fjaleshume???

e paditur said...

Selfmaderadio,

debati yne nuk ishte mbi ata profesioni i te cileve eshte fjala (si M. Nano), por mbi ceshtjen nese permes fjaleve mund te arrijme nje nje analize te vetvetes. Megjithese une e pranoj qe te shkruarit eshte nje terapi e mire, shpeshhere, nje pjese e njerezve e perdorin me shume per te mjegulluar, retushuar, manipuluar te verteten, dmth, per te krijuar ate imazh qe ata besojne qe bota ka qejf te shikoje tek ta, ose ate imazh qe ata duan t'i shesin botes. Nderkohe qe duke shikuar se cfare kane arritur keta njerez ne jete, mund te perfitosh nje pamje me te qarte, se kush eshte thelbi i tyre.

M. Nano vertet shkruan shume, po une s'mund te them se cfare personi eshte ai ne jeten reale. Ndandonjehere e kam pare neper intervista te nevrikoset e te filloje te shaje. Kjo mungese vetepermbajtjeje, qe ngandonjehere kam dashur ta shpjegoj thjesht si pasion i tepruar, me ka bere te mendoj qe Nano jo gjthmone eshte nje gjendje te gjykoje gjakftohtesisht. Kjo e ben shpesh te mos jete aq objektiv e largpames, sa do te deshiroja te ishte. Dhe pyetja me e rendesishme mbetet, sa ia ka arritur Mustafa Nano te ndryshoje gjerat ne Shqiperi me artikujt e tij te panumert?

Selfmaderadio said...

"Nderkohe qe duke shikuar se cfare kane arritur keta njerez ne jete, mund te perfitosh nje pamje me te qarte, se kush eshte thelbi i tyre."

si e masim se cfare kane arritur njerezit ne jete? Nuk e di se ne cfare konteksti e ke kete fjali ne koken tende. Do me interesonte, nese ke kohe.

ELAIS said...

Pershendetje e paditur!
Gjeta rastesisht rrugen per ketu dhe po lexoj postimet e tua qe nga fillimi. Me pelqeu tema qe zgjoi tek ty SMR dhe menyra jote e argumentimit.

ps: "dicka e rradhe" mos duhet te ishte "dicka e rralle"

e paditur said...

Elais, mirë se e gjete rrugën! Edhe mua më ka rënë rasti plot herë të kaloj nga shtëpia jote, po nuk jam bërë mbarë të të lë një shënim. Po më ka bërë përshtypje shpjegimi i nikut Yli-skatten, sidomos ai momenti kur thua ka një kuptim privat të papërkthyeshëm. Kjo është një lojë që e bëj dhe unë me miq të mi, krijojmë fjalë për përdorim privat. Faleminderit dhe për korrigjimin. Është një gabim që më ndodh shpesh, ngandonjëherë e kap, ngandonjëherë më shpëton.

ELAIS said...

Pershendetje prape!
Kur te vish serish ler ndonje resht se me ben qejfin.;)

Edhe mua me ndodh shpesh,(madje mesa lexova nga blogu yt me ndodh shume me shpesh se ty)te bej gabime shkrimi. Per fat te keq gafat e mia i kap shume vone. Mirepo duke e ditur sa zet i kam kur i gjej dhe konstatoj qe me kane shpetuar e nuk i kam rregulluar, mendoj se dhe te tjeret e vleresojne po t'ja u ve ne dukje.

Fundjave te vizellueshme do thoshte kolegja blogiste Akullnaja!